TIRANE – Qeveria ka korrigjuar në ulje shifrën zyrtare të rritjes ekonomike për vitin 2013, nga 4 për qind, që është parashikuar në buxhetin e miratuar një muaj më parë, në 3.1 për qind. Ky ndryshim është përfshirë në statistikat afatmesme fiskale dhe ekonomike, që sapo janë miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.

Një vit më parë, shifra e rritjes ekonomike ishte parashikuar sërish në 4.3 për qind, por përfundoi në vetëm 1.5 për qind, ndërsa borxhi nga 58 shkoi në 61.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në këtë mënyrë, buxheti i shtetit, që është miratuar si ligj nga parlamenti, është rrëzuar zyrtarisht. Brenda një kohe rekord qeveria ka ndryshuar treguesit më të rëndësishëm të draftit duke devijuar nga varianti që mbrojti në Kuvend vetëm një muaj më parë, në dhjetor të vitit të kaluar.

BORXHI

Ndërkohë, ndryshimet ka edhe për shifrën e borxhit. Në ligjin për buxhetin e shtetit, kufiri i borxhit për vitin 2013 është vendosur 62.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por në programin afatmesëm ekonomik dhe fiskal, të publikuar vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave thotë se borxhi publik në fund të vitit do të shkojë 63.8 për qind e Prodhimit Kombëtar.

KOSTOJA

Open Data Albania ka kryer një studim së fundmi lidhur me atë, se sa u kushton shqiptarëve borxhi që po merr qeveria e tyre. Sipas këtij studimi, në vitin 2010, kostoja e borxhit për frymë të popullsisë shënoi 13.022 lekë, ndërsa një vit më vonë, ajo arriti në nivelin 14.572 lekë, 11.9% më shumë.
Ndërkohë, sipas një parashikimi të Ministrisë së Financave për pagesën e interesave të borxhit deri në fund të vitit 2012 (45.8 miliardë lekë), kostoja e borxhit për frymë rezulton këtë vit 16.149 lekë, apo rreth 10.8% më e lartë se një vit më parë.

Vetë borxhi për frymë të popullsisë ka arritur aktualisht në 3.1 milionë lekë të vjetra lekë apo rreth 9.8% më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh prej afro 13 milionë lekësh.