Norma e arkëtimit është një ndër indikatorët më të rëndësishëm financiar të cdo aktiviteti. Ajo jep informacion mbi përqindjen e vlerës së faturave të arkëtuara brenda një periudhe të caktuar. Objektivi i dëshiruar nga shoqëritë është një normë 100%, e cila flet për përgjegjshmëri të përfituesve të shërbimit dhe minimizim të humbjeve për shkak të borxheve të këqija.

Ecuria ndër vite i këtij indikatori nuk ka qenë shumë i kënaqshëm. Në grafikun e mëposhtëm jepet norma e arkëtimit për konsumatorët familjarë, entet private dhe institucionet publike. Këto të fundit shfaqen edhe me norma 100%, që iu referohen pagesave të prapambetura. Pra, ato kanë paguar jo vetëm faturat e vitit përkatës, por edhe borxhet që kanë pasur ndaj shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve.


Burimi: DPUK
Përpunimi dhe komentet: ODA

Më problematike shfaqen pagesat nga familjet dhe entet private. Përmirësim i vogël është bërë në fushën e arkëtimeve nga kosumatorët familjar në periudhën 2006-2009, madje ka pasur edhe regresione. Viti 2010 shfaqet me një ecuri relativisht më të mirë pasi është rritur gati 20% krahasuar me vitin 2009, por gjithsesi norma 84.3% në vetvete është larg targetit të synuar 98-100%. Edhe entet private nuk kanë pasur një përformancë të mirë. Në 2010-n, norma e arkëtimit ishte 81.6%, më e larta e të gjithë 5-vjecarit, por ka ende shumë punë për t’u bërë për arkëtimin e të gjithë ujit të faturuar.

Sipas Raportit 2010 të ERRU-së, vetëm 13 shoqëri nga 58 kanë norma arkëtimi mbi 90%. Marrja e masave ndëshkuese për mospagimin e faturave, gjobat, përmirësimi i sistemit të pagesave kanë filluar të japin frytet e tyre, por gjithsesi ato ende nuk janë të mjaftueshme. Problemi vështirësohet sidomos me zbatimin individual të masave ndëshkimore (ndërprerja e ujit) për shkak të sasisë që faturohet në bazë të matjeve dhe asaj që faturohet afrofe.


Burimi: ERRU
Përpunimi dhe komentet: ODA

Shifrat tregojnë se në 2010-n, vetëm 45% e konsumatorëve paguajnë realisht atë që konsumojnë. Në të tre vitet e marra në shqyrtim vihet re një përmirësim shumë i vogël i normës së ujit të matur ndaj ujit total të faturuar. Nga 40% që ka qenë në vitin 2008, ai ka arritur vetëm në 45% dy vjet më vonë. Pajisja me matësa dhe evidentimi i saktë i sasisë së ujit që konsumon cdo individ dhe detyrimit që ai duhet të paguajë rrit përgjegjshmërinë në përdorimin e tij, duke ulur shpërdorimet dhe humbjet, rrit vetëdijen e cdokujt mbi shumën e parave që ai duhet të paguaj (psikologjikisht është më e lehtë për një njeri të pranojë të paguaj  një faturë, të cilën ai e di që është matur në mënyrë të saktë e të rregullt) si dhe i jep një vizion më të qartë kompanisë mbi humbjet reale që po i shkaktohen për shkak të faturimit afrofe.

Ecuria e Faturimit të matur në përqindje paraqitet grafikisht:


Burimi: ERRU
Përpunimi dhe komentet: ODA

Ajo që mund të thuhet nga shqyrtimi i të dy indikatorëve është që performanca e sektorit të ujit të pijshëm nuk është aspak ajo e dëshiruara. Shifrat e arkëtimeve flasin për një normë mesatare 84%, por nuk duhet harruar se vetëm rreth 37% e ujit të prodhuar në total faturohet. Pra, praktikisht është duke u arkëtuar vetëm 30% e gjithë ujit që prodhohet në shkallë vendi, cfarë flet për domosdoshmëri të marrjes së masave drastike nëse dëshirohet të përmirësohet realisht performanca e këtij sektori dhe rritja e cmimive nuk është e vetmja rrugë. Duhen bërë përpjekje maksimale për të minimizuar vjedhjet dhe shprërdorimin e ujit, e cila vjen nga përgjithësisht nga personat/bizneset që nuk janë regjistruar si klientë pranë shoqërive që e ofrojnë  këtë shërbim ose paguajnë tarifa afrofe si dhe duhen zvogëluar humbjet për shkak të amortizimit të rrjetit të ujësjellësave.