Përtej kritikave lidhur me Sistemin e Renditjes së universiteteve, përfundimet e këtij procesi tërheqin vëmendjen mbi disa cështje shumë interesante. E para, nëse merret në shqyrtim treguesi i stafit pedagogjik, i cilësuar si një ndër më të rëndësishmit, do të vihet re se në tre degët e vlerësuara (ekonomi, drejtësi, infermieri) , 40% e rasteve rezultojnë me staf pedagogjik të nivelit të ulët. Pra, IAL-të pjesëmarrëse në Renditje në më të shumtën e rasteve nuk plotësojnë kriteret për staf pedagogjik të përgatitur ose të paktën në standart të pranueshëm.


Të dhënat: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: ODA

Një thellim i mëtejshëm në IAL-të me numrin më të lartë të rasteve me tregues kualifikimi të pedagogëve në grupin e poshtëm, na lejon të shikojmë se disa prej universitetet publike nuk janë të pozicionuara shumë mirë, duke thyer mitin e cilësisë në universitetet publike.

Universitete si “Ismail Qemali” apo “Aleksandër Moisiu”  në të gjitha degët ku ato kanë marrë pjesë në vlerësim,  janë renditur në grupin e fundit. Më mirë janë klasifikuar universitetet “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe “Eqrem Cabej”, Gjirokastër.


Të dhënat: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ky fakt duhet të ngrë alarmin por edhe të shërbejë për reflektim në Ministrinë e Arsimit lidhur me  të ardhmen e këtyre institucioneve, sidomos për ato universitete që e kanë edhe cilësinë e mësimdhënies në grupin e poshtëm.

Treguesi i dytë që ka shumë rëndësi në përzgjedhjen midis IAL-ve është treguesi i punësueshmërisë, pasi punëzënia është edhe një ndër arsyet kryesore të ndjekjes së arsimit të lartë. Ky tregues ndërthur së pari perceptimin e të diplomuarit se sa kurset dhe programet e zhvilluara do të ndikojnë në punësimin e tij dhe së dyti, perpceptimin e punëdhënësit se sa i përgatitur është një i diplomuar pranë një IAL-je të caktuar, por duke përfshirë këtu edhe aftësitë individuale të tij. Duke shqyrtuar burimet e të dhënave për Sistemin e Renditjes, vihet re se pyetësori i studentëve ka qenë burimi i vetëm për të dhënat e këtij treguesi. Në asnjë rast nuk janë pyetur studentët e diplomuar më parë mbi perceptimin që kishte tregu për ta, koha brenda të cilës ata u punësuan dhe akoma më tej, perceptimi i punëdhënësit është lënë tërësisht jashtë shqyrtimi. Vetvetiu kjo vendos në pikëpyetje rëndësinë e këtij indikatori.

Nga ana tjetër, kjo shpjegon pse në pjesën më të madhe, treguesi i punësueshmërisë i përket grupit të mesëm. Fundja studentët po shkollohen me idenë se shkolllimi ua rrit mundësitë për punësim, ndaj edhe pritshmëria është e lartë.


Të dhënat: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në degën e ekonomikut, vetëm 3 IAL janë pozicionuar në grupin e poshtëm, 2 prej të cilëve janë universitete publik (“Ismail Qemali, Vlore” dhe “Fan.S.Noli, Korce”). Drejtësia dhe Infermieria kanë vetëm nga një IAL në grupin e poshtëm, dhe universiteti “Ismail Qemali, Vlore” shfaqet edhe në këtë rast, në degën e drejtësisë.
Treguesi i punësueshmërisë në përqindje për degët Ekonomik, Drejtësi dhe Infermieri paraqitet:


Të dhënat: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ajo që mund të thuhet në fund të procesit të renditjes është që pavarësisht kritikave për metodologjinë e përdorur, lidhur me mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre, IAL-të të cilat ishin pjesëmarrëse në proces duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të vendosur objektiva të qarta për përmirësimin e treguesve të tyre. Gjithashtu, Ministria e Arsimit duhet të rishqyrtojë me kujdes frytshmërinë e disa programeve të universiteteve publike nëpër rrethe.