Zbutet interesi i Euorbondit shqiptar në tregjet ndërkombëtare gjatë janarit të këtij viti, në krahasim me muajin dhjetor, ku interesi arriti majat me mbi 12 për qind. Përllogaritjet për ecurinë e interesit të Eurobonidt të parë në tregjet ndërkombëtare  e ka bërë Open Data Albania.
 
“Duke analizuar grafikun e ecurisë së yield-it që prej Nëntorit 2010, vërejmë që norma e interesit ose yield-i ka pësuar një ngritje të menjëhershme në 9.03 % krahasuar me 7.625% që kishte në momentin e emetimit, dhe kjo tregon që disa prej blerësve fillestare e kanë shitur menjëherë, duke shkaktuar uljen e çmimit dhe ngritjen e interesit” sqaron Open Data.

Prej dhjetorit 2010 deri në maj 2011 yield-i ka qenë relativisht i pandryshueshëm, ose me një tendencë të lehtë zbritëse, që nënkupton kërkesë-ofertë të balancuar nga ana e investitorëve.  Pas qershorit 2011 yield-i ka ardhur vetëm duke u rritur, dhe ka prekur dhe nivelin më të lartë prej 12.07% në dhjetor të vitit 2011.

Kjo shënon dhe performancën më negative që prej emetimit te tij, dhe ka si shkak kryesor përkeqësimin e tregjeve financiare europiane si pasojë e krizës së borxhit sovran që ka prekur shtetet anëtare të Bashkimit Europian, dhe kryesisht Greqinë dhe Italinë. Kjo krizë ka shkaktuar panik te investitorët, të cilët janë tërhequr nga blerjet e Eurobond-eve të vendeve europiane dhe në ato raste kur kanë blerë kanë kërkuar norma më të larta të yield-it si pasojë e perceptimit të rrezikut më të lartë të investimit.

Në këtë mënyrë edhe për Eurobond-in shqiptar ata kanë kërkuar yield më të lartë dhe kjo e shpjegon performancën e dobët të tij. Duke qenë se yield-i lëviz në kahun e kundërt të çmimit, për mbajtësit e Eurobond-it është me interes që interesi të ulet ose të paktën të mbetet afër atij fillestar, në mënyrë që çmimi të ngrihet gjë që do të rezultojë në fitim në rastin e shitjes.

Shqipëria emetoi Eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare në 4 nëntor 2010, pas një përgatitjeje disamujore. Eurobond-i është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit, i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë.