Ndërsa borxhi publik për frymë shënoi një kërcim domethënës pas regjistrimit të fundit të popullsisë, si rrjedhojë e rivlerësimit, rezulton se edhe kostoja e borxhit sipas të njëjtit tregues ka shënruar një rritje thuajse konstante gjatë viteve të fundit duke arritur një maksimum historik për vitin 2012.
Që borxhi publik paraqet një rrezik në rritje për ekonominë shqiptare, ky është një realitet i theksuar nga një sërë institucionesh ndërkombëtare. Por, të paktën deri dje, shqetësimi ishte përqendruar te vëllimi i borxhit publik kundrejt Produktit të Brndshëm Bruto (PBB). Me fjalë të tjera, është vlerësuar gjithmonë se sa para u ka borxh xhepi publik të tretëve, dhe sa i takon mesatarisht çdo shqiptari të paguajë. Por, ekzistojnë edhe elementë të tjerë me shumë interes, siç është kosto e borxhit. Kjo nënkupton lindjen e detyrimit për pagimin e interesave, i cili shpesh njihet edhe si kosto e borxhit. Kjo e fundit paraqqet interes të veçantë, kur vlerësohet për frymë. Pra, sa para paguan çdo qytetar shqiptar për të shlyer interesat e borxhit të marrë nga qeveria.
Sipas një studimi të Open Data Albania (ODA), nëse do të mbahet parasysh se jo të gjithë pjestarët e familjes janë drejtpërsëdrejti taksapagues dhe kontribues në të ardhurat e buxhetit, shuma mesatare që paguan në vitin 2012 çdo taksapagues për përballimin e kostos së borxhit është më e lartë se sa 17.516 lekë, kundrejt vitit 2011 kur kjo vlerë llogaritej në 16.540 lekë.
Kjo do të thotë se ndonëse i ndarë sipas popullsisë, fatura e interesave mund të mos ngjajë ndonjë hata e madhe, për qeverinë, fatura mund të rezultojë e pakëndshme. Sidomos, nëse merret parasysh fakti se niveli i këtij viti në Shqipëri është më i larti historik që nga fillimi i kohëve.
Sipas ODA -s, realiteti i kostos së borxhit publik në Shqipëri ka regjistruar një sërë luhatjesh përgjatë dekadës së fundit. Meqënëse në vitet 1998-2010 ritmet e ndryshimit të popullsisë ishin relativisht të ulta, shkaktari kryesor i luhatjes së kostos së borxhit për frymë kanë qenë shpenzimet e interesave. Në vitet 1998-2001, ka një rënie të vazhdueshme të kostos së borxhit për frymë, nga 11.724 lekë në 1998-n, në 7.710 lekë në 2001-shin apo 34% më pak. 
Vitet 2002-2007, karakterizohen nga një kosto borxhi për frymë që luhatet pak a shumë në të njëjtat vlera, duke përjashtuar vitin 2003, në të cilin kostoja e borxhit për frymë u rrit rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Në vitet 2008-2012, vihet re një rritje e vazhdueshme e kostos së borxhit për frymë, shkaktuar kjo nga rritja e stokut të borxhit, sidomos në vitet 2008 dhe 2009. Kështu, në vitin 2008, një familjeje mesatare prej 4 personash i takonte një kosto borxhi prej 39.504 lekësh në vit, në vitin 2010 kjo shifër shkon në 52.088 lekë, ndërsa në 2012-n ajo arrin në nivelin 70.064 lekë. Kjo do të thotë, se edhe e llogaritur sipas një norme mesatare për familje, kosto e borxhit ka ardhur në rritje.
 
Borxhi për frymë, tregues i “qëndrueshëm”
Ndërsa kostoja e borxhit ka shënuar luhatje gjatë dekadës së fundit, prirja e borxhit për frymë ka qenë shumë më e qëndrueshme. Qëndrueshmëria edhe pse në vetvete përmban një dozë fortë optimizmi, në rastin konkret nuk flet për mirë. Kjo, sepse bëhet fjalë për rritje të qëndrueshme dhe të pandërprerë të borxhit publik për çdo shqiptar (i vlerësuar mesatarisht). Kjo do të thotë se nëse ky tregues do të kishte dëshmuar për një mungesë qëndrueshmërie në rënie, lajmi do të kishte qenë thelbësisht i mirë. Reduktimi i borxhit publik ka qenë një shqetësim i pandalshëm i institucioneve ndërkombëtare, jo vetëm të kritikëve tradicionalë si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, por edhe të atyre institucioneve më pak të zëshme në planin ekonomik sic është Komisioni Europian.
Të dhënat e ODA -s tregojnë se shuma e borxhit për frymë ka ardhur në rritje të vazhdueshme, nga viti në vit. Në një kohë kur ritmet e rritjes së popullsisë në vitet 2000-2010 kanë qenë relativisht të ulta, faktori kryesor që ka shkaktuar rritjen e borxhit për frymë, ka qenë rritja e stokut të borxhit. Vitet 2002, 2008 dhe 2009 shënojnë tre nga vitet me rritjen më të lartë të borxhit për frymë, përkatësisht 14.44%, 14.63% dhe 13.71%.
Kështu, ndërsa në vitin 2000 shuma e borxhit për frymë ishte 104.498 lekë, në vitin 2005 ajo ishte rreth 43% më e lartë dhe në vitin 2010 arriti nivelin 223.939 lekë apo 114% më shumë se sa në vitin 2000. Nëse do të supozohej një familje mesatare prej 4 personash, në vitin 2010 borxhi publik që do i takonte kësaj familje do të ishte 895.755 lekë.
 
Sa i madh është borxhi publik?
Nëse qëllimi është të kuptohet se sa e shëndetshme është ekonomia e një vendi dhe se ç’rrezik përbën niveli i borxhit për ekonominë e tij, kjo është një mënyrë e gabuar për ta shtruar pyetjen. Pyetja e duhur do të ishte: Në ç’nivel paraqitet borxhi publik në krahasim me PBB-në? 
 
Kjo, sepse PBB-ja reflekton aftësinë paguese të një vendi ndaj borxheve të mbledhura. Kjo është arsyeja pse është përcaktuar që borxhi publik në rastin e një vendi t kalibrit të Shqipërisë nuk duhet ta kalojë 60% të PBB-së. Vende të tjera mund t’u lejojnë vetes rehat edhe nivele mbi 100%, por ky nuk është rasti i këtij vendi.
Aktualisht, borxhi publik i vendit luhatet në kufijtë e 60% të PBB-së. Sesa është ekzaktësisht, diçka e tillë varet shumë nga sa përcaktohet PBB-ja e vendit. Para se të analizohet kjo pikë, vlen të theksohet se borxhi publik ka shënuar një rritje mbresëlënëse (disa përdorin termin “rritje të frikshme”) gjatë pesë viteve të fundit. 
Që nga viti 2006, kur borxhi publik i vendit përbënte 52% të PBB-së, aktualisht ai ka kërcyer në nivelin 60%. Për më tepër, sipas vlerësimit që Standard & Poor’s i bëri borxhit publik të vendit, jo vetëm që niveli prej 60% i borxhit të Shqipërisë është shqetësues (që zyrtarisht cilësohet si niveli më i lartë optimal për vendet në zhvillim siç është rasti i vendeve të BE-së), por në rastin shqiptar, ndryshe nga BE, ku të ardhurat e qeverisë përbëjnë rreth 50% të PBB-së, në Shqipëri, ky zë përbën vetëm 25% të PBB-së.
Ekziston një problem i natyrës filozofike me diskutimet për borxhin publik. Dilema qëndron në faktin se vërtet me rregull borxhi nuk lejohet ta kalojë masën 60% të PBB-së, por nga ana tjetër, sesa është vetë PBB-ja, këtë të fundit e përcakton vetë qeveria. Një skeptik me të drejtë mund të thotë se ekziston një farë “konflikti interesi” në këtë drejtim, duke qenë se qeveria merr borxhe dhe po ajo ka në dorë instrumentin për të treguar se sa e sigurt është marrja e borxheve. Dyshimi është legjitim, por e vërteta është se kjo formulë nuk është unike për Shqipërinë. Pak a shumë kështu funksionon kudo. Si rregull, qeveritë konsiderohen administruese të përgjegjshme të vullnetit publik. 
Por, vetë niveli për 60% nuk konsiderohet ekzaktësisht i “sigurt” nga të gjithë. Sipas ish-ministrit të Financave Arben Malaj, Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon me 60% të PBB-së (përjashto Greqinë), ndërsa mesatarja e rajonit është 38,6%. Ndërkaq, nga vlerësime të tjera llogaritet se në 2011-ën, qeveria ka shpenzuar për interesat e borxhit mbi 13.5% të totalit të të ardhurave buxhetore. Një nivel kaq të lartë sot në Europë e ka shfaqur vetëm Greqia, e cila në fillim të 2011 këtë tregues e kishte 14%.