Tavani i borxhit publik është hequr. Nga 62.6 që u parashikua vetëm një muaj më parë, ai pritet të mbërrijë 64 për qind. Por kjo për qeverinë e tij nuk është problematike. Kostot i paguajnë shqiptarët

Për kryeministrin demokrat, Sali Berisha nuk është problematik kapërcimi i nivelit të borxhit në kufirin e 62.6 për qindëshit. Të pakëtn kështu është deklaruar ai dje në një konferencë për shtyp që kishte me shefin e BERZH, Suma Shakrabarti. Sipas tij edhe pse niveli i borxhit publik në vend po kapërcen nivelin 62.6% të parashikuar në momentin e heqjes së limitit ligjor prej 60 për qind, qeveria do t’i përmbahet këtij niveli, pa kaluar në atë që mund të cilësohet si “limit rreziku”.

“Aktualisht borxhi nuk përbën rrezik për stabilitetin makroekonomik të vendit, pasi ekziston fuqia paguese dhe mënyra sesi ai është strukturuar, garanton “qetësinë” e nevojshme për qeverinë shqiptare”, kjo ishte deklarata e shefit të qeverisë, por pa dhënë ndonjë shifër konkrete lidhur me limitin maksimal të huamarrjes që qeveria ka parashikuar për këtë vit, edhe pse pak ditë më parë ai përmendi shifrën 67 për qind, si nivel të shëndetshëm të borxhit. “Qeveria do t`i qëndrojë nivelit të përcaktuar të borxhit.  Nuk besoj se niveli 60 përqind është vija e kuqe.

Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben një sistemi për zhvillim dhe për ndërtim por ai kthehet në një lak në fyt që në momentin që shfaqen problemet në shërbimin e tij dhe unë theksoj se nuk ka vështirësi në shërbimin ndaj borxhit. Unë mendoj se borxhi i Shqipërisë është belinj së pari sepse është i përkushtuar investimeve në infrastrukturë dhe 2/3 e tij  është në monedhën lokale, në lek dhe 1/3 e tij është në euro dhe dollarë.

Realisht ky është një borxh që kontrollohet pa ndonjë vështirësi të madhe” theksoi kryeministri. Ndërkohë, presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Shakrabarti tha se niveli i borxhit publik në Shqipëri, përcaktohet nga vetë qeveria. Megjithatë, sipas tij, qeveria shqiptare ka përballuar krizën ekonomike që ka përfshirë Eurozonën, duke i paraprirë me masat përkatëse.

Por sa realisht e kanë borxhin në kurriz shqiptarët?

Si një ndër indikatorët më të rëndësishëm, i cili ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese së një shteti për të shlyer borxhin e tij, “shuma e borxhit për frymë” paraqet një interes të vecantë për t’u marrë në shqyrtim. Ai llogaritet si raport i borxhit total publik të emetuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë.

Për këtë arsye, Open Data Albania, ka marrë në analizë ecurinë e këtij idikatori për vitet 2010-2013 . Sipas raportit të saj referuar gjithnjë të dhënave zyrtare të INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë “borxhi për frymë” ka përjetuar një rritje me ritme jo të ngadalta.

Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.27 për qind. Duhet theksuar se kjo rritje e madhe ka ardhur kryesisht nga ulja e numrit të popullsisë së raportuar nga INSTAT me rezultatet e Censusit për vitin 2011, nga e cila rezultonte një popullsi 11.27 për qind më e vogël se sa në vitin 2010. Megjithatë, edhe rritja e stokut të borxhit me 57.2 miliardë lekë apo 8 për qind më shumë, dha ndikimin e tij në arritjen nivelit të borxhit për frymë nga 223 949 lekë në vitin 2010, në 273 831 lekë në vitin 2011.

Ky ka qenë viti i vetëm, në të cilin rritja e “borxhit për frymë” shpjegohet kryesisht nga variabli popullsi, pasi për vitet në vijim, stoku i borxhit është faktori mbizotërues. Në vitin 2012, borxhi për frymë mendohet të jetë rreth 287 648 lekë, referuar kjo parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave që në 1 Gusht, 2012 , për nivelin e pritshëm të stokut të borxhit deri në fund të vitit.

Në fakt, ka pak gjasa që borxhi për frymë të qëndrojë në këtë nivel, pasi që në 30 Shtator, 2012, Ministria e Financave raporton një stok borxhi 9-mujor prej 814 miliardë lekësh , që është afërsisht 99.79 për qind e stokut të borxhit që duhej të rezultonte deri në fund të vitit. Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë.

Nëse do të supozonim një rritje mesatare të popullsisë nga viti në vit me rreth 0.5 për qind, atëherë, borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 9.8 për qind më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh prej 1 257 084 lekë. Por ndërkohë, nuk duhet harruar se jo e gjithë popullsia kontribuon me taksa dhe tatime në buxhetin e shtet.

Kjo do të thotë se “borxhi për taksapagues” apo persona që realisht do e shlyejnë atë është akomë më i lartë. Dhe nëse flasim këtu për të mos u frikësuar për masën e borxhit, shqiptarët do ta paguajnë rëndë, borxhin e rritur nga qeveria shqiptare që nuk po mundet të bëjë asgjë për të korrigjuar disi ekonominë e vendit të saj.