Rritja e hendekut mes të ardhurave dhe shpenzimeve të sistemit të sigurimeve shoqërore ka ardhur duke u thelluar gjatë gjithë këtyre viteve me ritme që mund të bëhen të rrezikshme në një të ardhme të afërt. Kjo pasi të ardhurat nga kontributet vazhdojnë të jenë të ulëta krahasuar me shpenzimet që shteti u paguan të siguruarve, ndërkohë që rritja e hendekut financohet vit pas viti nga buxheti i shtetit. 
Në një studim të publikuar dje, “Open Data Albania”, projekti shkencor për transparencën ndaj zyrave publike dhe qeverisë vërente se: “Me këtë ecuri, nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuuesve dhe uljen e evazionit, Shqipëria në të ardhmen do të harxhojë për sigurime shoqërore pothuajse sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku”. 
Në këtë rezultat “ODA” arrin pas një studimi të tërë historikut të sigurimeve shoqërore në vendin tonë që prej rënies së regjimit komunist. Vihet re nga grafiku i ODA një rritje e vazhdueshme e të ardhurave nga kontributet, sidomos në vitet 1993-1996, mesatarisht me 45% në vit. Ecuria jo e kënaqshme në fillimin e viteve 2000 bëri që të rishikohej norma e kontributeve, e cila që prej vitit 1993 ishte në nivelin 42.5%. E cilësuar si shumë e lartë, ajo solli një deformim të tregut, evazion përherë e më të lartë dhe fshehje të pagës reale. 
Në vitin 2002, norma u ul në 38.5%. Efekti negativ i rënies së përqindjes u neutralizua nga rritja e numrit të personave që u përfshinë në skemë. Kështu në vitin 2003, të ardhurat u rritën me 11% krahasuar me vitin 2002, ndërsa në vitin 2004, efektet negative u fashitën totalisht, pasi të ardhurat u rritën me 16%. Megjithatë, ende norma e kontributeve vazhdoi të konsiderohej si shumë e lartë krahasuar me vendet e tjera të Europës. Për këtë arsye, në vitin 2006 ajo u ul në 29.5%. Ulja e normës u shoqërua me një rritje akoma më të madhe të personave të përfshirë në skemë. 
Ndër vite bie në sy që ritmet e rritjes së shpenzimeve kanë qenë ndjeshmërisht më të larta se sa ritmi i rritjes së të ardhurave. Që do të thotë, norma gjithnjë e më të larta subvencionimi nga buxheti i shtetit. Që nga viti 2000 deri në vitin aktual kuota e subvencionit është rritur në masën 236%, duke qenë se në vitin 2000 u nxorën nga arka e shtetit për këtë qëllim vetëm 10.4 miliard lekë, ndërkohë që për këtë vit kuota është 35 miliard lekë. 
Për më shumë, politika e rritjes së pensioneve ka qenë një faturë e përballuar totalisht nga Buxheti pasi të ardhurat e siguruara nga kontributet nuk kanë mundur të sigurojnë një financim të saj. Vlerat më të mëdha të subvencioneve vërehen gjatë periudhave 2006-2007 (kemi rritje prej 29%, nga 18 miliard në 23 miliard lekë), 2008-2009 (27%, nga 23 miliard, në 29 miliard) dhe 2009-2010 (15.9%, nga 29 miliard, në 34 miliard).