Pasojat e CO2-shit
Dioksidi i karbonit është cilësuar si shkaktari kryesor i ngrohjes globale. Ai clirohet nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit, që janë edhe burimet kryesore të sasisë së tij në ajër. Në 50 vitet e fundit, përqëndrimi i tij në ajër ka ardhur në rritje të vazhdueshme në gjithë botën, mesatarisht 3%/vit. Pasi clirohet në atmosferë, ai qëndron aty për 100 deri në 200 vjet. Kjo sjell një rritje të përqëndrimit të CO2-shit, e cila finalizohet me rritjen mesatare të temperaturës së Tokës.
Studimet e fundit kanë treguar se mund të ndodhin ndryshime katastrofike në mjedis nëse temepratura globale rritet me më shumë se 2 gradë celsius. Kjo rritje do të realizohet nëse përqëndrimi i CO2-shit shkon 450 ppm (parts per million). Në fillim të 2007-s, përqëndrimi i CO2-shit ishte 380 ppm dhe rritet mesatarisht 2-3% cdo vit. Kjo do të thotë, se nëse ecet me këto ritme, pika kritike do të arrihet brenda 20-30 viteve.
Për këtë arsye, shtetet e zhvilluara kanë filluar të marrin masa për uljen e sasisë së emëtimit të CO2-shit. Në 2005-n, CO2 per capita e gjithë botës ishte vlerësuar 4 ton në vit, ndërsa angazhimet janë që brenda 2050-s, ky indikator të zbresi në 2 ton në vit.
Burimet e CO2-shit
Burimet kryesore të CO2-shit janë transporti, prodhimi i energjisë elektrike dhe prodhimi industrial. Emëtimet nga trasporti i njerëzve dhe mallrave janë kthyer shumë problematike në trendin botëror, pasi kanë kaluar edhe emëtimet nga prodhimi industrial. Jo pak shqetësuese janë edhe clirimet nga prodhimi i energjisë elektrike.
Shkaku kryesor i emëtimit të CO2-shit në Shqipëri është përdorimi i automjeteve. Megjithatë, jo pak ndikojnë edhe djegia e plehrave pranë qendrave urbane, industritë e cimentos, rafineritë e naftës apo ajo e kromit, etj.
Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe komentet: ODA
Në shqyrtimin e indikatorit CO2 per capita (për frymë) vihet re se në vitet 1970-1990 ka qenë periudha me emëtimet më të larta. Shkaktarët kryesor ishin industritë përpunuese dhe nxjerrëse, përfshi këtu edhe TEC-et. Pas viteve ’90, mbyllja e fabrikave u shoqërua edhe me rënie të këtij indikatori me rreth 70%. Në vitet 1992-1998 prezenca e CO2-shit ishte më e ulta që prej vitit 1960. Pas 1999-s, sasia e CO2-shit nisi të rritet me ritime shumë të shpejta. Kështu, në 2004-n, ajo ishte 67% më e lartë se në 1999-n.
Pavarësisht se Shqipëria është nën targetin e vendosur nga vendet e zhvilluara industriale, 2 ton në vit, ritmet e rritjes së emëtimit të CO2-shit në kushtet kur vendi ynë nuk ka industri të zhvilluar janë shqetësuese. Situata bëhet akoma më problematike po të merret në shqyrtim ulja e sipërfaqes së gjelbër, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e sasisë së dioksidit të karbonit.