Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi popullsinë sipas grupmoshave. Të dhënat janë nga Instituti i Statistikave, përkatësisht censusi i kryer në prill 2001 dhe censusi i kryer në tetor 2011.

 

Të dhënat për popullsinë sipas grupmoshave mblidhen nga dy burime: regjistri civil dhe censusi. Regjistri civil shënon lindjet dhe vdekjet dhe rrjedhimisht krijon të dhënat për popullsinë sipas grupmoshave. Por regjistri civil nuk shënon aktualisht shqiptarët që janë larguar në emigrim. Censusi numëron popullsinë një më një dhe rrjedhimisht krijon një të dhënë më të saktë se sa regjistri civil në rastin e Shqipërisë. Në disa vende regjistri civil shënon të dhëna për migrimin dhe emigrimin, por ky nuk është rasti i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për Republikën e Shqipërisë.

Statistikat e disponueshme. INSTAT ka publikuar të dhënat për popullsinë sipas grupmoshave për vitet 2001 dhe 2011. Këto statistika sipas grupmoshave raportohen me intervale pesëvjeçare, si p.sh  0 deri në 4 vjeç, 5 deri në 9 vjeç, 10 deri në 14 vjeç e me rradhë. Statistikat raportohen për totalin e popullsisë, për popullsinë sipas gjinisë dhe për popullsinë sipas vendbanimit në kategoritë urbane dhe rurale.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Për efekt të thjeshtëzimit të analizës, Open Data i ka grumbulluar të dhënat për grupmoshat 0 deri në 14 vjeç, 15 deri në 64 vjeç dhe 65 vjeç e lartë. Grupi i parë 0 deri 14 dhe i tretë mbi 65 vjeç, përbëjnë pjesën joaktive të shoqërisë në tregun e punës. Grupi i mesëm, me moshën 14 deri 64 vjeç tregon popullatën në moshë pune sipas definicionit të gjithëpranuar nga Organizata Botërore e Punës ILO. Mosha minimale e punës në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës është 14 vjeç, ndërsa mosha e daljes në pension, është 65 vjeç.

Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Popullsia në Shqipëri qe 3.07 milionë banorë në vitin 2001 dhe ra në 2.8 milionë banorë në vitin 2011, pra me një rënie prej 8.8 për qind. Por rënia qe shumë më e fortë për popullatën nën 15 vjeç, ndërsa numri i të moshuarve mbi 65 vjeç pësoi një rritje të konsiderueshme.

 

Kështu, popullsia 0 deri 14 vjeç në vitin 2001 qe 890 mijë vetë dhe ra në 578 mijë vetë më vitin2011, pra me rënie prej afro 29 për qind. Popullata e femrave nën 14 vjeç ka pësuar një rënie më të madhe se sa popullata e meshkujve, duke reflektuar numrin më të lartë të foshnjave të gjinisë mashkull të lindur gjatë kësaj periudhe.

Popullsia 15-64 vjeç qe 1.94 milionë vetë në vitin 2001 dhe ra në 1.9 milionë vetë më 2011, pra me një rënie prej 1.8 për qind. Raporti meshkuj-femra për këtë pjesë të popullsisë është afërsisht i barabartë, 961 mijë meshkuj dhe 978 mijë femra. Për popullatën në moshë riprodhuese, e cila përfshin si përkufizim popullatën 15-45 vjeç, raporti meshkuj/femra është afërsisht i barabartë, ndërsa i ndarë në pesëvjeçarë, ka një diferencë të konsiderueshme për moshat 30-44 vjeç, gjë që sugjerohet se ka ndodhur si pasojë e shkallës më të lartë të emigrimit të meshkujve.

Popullsia mbi 65 vjeç u rrit nga 231 mijë vetë në vitin 2001 në 317 mijë në vitin 2011, me rritje prej 37 për qind. Për moshën mbi 65 vjeç, raporti meshkuj femra është 91 meshkuj për 109 femra për të gjithë Shqipërinë.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Në vitin 2011, 20.7 për qind e shqiptarëve qenë më pak se 14 vjeç, 68 për qind qenë mes 15 dhe 64 vjeç dhe 11.3 për qind qenë mbi 65 vjeç.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Në vitin 2001, popullsia nën 14 vjeç, zinte 29.3 për qind të totalit, ajo 15-64 vjeç qe 63.2 për qind e totalit dhe popullsia mbi 65 vjeç qe 7.5 për qind e totalit.

Kontribuoi: Gjergj Erebara