Shpenzimet për paga përbëjnë rreth 14%-15% të shpenzimeve totale të Buxhetit të Konsoliduar, duke qenë zëri i tretë më i financuar, pas “Shpenzimeve për fonde speciale të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore” dhe “Shpenzimeve kapitale”. Fondi i parashikuar nën këtë zë i referohet pagave që paguhen nga Institucionet Qendroren (IQ). ODA ka kryer një hulumtim mbi shpërndarjen e këtij fondi nëpër IQ për periudhën 2006-2012
Tiranë, NOA.al/ Aranita Brahaj – Institucioni që ka marrë gjatë gjithë periudhës pjesën më të madhe të fondit për paga ka qenë Ministria e Arsimit. Pesha që kanë zënë pagat e arsimit kundrejt fondit total ka ardhur në rritje, nga 33.7% në 2006-n, në 36.8% në 2007-n dhe 39.8% në 2011-n. Rritjen më të madhe të fondit për paga MASH e ka patur në vitet 2007 dhe 2008, përkatësisht me 21.8% dhe 23.7%. Në vend të dytë renditen pagat për Ministrinë e Brendshme. Me luhatje të vazhdueshme, fondet e pagave për këtë ministri kanë përjetuar rritjet më të larta në vitet 2008 dhe 2010.
Vendi i tretë është shkëmbyer midis Ministrisë së Shëndetësisë, për vitet 2006-2008 dhe Ministrisë së Mbrojtjes për vitet 2009-2012. Ndryshimin në renditjen e pagave të shëndetësisë si institucion me fond pagash të ulëta pas vitit 2008 e solli mënyra e financimit të këtij sektori, duke i dhënë përherë e më shumë kompetenca ISKSH-së në sigurimin e shërbimit shëndetësor. 
Pra, fondi për paga nuk është ulur, por ai brenda MSH-së shfaqet në formën e transfertës për ISKSH-në. Ministria e Drejtësisë, e pozicionuar në vendin e katërt, duket se ka qenë një ndër IQ me rritjen më të madhe të fondit për paga në vitet 2006-2010. Kështu, në 2007-n, rritja ishte 49.8%, në 2008-n 14.6% dhe 21.3% në 2010-n.
Më tej, IQ me fondet më të larta të pagave pozicionohen: Ministria e Financave, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Cështjeve Sociale, Ministria e Transportit, Prokuroria e Përgjithshme, SHISH, etj.
Duhet theksuar se një ndër elementët që ka sjellë ndryshim në fondin e pagave për IQ ndër vite ka qenë edhe strukturimi i vazhdueshëm i disa prej tyre, marrja apo delegimi i kompetencave nga një IQ në një tjetër apo nga IQ në Pushtetin Vendor.