Kriza në sektorin e ndërtimit, por edhe informaliteti në këtë linjë kanë marrë përmasa katastrofike kur për nëntë muaj në të gjithë vendin janë dhënë vetëm 74 leje ndërtimi. Shifra është zbardhur nga Instituti i Statistikës dhe i përket periudhës janar-shtator të vitit që shkoi.

Zakonisht në këtë periudhë është piku i ndërtimeve, pasi përkon me sezonin veror, por numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa gjatë tremujorit të tretë 2012 është vetëm 37, nga të cilat 27 leje janë miratuar për ndërtesa banimi dhe 10 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare etj. INSTAT bën të ditur se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është ulur 87 për qind.

Mirëpo shifra zyrtare e lejeve të ndërtimit në këtë periudhë në fakt nuk përkon shumë me realitetin, pasi çdokush prej nesh është dëshmitar që ndërtime të reja ngrihen çdo ditë, qoftë këto për qëllime biznesi apo për qëllime familjare.

Mirëpo duke e marrë shifrën të mirëqenë, rënia e numrit të lejeve në këtë pikë është një tregues i qartë i krizës që ka mbërthyer tashmë sektorin. Në tremujorin e parë janë dhënë vetëm 17 leje ndërtimi dhe në tremujorin e dytë janë miratuar vetëm 18 leje të tilla. Në të gjithë periudhën 9-mujore janë miratuar gjithsej 74 leje ndërtimi.

Në fakt, krahasuar me vitet tjera, numri i lejeve të ndërtimit ka pësuar një rënie pikate, pasi në vitet e fundit numërohen mijëra leje të dhëna në të gjithë vendin gjatë një viti kalendarik, pa llogaritur ndërtimet informale, të cilat sipas një studimi të Bankës Botërore janë 80 mijë të tilla, pasi ligji i legalizimeve ka hyrë në fuqi.

Sipas një hulumtimi të Open Data Albania për numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në Shqipëri vetëm gjatë 2010-s janë dhënë 1 845 leje ndërtimi. Qyteti me numrin më të madh të lejeve të dhëna gjatë këtij viti është Durrësi, ku janë dhënë 312 leje ndërtimi. Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë tremujorit të katërt 2010 ishte 1 011; nga të cilat 738 leje u miratuan për ndërtesa banimi, dhe 273 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare etj. Në Tiranë, lejet e ndërtimit ishin praktikisht të bllokuara, deri në miratimin e planit urbanistik. Gjatë 9 muajve të vitit 2012 në Tiranë janë dhënë vetëm gjashtë leje ndërtimi.

Miratimi i planit urbanistik në fund të muajit dhjetor mund të zhbllokojë dhënien e lejeve të reja në tregun më të madh të vendit. Por numri i pakët i lejeve dëshmon mbi të gjitha krizën e thellë që po kalon sektori i ndërtimit. Sipas institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë 2012 sektori ra 18.4% me bazë vjetore, ndërsa në tremujorin e tretë xhiroja e sektorit ra me 15.8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në fund të vitit të kaluar, Shoqata e Ndërtuesve vlerësonte se në të gjithë vendin janë rreth 12 mijë apartamente të pa shitura. Përkeqësimi i ekonomisë dhe shtrëngimi i kredisë bankare e ka tkurrur ndjeshëm kërkesën për blerje të pasurive të paluajtshme.

Stoku i lartë i ndërtimeve të pa shitura dhe kriza ekonomike nuk japin shumë nxitje për investime të reja në këtë sektor. Gjatë nëntëmujorit 2012 u dhanë vetëm 74 lejë ndërtimi në të gjithë vendin, nga 285 të tilla që u dhanë vitin që shkoi. Në Tiranë u dhanë vetëm 6 leje, por ndërtimet e reja gjatë këtij viti kanë qenë shumë herë më shumë se kaq