Open Data Albania ka hulumtuar mbi inflacionin e vitit 2012 (më saktë për periudhën shkurt 2012- shkurt 2013) dhe vlerat e inflacionin sipas muajve kanë rezultuar si në grafikun më poshtë:



Burimi: INSTAT, Banka e Shqiperise
Komente dhe Analiza: ODA

Në terma sasiorë, me stabilitet çmimesh Banka e Shqipërisë nënkupton mbajtjen e inflacionit të çmimeve të konsumit në nivelin 3.0%, me një mundësi luhatjeje prej ± 1 pikë përqindjeje. Përcaktimi i mësipërm sasior i stabilitetit të çmimeve reflekton nivelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, si një ekonomi e vogël, e hapur dhe në zhvillim. Si e tillë, ajo karakterizohet nga luhatje të mëdha të çmimeve relative, drejt gjetjes së ekuilibrave të qëndrueshëm strukturorë të ekonomisë së tregut.

 Kjo gjë shihet qartë dhe në grafik ku kemi një ulje të inflacionit në periudhën mars deri në qershor 2012 ku dhe arrin vlera negative për të pësuar sërish rritje të ndjeshme konstante në periudhën qershor – gusht 2012. Nga gushti deri në nëntor luhatjet janë shumë të vogla gati të papërfillshme për t’u ringritur sërish ndjeshëm deri në nëntor dhe në vlera më të ulëta në periudhën dhjetor-mars 2013.

Inflacioni është shpesh subjekt i veprimit të faktorëve të përkohshëm, të cilët ndikojnë direkt kërkesën, prodhimin, kostot e ndërmjetme, çmimet finale apo pritjet e agjentëve ekonomikë. Të tilla goditje mund të marrin formën e efekteve negative të fatkeqësive natyrore; luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare; luhatjeve të çmimeve të rregulluara apo të administruara; ndryshimeve në masën e strukturën e taksave, tatimeve dhe akcizave; luhatjeve të theksuara të besimit të agjentëve ekonomikë dhe të primeve të rrezikut.

Këta faktorë bëjnë që inflacioni i çmimeve të konsumit të mos jetë gjithnjë rrjedhojë e kushteve monetare dhe të mos reflektojë qëndrimin e politikës monetare. Ata godasin apo mund të godasin njëkohësisht dhe në kahe të kundërta prodhimin dhe çmimet në ekonomi.

Grafiku i radhës tregon inflacionin vjetor për periudhën në fjalë sipas grupeve kryesore te të mirave dhe shërbimeve:


Burimi: INSTAT, Banka e Shqiperise
Komente dhe Analiza: ODA

Nga grafiku arrijmë në konkluzionin që nivelin më të lartë të inflacionit e ka pasur grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike përkatësisht me 4.92% dhe nivelin më të ulët ai i veshjeve dhe këpucëve me -3.23%.

Kontribuoi: Griselda Rruci