Sipas përcaktimit të dhënë nga NATO, shpenzimet për ushtrinë janë të gjitha shpenzimet kapitale dhe korrente të kryera për forcat e armatosura, duke përfshirë edhe forcat paqeruajtëse, Ministrinë e Mbrojtjes dhe agjensi të  tjera shtetërore të angazhuara në projekte për mbrojtjen, forcat paraushtararke (nëse ato trajnohen dhe pajisen me mjete për operacione ushtarake) si dhe aktivitetet ajrore ushtarake. Disa zëra të këtyre shpenzimeve mund të jenë: pagat për personelin ushtarak dhe civil, pensionet për ushtarakët dhe shërbimet sociale për personelin civil, mirëmbajtja, kërkimet ushtarake dhe zhvillimi si dhe ndihma ushtarake.

Nga kjo kategori përjashtohen mbrojtja civile dhe shpenzimet korrente nga aktivitetet e mëparshme ushtarake (si përfitimet për veteranët psh) si dhe shkatërrimi i armëve. Megjithatë, ky përkufizim nuk mund të zbatohet për të gjitha shtetet, pasi varet se cfarë zërash ato përfshijnë në buxhetin që i akordojnë ushtrisë. Disa shtete mundet (ose nuk mundet) të përfshijnë brenda buxhetit mbrojtjen civile, policinë, forcat paraushtarake, grantet për ushtrinë, pensionet për ushtarakët, kontributet sociale, etj. 

Në vendin tonë, buxheti për mbrojtjen administrohet nga Ministria e Mbrojtjes (MM), e cila përbëhet nga administrata e Ministrit dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ministria e Mbrojtjes ka qenë prej kohësh pjesë e një reforme të përgjithshme, e cila kishte si qëllim kryesor anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Që prej vitit 1999, kur Shqipëria mori MPA-në (Membership Action Plan – Plani Operacional për Anëtarësim), buxheti i alokuar për mbrojtjen ka ardhur përgjithësisht në rritje.

 

Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rritjet më të larta kanë qenë në vitet 2006 e 2007, ku buxheti u rrit mesatarisht 22% më shumë se një vit më parë. Edhe viti 2009 (viti i anëtarësimit) shënoi një rritje të lartë, 17,4%, krahasuar me vitin 2008. Duhet theksuar se rritja e buxhetit ishte një domosdoshmëri për përmbushjen e reformave dhe sfidave që Shqipëria kishte marrë përsipër për anëtarësimin në NATO.

Viti 2010, është i vetmi që ka shënuar një rënie të theksuar të buxhetit për MM. Në Buxhetin Fillestar, ai ishte parashikuar 25 miliardë lekë, por pas Buxhetit të Rishikuar, në korrik të vitit 2010, fondet për Ministrinë e Mbrojtjes u shkurtuan me 5.2 miliardë lekë. Kjo solli një rënie me 7% të shpenzimeve për mbrojtjen që në vitin e parë pas anëtarësimit në NATO.

Në vitin 2011, është parashikuar një buxhet prej 21.6 miliardë lekësh, 9% më i lartë se 2010-a dhe plot 2.3 herë më i lartë se në 2003-shin.

Shenim: Të dhënat për vitet 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2011 i përkasin Buxhetit të Konsoliduar Fillestar
Të dhënat për vitet 2008, 2009, 2010, i përkasin Buxhetit të Konsoliduar pas Aktit Normativ