Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në Shqipëri sipas qarqeve gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e INSTAT-it. Leja e ndërtimit është një autorizim për të filluar punë mbi një projekt ndërtimi, duke qenë faza përfundimtare për planifikimin dhe autorizimin e ndërtimit, para fillimit të punës. Në vendin tonë, gjatë vitit 2010 janë dhënë 1.845 leje ndërtimi, ose 21% më shumë se në vitin paraardhës. Qyteti me numrin më të madh të lejeve të dhëna gjatë këtij viti është Durrësi, ku janë dhënë 312 leje ndërtimi.

Numri i lejeve të ndërtimit më i ulët në rang vendi është akorduar në vitin 2007, kur janë dhënë vetëm 995 leje ndërtimi (57% më pak se në vitin 2006). Gjatë kësaj periudhe, qarku në të cilin janë dhënë më shumë leje ndërtimi është Gjirokastra (1.626), e ndjekur nga Tirana (1.328) dhe Fieri (1.300). Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë tremujorit të katërt të 2010-ës ishte 1.011, nga të cilat, 738 leje u miratuan për ndërtesa banimi dhe 273 për ndërtesa të tjera, si hotele, ndërtesa tregtare etj.

Krahasuar me tremujorin e katërt 2009, ky tregues është rritur me 98.2%. Sikurse shihet, në ato bashki ku këshillat shumëpartiakë kanë gjetur gjuhën e përbashkët, si në Durrës, dhënia e lejeve ka vazhduar, madje me rritje, gjë që nuk ka ndodhur, p.sh, në kryeqytet, ku konflikti politik ka penguar punën normale të KRRT-së përkatëse.

 Gjatë vitit 2007 ka pasur një rënie të theksuar, në masën afro 60 për qind. Ashtu sikurse viti në vazhdim, edhe në këtë vit janë zhvilluar zgjedhjet për pushtetin vendor dhe, sipas traditës, në këtë periudhë bllokohet dhënia e lejeve të ndërtimit, në pritje të krijimit të këshillave të rinj bashkiak. Megjithatë, në total vihet re qartë “tkurrja” e punës në sektorin e ndërtimit. Në 2005-ën janë dhënë 2.337 leje në rang republike, që kalojnë në 1.845 vitin e kaluar.