Plazhet më të frekuentuara shqiptare si Durrësi, Vlora, apo Saranda rrezikojnë të braktisen jo vetëm nga turistët e huaj por dhe ata vendas. Prej kohësh institucionet shëndetësore kanë dhënë sinjale alarmi për ndotjen e plazheve, por pavarësisht kësaj masat janë inegzistente. Nga ambiente çlodhëse dhe vendpushimi për shumë turistë, ato janë kthyer në kosh plehrash dhe burime infeksioni, si pasojë e ndotjes masive. Derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza në det është burimi më i madh i ndotjes si dhe vatër e sëmundjeve infektive. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.    
Ndotja
Edhe pse Shqipëria konsiderohet një vend i bekuar sa i përket natyrës dhe sidomos plazheve, përsëri ka mangësi në mbajtjen pastër të bregdetit. Zhvillimet e vrullshme urbane kanë ndikuar jo pak mbi pastërtinë e tij. Deti Adratik dhe Jon janë bërë pritësit e shkarkimeve urbane, industriale, bujqësore e blegtorale. Në ta derdhen jashtë Çdo kontrolli pesticidet dhe kimikatet e papërpunuara të tokave bujqësore, mbetjet organike, të cilat përmbajnë fosfor e azot, viruse e baktere patogjene, metale të rënda, etj. Rritja e banorëve në disa qendra urbane e ka bërë të pamundur procesin e vetpastrimit të detit, për shkak të sasisë së madhe të shkarkimeve urbane. Përveç këtyre faktorëve, të cilët duhet të ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e qeverive lokale, listës së gjatë i shtohen edhe plehrat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, përfshi këtu edhe një ndër armiqtë kryesorë të gjallesave detare, qeset palstike. 
Por ndotjet e drejpërdrejta nga shkarkimet në det apo plehrat nuk janë të vetmet. Ndotja e lumenjve, sidomos nëpër zonat rurale, ku luginat e tyre jo rrallë janë vend-depozitimet e mbetjeve janë një tjetër burim papastërtie. Edhe ndotja e ujërave nëntokësore jep ndikimin e saj në këtë vorbull të madhe. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se plazhet shqiptare janë në rrezik të madh. Nëse disa prej tyre ende janë nën kufijtë e ndotjes, kjo nuk vjen për shkak të menaxhimit të kujdesshëm të tyre, por thjesht për inerci dhe frekuentim jo masiv.

Plazhi i Durrësit
Sipas të dhënave nga Ministria e Mjedisit dhe ISHP, Open Data Albania, ka bërë një hulumtim të situatës në të cilën ndodhen sot plazhet më të frekuentuara shqiptare. Të gjitha plazhet e monitoruara nga ISHP kanë një prezencë të FC–50 (ndotja e ujërave të  zeza) mbi normën e lejuar prej 100. Shumë të ndotur paraqiten sidomos plazhet pranë Torres, Plepat dhe ish/kampi i pionerëve, rreth 10 herë mbi normën e lejuar. Në raportin e MMPAU 2009, theksohet se nga 21, plazhet e vrojtuara në Durrës, 90% klasifikohen si cilësi e dobët dhe 10% cilësi e mjaftueshme. Këto përfundime e rendisin Durrësin si vendin me plazhet më të ndotura në vend. Ndërkohë, të gjitha plazhet që i përkasin kategorisë ‘Cilësi e Dobët’ kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, deri në mbyllje të tyre, pasi përbëjnë rrezik për shëndetin publik. 
Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit.  Në të shumtën e rasteve situata është zgjidhur me gropa septike. Mirëpo ndërtimi i tyre në zona ranore dhe jo sipas parametrave bën që këto ujëra të derdhen krejt të papërpunuara në det. Plazhi i Kavajës ka rezultuar në 10% të stacioneve të monitoruara me ‘Cilësi të Shkëlqyer’, 50% me ‘Cilësi të Mirë’, ndërsa në 40% të tij me ‘Cilësi të Dobët’, me domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme. Plazhet më të ndotura janë ai i Golemit dhe zona e Vaporit të Mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara.
Plazhi i Vlorës
Edhe plazhi i qytetit të Vlorës është shumë i ndotur. Sidomos zona e Shkollës së Marinës është jashtë çdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh. Në këtë zonë prej jo më shumë se 800 metrash, mund të numërohen me sy të lirë të paktën 6 kanale të ujërave të zeza, që derdhen drejtpërsëdrejti në det. Ai është 15 herë më i ndotur se norma e lejuara, e megjithatë është mjaft i frekuentuar në stinën e verës. 
Situata nuk është më pak problematike në Plazhin e Ri, që është shpallur edhe zona e plazhit publik nga Bashkia e Vlorës. Ai administrohet drejtpërsëdrejti nga kjo Bashki, e cila ka siguruar çadra falas, roje bregdetare apo lehtësira të tjera. Por ndërkohë në të derdhen 4 kanale të ujërave të zeza, të cilat janë lehtësisht të dallueshme, pasi e përshkojnë mes për mes plazhin. Ndërkohë, e ndotur përtej parametrave paraqitet edhe zona e Plazhit të Vjetër.
Ndërtimet
Jo rastësisht Durrësi, Golemi dhe zona e qytetit të Vlorës janë më të ndoturit. Ndërtimet e shumta, pa kriter, pa plan urbanistik, pa shtrim rrjetesh kanalizimesh kanë qenë kanceri i këtyre plazheve. Ajo çfarë është më shqetësuese është mungesa e planeve konkrete për përmirësim të situatës. Ndotja e lartë e plazheve më popullor në vend ka bërë që shqiptarët të eksplorojnë plazhe të reja. Kërkesa në rritje për destinacione si Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Jala, etj, si dhe shtrimi i rrugëve ka ngjallur interesin e ndërtuesve edhe për këto zona. 
Që tani janë shfaqur hotelet e para nëpër plazhe. Mirëpo, nëse këto ndërtime nuk do jenë të kontrolluara dhe fillimisht të ngrihet sistemi i kanalizimeve, atëherë masakra urbane do të vazhdoj pafundësisht dhe 316 kilometra det i kthjellët e i pastër nuk do të ngelen gjë tjetër veçse një kujtim i bukur për t’u treguar nëpër fotografi.