SKANDALI

Kontratat marramendëse të qeverisë, për imazhin me lobistët amerikanë

“Open Data” publikon hulumtimin, skandalet e kontratave u publikuan kohë më parë nga “Shqip”

Hulumtimi i kryer nga “Open Data Albania” mbi lobimet e qeverisë dhe partive politike me firmat përtej Atlantikut, në SHBA, rikonfirmon faktet e hedhura më parë nga gazeta “Shqip”. Studimi i “Open Data Albania” bazohet në të dhënat e ofruara nga investigimi i dy organizmave të rëndësishëm të shoqërisë civile që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “ProPublica” dhe “Sunlight Foundation”.

Sipas këtij investigimi rezulton se në vitet 2009 – 2010, edhe partitë kryesore shqiptare kanë kontraktuar dhe paguar për lobim amerikan. Emrat e disa kongresmenëve dhe senatorëve rezultojnë në investigimin mbi lobuesit e kontraktuar dhe paguar nga Shqipëria. Nga tri partitë politike më të mëdha në vend që kanë shpenzuar për lobim rezulton se LSI ka paguar 154,298 dollarë, PD 120,000 dollarë, PS 82.250 dollarë, ndërsa qeveria 825,000 dollarë. Ndërsa në këto lobime përfshihen dhe Partia për Drejtësi dhe Unitet.

“BKSH & Associates” është firma amerikane që ka lobuar për Partinë Demokratike, për përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës. Këtu kanë ndikuar lobimet në lidhje me vizitat zyrtare të Kryeministrit Sali Berisha dhe të Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Takimet lidhen me kongresmenin Eliot Engel, si dhe me përfaqësues të tjerë të Senatit amerikan apo të Departamentit të Shtetit. Ndërsa për PS-në, lobimi ka ardhur nëpërmjet firmës “Rasky Baerlein Strategic Communications”. Ndërsa PDI, tashmë e kthyer në PDIU, ka nënshkruar një kontratë me “Polaris Government Affairs, LLC”. Partia që ka shpenzuar më shumë para për të lobuar është LSI, me vlerën 154,298 $.

Kjo shumë është paguar gjatë periudhës kohore 13 prill 2009 – 3 prill 2010. Gjatë kohës kur LSI ishte në opozitë ka përdorur kompaninë lobuese “Dutko WorldWide” LLC, kryesisht për këshillim për çështje të fushatës zgjedhore. Gjatë periudhës 14 janar 2009 – 12 qershor 2009, PD ka shpenzuar për të lobuar në 20 raste, nga të cilat në 10 raste paratë janë shpenzuar për vizitat e nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli. Ndërsa në 5 raste, kompania lobuese e PD-së, “BKSH Associates” ka ndërmjetësuar për takimet e Kryeministrit Berisha.

Kontratat e papublikuara

Në investigimet e kryera nga gazeta “Shqip” rezulton se janë një sërë kontratash të tjera që qeveria “Berisha” ka kryer ndër vite, fillimisht me synimin për lobimin për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë. Porse më pas, lobimi me firma të tilla si “Podesta Group” dhe “Patton Boggs” realizohej më tepër për të rregulluar reputacionin dhe imazhin e Kryeministrit Berisha. Kontratat marramendëse flasin për mungesë të theksuar transparence nga qeveria. Edhe “Open Data” ka bërë të qartë se “të dhënat tregojnë se qeveria shqiptare, nëpërmjet firmës lobuese ‘Patton Boggs’ gjatë periudhës 16 gusht 2010 – 20 dhjetor 2010 ka shpenzuar 825,000 USD”. “Patton Boggs” ka marrë premtimin nga qeveria shqiptare të përfitojë 2% të fondit që do të dalë nga privatizimi i “Albpetrolit”. Ndërsa ndihma kryesore e “Patton Boggs” për qeverinë shqiptare është dhe ajo për Fondin e Sfidës së Mijëvjeçarit, e cila ka mbetur pezull prej kohësh.

1.1 milionë USD – Shuma që qeveria shqiptare ka paguar për imazhin e saj për tre vite për firmat lobuese është 1.1 milionë dollarë amerikanë

Tom Ridge – Kontrata më e bujshme me firmën “Ridge Global”, LLC, është në vitin 2007. Tom Ridge përfitoi nga “Berisha” shumën 479.973 USD

“Patton Boggs” – Me këtë firmë amerikane, qeveria shqiptare ka rritur ndjeshëm kontratat, të cilat janë tepër sekrete dhe që nuk bëhen publike

“Podesta” – “Podesta Group” është firma tjetër amerikane që qeveria ka nënshkruar një sërë kontratash, për qëllime lobimi dhe imazhi

356.548 USD – Gjatë vitit 2009-2010, tri parti politike PS, PD dhe LSI kanë shpenzuar gjithsej 356.548 USD. Më shumë ka shpenzuar LSI