Skandali

Borxhi u rrit 4 muaj para miratimit të ligjit
Dokumenti i Financave nxjerr zbuluar Boden. Borxhi për çdo shqiptar, 2300 euro

Më 26 nëntor 2012, Ministria e Financave prezantoi në Parlament projektligjin për ndryshimin e tavanit të borxhit publik, konkretisht nenin 58, sipas të cilit, kufiri i lejuar ishte deri në 60 për qind. Në mesin e muajit dhjetor, projekti kalon në Kuvend dhe më pas hyn në fuqi, duke lejuar sipas programit rritje të borxhit në 62.6 për qind për vitin 2013.

“Kjo politikë fiskale ekspansioniste është materializuar në projektligjin e buxhetit të vitit 2013, nëpërmjet një deficiti fiskal, ose huamarrje neto prej 3.4 për qind e PBB, i cili mundëson një nivel investimesh publike prej 5 për qind të PBB. Materializimi i kësaj politike fiskale në draftbuxhetin e vitit 2013 çon në një borxh publik në masën prej 62.6 për qind të PBB duke sjellë si domosdoshmëri amendimin e ligjit për sistemin buxhetor”, tha Nezir Haldedaj, zv.ministër i Financave.

Rritja e kufirit ishte veprim i detyruar i ministrit të Financave, në kushtet kur garancitë ndaj KESH po shtoheshin dhe kufiri ligjor po kapërcehej. Në fakt, dokumentet zyrtare, të miratuara po nga Ministria e Financave tregojnë se ministri Ridvan Bode e kishte kapërcyer tavanin ligjor shumë më herët nga dita kur ligji u ndryshua. Kështu, deri në shtator 2012, kur ishte ende në fuqi ligji i vjetër me kufi 60 për qind, borxhi publik kishte arritur në 60.46 për qind, duke pësuar rritje në muajt tetor dhe nëntor, deri në 61 për qind.

I gjendur para faktit të kryer, qeveria sjell ndryshimet e kufirit për të mbuluar skandalin me shkeljen e ligjit nga vetë ministri i Financave, që duhet të jetë i pari respektues i buxhetit. Pra, në dhjetor miratohet heqja e kufirit, në një kohë kur në shtator, siç dëshmon dokumenti i Programit Ekonomik 2013-2015, limit sakaq ishte shkelur me mbi 1 pikë përqindje.

Ky është një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe askush nuk u denoncua, ndërsa gazeta “Shqip” mëson se projektligji për heqjen e kufirit dhe vendosjen e një tavani të ri për 2013-n nuk u firmos nga asnjë zyrtar kompetent i ministrisë, duke mos dashur të mbajnë përgjegjësi ligjore mbi vete. Dokumenti shkoi për miratim në qeveri vetëm me firmën e ministrit Bode!

Sipas bilancit të qeverisë, buxheti e mbylli vitin 2012 me një borxh prej 61.48 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), kur të paktën deri në ditët e para të muajit dhjetor, ishte ende në fuqi ligji me kufirin deri në 60 për qind. Ministria e Financave thotë se në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, të detyruar nga kushtet e krizës energjetike, qeveria dha hua përmes garancisë për Korporatën Elektroenergjetike (KESH) rreth 7 miliardë lekë. Kjo solli kapërcimin e borxhit, por ndikuar edhe nga elemente të tjera si rënia e të ardhurave dhe në fund tkurrja e ekonomisë.

Seriozitetit i Ministrisë së Financave u vu në diskutim sërish një muaj pasi ligji i ri me tavanin e borxhit 62.6 për qind hyri në fuqi. Në janar, Financat hartojnë një dokument, mbi të cilin planifikohej një borxh me tjetër rritje, gati 64 për qind të PBB-së. Ky nivel ishte parashikuar më herët me shqetësim nga Fondi  Monetar, zyra e Tiranës, duke i kërkuar qeverisë të ketë kujdes. Opozita shprehu merakun se me heqjen e kufirit ligjor, qeveria do të kryejë manovra të rrezikshme, në dëm të financave të shtetit shqiptar, për qëllime elektorale.

Borxhi publik arriti në vitin 2012 shifrën e rreth 833 miliardë lekëve, kurse për këtë vit parashikohet të rritet me gati 9 për qind, për të arritur në nivelin e rreth 898 miliardë lekëve ose 6.5 miliardë euro. Mesatarisht, çdo shqiptari i takon të paguajë nga 2300 euro për shlyerjen e të gjithë borxhit, kurse një familjeje afro 6500 euro.

Ministria e Financave e argumenton nivelin aktual të borxhit si të sigurt, pasi 3.6 për qind e tij përbëhet nga garancitë shtetërore, pra janë hua që nuk i përkasin drejtpërsëdrejti arkës së shtetit për ndërmarrjeve publike si KESH, aeroporti “Nënë Tereza”, Porti i Durrësit etj.

Borxhi përbëhet nga borxhi i brendshëm, i cili vlerësohet të jetë 34.94% e PBB-së dhe nga borxhi i jashtëm 26.54 për qind e PBB-së.

“Në kushtet e situatës së trazuar në Eurozonë, si pasojë e krizës së borxheve sovrane dhe perspektivës së zhvillimeve makroekonomike vendase për periudhën afatmesme, menaxhimi i borxhit publik, si dhe mbajtja e tij në limite do të jetë një sfidë madhore për vitin 2013”, deklaron Ministria e Financave.

Tendenca

Open Data analizon ecurinë e interesit të eurobondit, emetuar në 2010 me 7.5%

Borxhi i Shqipërisë në tregjet e huaja zbret në 5.4 nga 12%

Republika e Shqipërisë emetoi Eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare në 4 nëntor 2010. Eurobond-i është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë. Në momentin e emetimit, yield-i (norma e interesit) ishte 7.625 për qind.

Ky instrument financiar është i ngjashëm për sa i përket strukturës, me obligacionet që qeveria shqiptare nxjerr në tregun vendas përmes ankandeve të letrave me vlerë, por dallimi kryesor qëndron sepse: (I) tregtohet ekskluzivisht në tregjet ndërkombëtare financiare dhe jo në tregun vendas (II) është emetuar në euro dhe jo në lekë.

Duke qenë se yield-i lëviz në kahun e kundërt të çmimit, për mbajtësit e Eurobond-it është me interes që interesi të ulet ose të paktën të mbetet afër atij fillestar, në mënyrë që çmimi të ngrihet, gjë që do të rezultojë në fitim në rastin e shitjes.

Edhe për emetuesin e Eurobondit, është më mirë që interesi të jetë më i ulët, pasi kjo ul koston potenciale të rifinancimit, nëse emetuesi dëshiron të futet në treg për të riemetuar borxh.

Duke analizuar grafikun e ecurisë së yield-it që prej nëntorit 2010, vihet re se yield-i është rritur në mënyrë të ndjeshme në periudhën shtator-dhjetor 2011, gjatë pikut të krizës qeveritare në Eurozonë dhe uljes së kërkesës për borxhin e qeverive më pak të sigurta dhe me renditje të ulët. Norma e interesit gjatë kësaj periudhe arriti maksimumin prej 11.975 për qind. Në këtë moment, nëse qeveria shqiptare do të dëshironte të rifinanconte borxh në euro në tregjet ndërkombëtare, kuponi do ishte rreth 12 për qind.

Pas dhjetorit 2011, yield-i ka rënë duke arritur normën më të ulët (5.37%) gjatë shkurtit të vitit 2013. Ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi. Kjo ka përmirësuar performancën e Eurobondit shqiptar dhe aktualisht, qeveria shqiptare do kishte një kosto më të ulët riemetimi borxhi, krahasuar me emetimin fillestar.

Shkaqet

“Ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi”, analizojnë ekspertët e Open Data.