Ndjeshmëria e publikut për cmimin që paguan kundrejt cdo shërbimi të ofruar, por sidomos për kategorinë e shërbimeve që cilësohen si shumë të rëndësishme për zhvillimin e një jete normale, është e lartë dhe uji i pijshëm është njëri prej tyre. Përcaktimi i tarifave të tij është kompetencë e Entit Rregullator të Ujit (ERRU). ODA ka kryer një hulumtim mbi cmimin mesatar të zbatuar për familjarët, entet private dhe institucionet shtetërore për vitet 2008-2011. Duhet theksuar se tarifat variojnë nga njëra Njësi Vendore në tjetrën, ndaj për realizimin e analizës është llogaritur një mesatare e tyre.


Burimi: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ajo që vihet re nga grafiku është se tarifat për biznesin janë më të lartat e të tre kategorive, pothuajse 3 herë më të larta se sa për konsumatorët familjar. Kjo është kategoria që ka përjetuar edhe rritjet absolute më të mëdha, 8 lekë/m3 në vitin 2010.

Cmimi mesatar për familjet është rritur në vitin 2010 me 2.9 lekë/m3, ose 9.7% krahasuar me vitin 2009. Edhe në 2011-n, tarifat mesatare kanë ardhur në rritje, me rreth 3%. Aktualisht, Njësitë Vendore me tarifat më të ulta janë: Bulqiza (12.5l/m3); Orikumi (18 l/m3); Vau Dejës, Pukë Fshat dhe Fushë Arrëz (20 l/m3), ndërsa ato me tarifat më të larta: Lushnje (60 l/m3); Pogradec (55 l/m3); Korcë,Shkodër, Divjakë dhe Mallakastër (50 l/m3). Nga cmimi minimum në atë maksimum vihet re një luhatje rreth 4.8 herë, e cila përcaktohet kryesisht nga ndryshimi i kostove për sigurimin e ujit dhe ofrimin e shërbimit.

Nëse do të merrnim në shqyrtim Koston e Prodhimit, Koston e Shitjes dhe Cmimin Mesatar të ujit, vihet re se cmimi është në mënyrë të vazhdueshme nën koston e llogaritur. Diferenca midis tyre ka ardhur në ulje që pas vitit 2008, por megjithatë, në 2010-n, cmimi mesatar është 35% më i vogël se sa kostoja e shitjes.


  
Burimi: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kostoja e prodhimit ka ardhur në rritje nga viti në vit, por edhe kostoja e shitjes ka pasur performancë jo të mirë deri në vitin 2008, kur ajo u rrit 18% krahasuar me një vit më parë.
Ecuria e Kostos së Prodhimi, Shitjes dhe Cmimit mesatar paraqitet dukshëm në grafikun që vijon:



Burimi: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Një nga faktorët kryesor që ka ndikuar ka qenë edhe konsumi i lartë i energjisë elektrike, kosto kjo që përbën rreth 30% të kostos totale të shërbimit me ujë. Humbjet për shkak të vjedhjeve apo amortizimit të rrjetit të ujësjellësit bëjnë që të prodhohet e futet në rrjet më shumë ujë se sa duhet. Kjo shoqërohet jo vetëm me kosto shtesë, por edhe me një përdorim më të lartë se sa është e nevojshme e energjise elektrike. Për këtë arsye, duhen rritur përpjekjet jo vetëm për t’i mbajtur nën kontroll kostot, por edhe për t’i ulur ato nëpërmjet kufizimit të humbjeve.