Gjatë vitit 2012 pjesa më e madhe e kredive të tërhequra nga shqiptarët janë përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme. Një raport i fundit që flet për qëllimin e marrjes së kredive gjatë vitit 2012, nxjerr në pah se shumica e kredive të kërkuara gjatë vitit që lamë pas kanë shkuar për blerjen e shtëpive; makinave; si dhe për pushime apo për arsim. Ndërsa shumë pak kredi janë kërkuar për ushtrim aktiviteti (hapjen e bizneseve të reja), ndryshe nga 2011-ta ku kjo lloj kredie qëndronte më lart.
Kredia për Individët
Studimi i kryer nga Open Data Albania është bazuar në të dhëna të Bankës së Shqipërisë mbi kredidhënien e bankave ndaj individëve në Shqipëri gjatë vitit 2012. Lloji i kredisë sipas qëllimit është ndarë në kategoritë: pasuri të paluajtshme, mallra të qëndrueshme, mallra jo të qëndrueshme, ushtrim aktiviteti dhe overdraft. Kështu nga të dhënat e vitit 2012 (deri në fund të muajit dhjetor), rezulton se pjesa më e madhe e kredisë ndaj individëve është dhënë për blerjen e pasurive të paluajtshme (100.4 miliardë lek), e ndjekur nga blerja e mallrave jo të qëndrueshme (17.3 miliardë lek), kredia për ushtrimin e aktivitetit (6.8 miliardë lek), blerja e mallrave të qëndrueshme (8.7 miliardë lek) dhe overdrafti (8.6 miliardë lek).
Kredia për biznes
Krahasuar me vitin 2011, vihet re një ulje e kredisë për ushtrim aktiviteti, dhe rritje e peshës së kredisë për overdraft dhe blerje mallrash të qëndrueshme. Gjithashtu një tjetër e dhënë e rëndësishme është se rreth 54% e totalit të kredisë të dhënë ndaj individëve është në Euro, dhe 45% në Lek (pjesa tjetër është në Usd dhe monedha të tjera). Kjo tregon për një shkuarjen e ekonomisë drejt euros, dhe rritjen e varësisë ndaj monedhës së përbashkët evropiane.
Kreditë e këqija
Lidhur me kthimin e kredive, situata e vitit 2012 vjen paksa problematike, pasi numri i kredive të këqija ka qenë tepër i lartë në nivelin mbi 22%, i pranuar edhe nga vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, pak ditë më parë ndërsa bëri prezantimin e raportit vjetor të BSH-së për vitin 2012. Ndërkohë që u rritën fondet rezervë nga sistemi bankar në nivelin 31 %, për përballimin e humbjeve të mundshme nga rreziku i kredisë.
Parashikimet për 2013-ën
Ndërsa sa i përket tremujorit të parë të vitit 2013 në një analizë të fundit të saj BSH thekson se bankat kanë lehtësuar dhënien e kredive për individët, por jo për bizneset. “Banka e Shqipërisë vëren se individët e kanë pasur më të lehtë për të marrë një kredi për shtëpi dhe më të vështirë për të tërhequr një kredi konsumatore. Sa i përket bizneseve duket se huat me probleme në sistemin bankar apo situata makroekonomike në vend të jenë dy arsyet kryesore se pse bankat e kanë shtrënguar dhënien kredive të reja,” thuhet në raportin e BSH-së për 3-mujorin e parë të 2013-ës. Megjithatë Banka e Shqipërisë parashikon që për tremujorin e dytë të vitit 2013, standardet e kredisë për bizneset do të lehtësohen disi.
100.4 
miliardë lekë janë tërhequr nga bankat gjatë 2012-ës, në formë kredie nga shqiptarët, dhe janë përdorur për të blerë shtëpi ose truall.
17.3 
miliardë lek kredi të tërhequra gjatë vitit 2012, janë përdorur për të kaluar pushimet e verës dhe për të paguar shkollën
8.7
miliardë lek kredi janë përdorur nga shqiptarët për të blerë makina apo mobilie të ndryshme
6.8 
miliardë lek kredi janë tërhequr nga shqiptarët gjatë vitit 2012 për të hapur një biznes. Kjo lloj kredie ka pësuar rënie krahasuar me vitin 2011
8.6 
miliardë lek janë tërhequr gjatë vitit 2012 nga konsumatorët shqiptarë në formë overdrafti