PM10 dhe LNP janë dy nga indikatorët më të rëndësishëm të cilësisë së ajrit. Ata shprehin sasinë e grimcave të ngurta pezull në ajër. PM10 (Particulate Matter) është një përzierje pjesëzash të lëngta dhe të ngrurta që qëndrojnë në ajër, me një diametër më të vogël se 10 mikrometër. Burimi kryesor i tij janë gazrat e cliruara nga automjetet, sidomos nga makinat e vjetra me motor diesel.

Ky indikator është cilësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si rreziku më i madh shëndetësor për zonat e urbanizuara, pasi këto lloj grimcash depërtojnë në pjesën e poshtme të mushkërive. Në të gjitha qytet e Shqipërisë, vlerat e PM10-s janë mbi normat e lejuara në vend (60 µg/m3) dhe ato të BE-së (50 µg/m3). Situata paraqitet problematike sidomos në qytet e mëdha, Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë.

Përmirësimet më të ndjeshme duket se i ka patur Tirana. Në 2005-n, sasia e PM10-s ishte 172 µg/m3, rreth 3.4 herë më e lartë se norma europiane, duke shënuar dhe vlerën më të lartë për të gjithë vendin. Pas këtij viti, sasia e PM10-s ka ardhur në zbritje, dhe në 2008-n ajo ishte rreth 60% më e ulët se sa  në 2007-n. Nga raportet e Ministrisë së Mjedist, vihet re se përmirësime ka pasur edhe në vitin 2009, megjithatë, prezenca e këtij ndotësi në ajrin e qytetit vazhdon të jetë më e lartë së vlerat e lejuara. Problematike është sidomos zona e 21 Dhjetorit, e cila është rreth 5 herë më e ndotur, mbi normën europiane.

 

Burimi: Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Këto nivele të larta të PM10-s vijnë kryesisht si pasojë e trafikut të rënduar dhe menaxhimit jo efikas të tij, cilësisë së lëndës djegëse, vjetërsisë së makinave, por edhe nga rritja e numrit të automjeteve.

LNP (Lënda e Ngurtë Pezull) është një indiaktor, i cili shpreh prezencën e grimcave të pluhurit në ajër. Burimi kryesor i tij janë ndërtimet e shumta dhe rrugët e pa shtruara. Edhe këtu situata nuk është aspak e mirë. Tirana, deri në vitin 2007 ka qenë shumë më e ndotur se sa pjesa tjetër e qyteteve të Shqipërisë, e krahasueshme vetëm me Elbasanin, deri në 2005-n. Në vitin 2008 kryeqyteti paraqitet me një ulje të nivelit të LNP-së (sikurse edhe të PM10). Megjithatë, Instituti i Shëndetit Publik, në “Raportin e cilësisë së ajrit 2008” vëren se këto ulje apo ngritje të parametrave nuk janë statistikisht të besueshme, gjë që flet për vëmendje të ulët ndaj rrezikut të tyre shëndetësor (faqe 8). Kjo do të thotë se ulja nuk ka ardhur si pasojë e një politike të mirëfilltë për kontroll të parametrave dhe se në të ardhmen nuk pritet domosdoshmërisht një vazhdim i zvogëlimit të tyre.

 

Burimi: Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Edhe nga rezultatet e monitorimit të vitit 2009, vihet re se mesatarja vjetore e LNP-së është rreth 2.5-3 herë më e lartë në zonën e 21 Dhjetorit, por edhe në stacionet e matjeve në Durrës, Fier dhe Shkodër.

Ajo që mund të thuhet si përfundim është se sasia e ndotësve të ngurtë është ndër problemet më kryesore të ajrit në të gjitha qytetet dhe mungesa e planeve afatmesme dhe afatgjatë për përmirësimin e parametrave e bën situatën akoma më alarmante.

Tirana është ndër qytetet më të ndotura të vendit. Në të gjitha zonat e survejuara nga ISHP (Raporti 2008): Politklinika Qëndrore, ISHP, DSHP, Ish-blloku, 21 Dhjetori dhe IHM, sasia e PM10 dhe LNP është nga 2-7 herë mbi normat europiane. Ndërkohë, tejkalim i këtyre indikatorëve ka rezultuar edhe në Vlorë, Korcë, Shkodër, Fier e Durrës.

Duke qenë se mesatarisht Shqipëria ka vlera 2-2.5 herë më të larta se vendet e BE-së, OBSH e ka klasifikuar Shqipërinë në zonën e rrezikut shëndetësor për shkak të ndotjes së ajrit. Në bazë të studimeve, vlerësohet se ky nivel ndotjeje do të uli jetëgjatësinë 1-2 vjet, por do të shpie edhe në 1400 raste të reja të sëmundjeve kancerogjene cdo vit.