Shqipëria është një vend me burime të shumta ujore, por pavarësisht këtij fakti, 20% të qytetarëve të saj ende nuk iu ofrohet shërbimi i furnizimit me ujë. Kapaciteti mesatar vjetor i burimeve me ujë të pijshëm është vlerësuar në 654 milionë metra kub, ndërkohë që uji i prodhuar është 292 milionë metra kub. Pra, aktualisht janë duke u shfrytëzuar vetëm 44% të burimeve në dispozicion.

Kërkesa për ujë të pijshëm për popullatën që jeton nën juridiksionin e shoqërive që ofrojnë këtë shërbim dhe që monitorohen nga MPPTT-ja, duke marrë në shqyrtim edhe humbjet është vlerësuar rreth 240 milionë metra kub në vit . Paradoksalisht, në vendin tonë prodhohet më shumë ujë se sasia e vlerësuar që kërkohet, që do të thotë se pjesa tjetër shpërdorohet. Ndërkohë, uji i faturuar është në normën 36.8% e ujit të prodhuar ose 44.7% e ujit që kërkohet nga banorët.

  
Burimi: DPUK
Komentet dhe përpunimi: ODA

Këto shifra janë vërtet alarmante sepse vetëm rreth 37% e ujit të prodhuar arrihet të faturohet, ndërkohë që nuk duhet harruar se jo i gjithë uji i faturuar arkëtohet. Gjithsesi, edhe me supozimin se gjithë faturat e ujit paguhen, ky indikator tregon se 37% e ujit që paguhet nga qytetarët e përgjegjshëm, vlen për pjesën tjetër të personave që e përfitojnë këtë shërbim, por nuk paguajnë. Kjo shpjegon edhe arsyen pse në mënyrë konstante, ky sektor del me humbje dhe subvencionohet nga shteti, edhe kur ka të gjitha kushtet që të jetë fitimprurës.

Duhet theksuar se brenda normës 67% të ujit të pafaturuar, përfshihet edhe ajo që quhet “humbje reale” dhe që vjen si pasojë e mënyrës së konfigurimit të sistemit. Kjo humbje quhet normale, kur është në vlerat 20-25% të sasisë së prodhuar, por aktualisht, vetëm 2 kompani e kanë këtë tregues brenda këtij limiti. Humbjet e tjera vijën përgjithësisht nga lidhjet e parregullta apo amortizimi i lartë i rrjetit të ujësjellësit.

Grafikisht, faturimi i ujit per 2010-n paraqitet:

Burimi: DPUK
Komentet dhe përpunimi: ODA

Nëqoftë se do të analizohej trendi i sasisë së prodhuar, shitur dhe pa të ardhuara për 5 vitet e fundit, grafiku do të ishte si më poshtë.

Burimi: DPUK
Komentet dhe përpunimi: ODA

Sic mund të shikohet, sasia e ujit të prodhuar ka ardhur në ulje nga viti në vit dhe në 2010-n ajo ishte 15.6% më e ulët sa sa në vitin 2006. Kjo ecuri mund të përcaktohet si pozitive për vendin tonë, pasi sasia e prodhuar është më e madhe se sa kërkesa e vlerësuar, fakt ky që nënkupton së është ulur sasia e shpërdoruar e ujit.

Ndërkohë, ecuria e ujit të shitur përcakton si vit më problematik 2008-n, në të cilin afro 72% e sasisë së prodhuar nuk është faturuar. Kjo ecuri negative ka nisur që në vitin 2006, kur norma e ujit pa të ardhura ishte 63.6%. Pas vitit 2008 vihet re një përmirësim i sasisë së faturuar të ujit kundrejt sasisë së prodhuar dhe vetëm në vitin 2010 sektori i ujësjellësit ia ka dalë të kthehet në shifrat e vitit 2006. Pra, në këto 5 vjet, ky sektor ka bërë hapa para po aq sa dhe hapa mbrapa, duke e lënë përformancën në të njëjtin nivel.

Kontribuoi: Blerta Zilja