Open Data Albania ka kryer një analizë mbi popullsinë banuese sipas qarqeve në Shqipëri për periudhën 2001-2013. Shpërndarja gjeografike e popullsisë përbën një informacion të rëndësishëm në vendimmarrje, veçanërisht kur bëhet fjalë për përcaktimin e investimeve publike, grandeve për pushtetin vendor, numrin e shkollave, mësuesve e mjekëve apo kapacitetin e spitaleve, ujësjellësave e shërbime të tjera publike.

Të dhënat i përkasin periudhës 2001-2013, ku të dhënat për vitin 2001 dhe ato të vitit 2011 janë të mbledhura nga censuset e popullsisë dhe banesave ndërsa të dhënat për vitet e tjera janë vlerësime të kryera nga INSTAT bazuar tek tendenca e vërejtur nga censuset.

Definicionet

Popullsia rezidente përbëhet nga numri i përgjithshëm i banorëve të përhershëm në një qytet apo fshat dhe me “të përhershëm” nënkuptohen njerëzit që kanë banuar në zonën në fjalë prej së paku një vit. INSTAT e përkufizon popullatën vendbanuese të zakonshme si: të gjithë personat të cilët janë rezidentë të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre ose përkohësisht në mungesë ose jo me kushtin që kjo mungesë të mos jetë më shumë se 12 muaj.

Qarku në Republikën e Shqipërisë është njësi administrative territoriale në përputhje me Ligjin nr. 8652, datë 31. 07. 2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Ligji në pikat 4 dhe 5 thotë: Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore; Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial, të përbërë nga disa komuna dhe bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët; Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e komunave dhe të bashkive që e përbëjnë atë. Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj. Shqipëria ka 12 qarqe. Territori i tyre përcaktohet me ligj.

Qyteti:
Qytetet, sipas përkufizimit të të njëjtit ligj janë qendra banimi që kanë një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Shpallja e qytetit bëhet me ligj. Në konvencionet ndërkombëtare, qendrat urbane karakterizohen nga densitet i lartë popullate, ndërsa popullata urbane klasifikohet si e tillë kur në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk merret me bujqësi.

Popullsia urbane: Popullsia urbane konsiderohet ajo pjesë e popullsisë që jeton në qytete të definuar si të tilla me ligj.

Popullsia rurale: Përbëhet nga popullata që në shumicë dërrmuese ka si aktivitet primar punët në bujqësi, pyje apo peshkim. Në Shqipëri, një qendër e banuar klasifikohet si fshat kur ka më shumë se 200 banorë.

Norma e urbanizimit përbën numrin e popullsisë urbane në raport me popullsinë totale të Shqipërisë apo qarkut.

Defekte në përkufizimet bazë:
Shqipëria ka njohur ndryshime demografike të vrullshme gjatë dy dekadave të fundit, gjë që ka sjellë edhe nevojën për rishikimin e titujve ligjorë të fshatrave apo qyteteve në shumë raste. Për shkak të deindustrializimit, disa qytete që vijojnë ligjërisht të konsiderohen të tilla, kanë humbur në mënyrë thelbësore aktivitetin ekonomik jobujqësor, ndërsa disa fshatra, për shkak të shtimit të shpejtë të popullsisë përmes migrimit të brendshëm, kanë pësuar rritje të densitetit të popullsisë dhe humbjen e aktivitetit bujqësor. Një debat mbi nevojën e rishikimit të ligjit për ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë ka filluar të aktivizohet, por këto ndryshime nuk duken se janë prioritare në axhendën politike në vendit.

Popullsia sipas qarqeve, analizë e përgjithshme

Gjatë periudhës 2001-2013, në Shqipëri, popullsia banuese është reduktuar në 10 qarqe dhe ka shënuar rritje vetëm në dy qarqe. Rënia e popullsisë përgjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin ka qenë 8.2 për qind, por në Gjirokastër popullsia ka rënë me 35.7 për qind ndërsa në Tiranë është rritur me 26.1 për qind.

Në vitin 2013, qarku me popullsinë më të vogël qe Gjirokastra me afërsisht 68 mijë banorë ndërsa qarku me popullsinë më të madhe qe Tirana me 766 mijë banorë. Në vitin 2001, Qarku me popullsi më të vogël qe Kukësi me 111 mijë banorë ndërsa qarku më i madh qe Tirana me 597 mijë banorë.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Norma e urbanizimit në të gjithë territorin e vendit qe 42 % për vitin 2001 dhe 55 për qind për vitin 2013. Tirana kishte normën më të lartë të urbanizimit si qark më 2001 me 64 % ndërsa Dibra kishte normën më të ulët të urbanizimit me 20 %. Në vitin 2013, Durrësi rezultoi qarku me normën më të lartë të urbanizimit prej 78%, ndërsa Dibra kishte normën më të ulët me 26 %.

Norma e Urbanizimit me 2001 me 2013.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Popullata urbane në vitin 2001 qe afërsisht 1.3 milionë dhe u rrit në 1.52 milionë në vitin 2013. Popullata rurale në Shqipëri qe 1.77 milionë në vitin 2001 dhe u ul në 1.26 milionë në vitin 2013.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Popullata sipas qarqeve
Berati

Popullsia në qarkun e Beratit qe 138 mijë vetë në vitin 2013 nga 192 mijë vetë që qe në vitin 2001. Rënia e popullsisë në këtë qark ka qenë 26 për qind përgjatë kësaj periudhe ndërsa mesatarja vjetore e rënies ka qenë 2.8 për qind. Popullata urbane në qarkun e Beratit qe 60 mijë vetë në vitin 2011 me rënie 20 për qind në krahasim me vitin 2001.

Popullata rurale qe 78 mijë vetë me rënie 30 për qind në krahasim me vitin 2001. Norma e urbanizimit në Berat është rritur nga 40 në 43 për qind, por kjo rritje ka ardhur si pasojë e rënies së popullsisë rurale. Sipërfaqja e qarkut Berat është 1798 kilometra katrore dhe dendësia e popullsisë është 77 banorë për kilometër katror.



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Dibra

Dibra është një qark tjetër që ka shënuar rënie drastike të popullsisë. Në vitin 2013 këtu banonin 133 mijë vetë, nga 189 mijë vetë që banonin në vitin 2001, me rënie të përgjithshme prej 27 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 3 për qind. Popullata urbane në Dibër qe 34 mijë vetë më 2013 nga 38 mijë vetë më 2001, me rënie të përgjithshme prej 8.6 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 0.9 për qind.

Mbyllja e qendrave minerare vlerësohet si shkaku kryesor i rënies së popullsisë urbane në këtë qark. Popullata rurale në Dibër qe 99 mijë vetë më 2013 me rënie 32 për qind nga afro 152 mijë vetë që qe në vitin 2001. Norma e urbanizimit në Dibër është rritur nga 20 në 26 për qind, e shkaktuar nga reduktimi më i shpejtë i popullsisë rurale në krahasim me reduktimin e popullsisë urbane. Sipërfaqja e qarkut Dibër është 2586 kilometra katrore dhe dendësia e popullsisë është 51 banorë për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Durrësi

Durrësi është një nga dy qarqet e vetme në Shqipëri që kanë shënuar rritje të popullsisë dhe rritje të normës së urbanizimit. Në vitin 2013, në Durrës banonin 267 mijë vetë me rritje 7.8 për qind në krahasim me vitin 2001 kur popullata banuese qe 245 mijë vetë. Popullata urbane në Durrës qe 207 mijë vetë në vitin 2013 me rritje 51 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 133 mijë vetë.

Popullata rurale në qarkun e Durrësit qe 60 mijë vetë më 2013 me rënie 32 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 112 mijë vetë. Norma e urbanizimit në Durrës është rritur nga 54 në 78 për qind. Durrësi rezulton qarku më i urbanizuar në Shqipëri. Sipërfaqja e qarkut është 766 kilometra katrore, (qarku më i vogël në Shqipëri) dhe densiteti i popullsisë është 348 banorë për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Elbasani

Elbasani është një qark tjetër që ka shënuar rënie të konsiderueshme të popullsisë banuese. Në vitin 2013, popullsia e këtij qarku qe 293 mijë banorë me rënie 18 për qind nga 362 mijë banorë në vitin 2001. Rënia mesatare vjetore ka qenë 1.8 për qind. Popullata urbane më 2013 qe 112 mijë banorë me rënie 9.2 për qind nga 124 mijë banorë që qe më 2001. Norma e urbanizimit në Elbasan është rritur nga 34 në 38 për qind. Elbasani ka 3199 kilometra katrore dhe 92 banorë për kilometër katror.



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Fieri

Popullsia e qarkut Fier më 2013 qe 305 mijë banorë, me rënie 18.4 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 382 mijë banorë. Popullata urbane në Fier qe 122 mijë banorë me një rënie të lehtë prej 0.9 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 123.6 mijë banorë.

Popullata rurale në Fier qe 183 mijë me rënie 27 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 259 mijë banorë. Norma e urbanizimit në Fier është rritur nga 32 në 40 për qind. Fieri ka një sipërfaqe prej 1890 kilometrash katrore me densitet 161 banorë për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Gjirokastra

Gjirokastra është qarku me rënien më të madhe të popullsisë në Shqipëri, rënie që është shkaktuar si nga migrimi dhe emigrimi, ashtu edhe nga norma më e ulët e fertilitetit që ky qark ka patur gjatë dekadave të fundit në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

Popullata e Gjirokastrës qe 68 mijë banorë më 2013 me rënie 36 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 113 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 4.2 për qind.

Popullata urbane në Gjirokastër qe 35 mijë banorë më 2013 me rënie 18 për qind në krahasim me vitin 2001 kur në qytetet e qarkut banonin 44 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore e popullatës urbane qe 1.9 për qind. Edhe këtu deindustrializimi i periudhës pas komunizmit si dhe afërsia gjeografike, kulturore dhe gjuhësore me Greqinë lehtësoi largimin e popullsisë.

Popullata rurale e qarkut Gjirokastër qe 33 mijë vetë më 2013 me rënie 47 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 69 mijë. Norma e urbanizimit në Gjirokastër është rritur nga 39 në 51 për qind. Gjirokastra ka një sipërfaqe prej 2884 kilometrash katrore dhe densitet popullsie prej 24 banorësh për kilometër katror. Ky është edhe qarku më i depopulluar në Shqipëri.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Korça

Popullsia e qarkut të Korçës, më i madhi për nga sipërfaqja, qe 216 mijë banorë më 2013 me rënie 16.5 për qind në krahasim me vitin 2001, kur qe 265 mijë. Rënia mesatare vjetore është 1.7 për qind.
Popullata urbane e Korçës qe 84 mijë vetë më 2013 me rënie 12 për qind në krahasim me 97 mijë që qe më 2001. Rënia mesatare vjetore qe 1.2 për qind.

Popullata rurale qe 132 mijë me rënie 19.2 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 168 mijë vetë, Rënia mesatare vjetore e popullsisë rurale është 2 për qind.

Norma e urbanizimit në Korçë ka shënuar një rritje të lehtë nga 37 në 39 për qind. Sipërfaqja e qarkut të Korçës është 3711 banorë me densitet popullsie 58 banorë për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Kukësi

Qarku i Kukësit pati 83 mijë banorë më 2013 me rënie 22.7 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qenë 111 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 2.4 për qind. Popullata urbane në Kukës qe 28 mijë vetë më 2013 me rritje 4.4 për qind në krahasim me vitin 2001, kur qe 27 mijë vetë.

Popullata rurale qe 55 mijë vetë më 2013 nga 84 mijë vetë që qe më 2001, me rënie totale prej 32 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 3.5 për qind.  Norma e urbanizimit në Kukës është rritur nga 25 në 34 për qind. Kukësi ka një sipërfaqe prej 2374 kilometrash katrore dhe densitet prej 35 banorësh për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Lezha

Qarku i Lezhës shënoi 133 mijë banorë më 2013 me rënie 15.3 për qind në krahasim me vitin 2001 kur popullata qe 159 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 1.5 për qind. Popullata urbane e qarkut Lezhë është rritur në 77 mijë banorë nga 49 mijë banorë që qe më 2001, me rritje totale prej 51 për qind dhe me rritje mesatare vjetore prej 3.7 për qind.

E kundërta ka ndodhur me popullatën rurale, e cila është pakësuar me 45 për qind nga 110 mijë vetë që qe më 2001 në 56 mijë vetë më 2013. Rënia mesatare vjetore e popullsisë rurale në këtë qark rezulton 5.6 për qind.  Norma e urbanizimit në qarkun e Lezhës është rritur me shpejtësi nga 31 në 58 për qind. Lezha ka një sipërfaqe prej 1620 kilometrash katrore dhe densitet popullsie prej 82 banorësh për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Shkodra

Qarku i Shkodrës ka shënuar një rënie të shpejtë të popullsisë totale dhe popullsisë rurale dhe rënie më të përmbajtur të popullsisë urbane. Në vitin 2013, qarku i Shkodrës shënoi 211 mijë banorë me rënie 15.5 për qind në krahasim me vitin 2001, kur popullata banuese qe 256 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 1.6 për qind.

Popullata urbane në Shkodër ka rënë nga 96 mijë që qe më 2001 në 93 mijë më 2013 me rënie totale prej 1.9 për qind. Popullata rurale ka rënë nga 160 mijë në 118 mijë vetë, me rënie totale prej 24 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 2.5 për qind.  Norma e urbanizimit në Shkodër është rritur nga 37 në 44 për qind. Shkodra ka një sipërfaqe prej 3562 kilometrash katrore dhe densitet popullsie prej 59 banorësh për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset



Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Tirana

Qarku i Tiranës kishte një popullsi prej 766 mijë banorësh më 2013 me rritje 26.1 për qind në krahasim me vitin 2001 kur kishte 597 mijë banorë. Rritja mesatare vjetore është 2.1 për qind.

 Popullata urbane e Tiranës është rritur nga 380 mijë në 559 mijë banorë, me rritje totale prej 42 për qind dhe rritje mesatare vjetore prej 3.1 për qind.  Popullata rurale e Tiranës ka rënë me 1.1 për qind mes viteve 2001 dhe 2013 nga 217 mijë në 213 mijë.

Norma e urbanizimit të Tiranës është rritur nga 64 në 72 për qind. Tirana ka një sipërfaqe prej 1652 kilometrash katrore dhe densitet popullate prej 464 banorë për kilometër katrorë.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Vlora

Qarku i Vlorës ka shënuar rënie prej 8.5 për qind të popullsisë mes viteve 2001 dhe 2013, një rënie afërsisht e barabartë me mesataren kombëtare. Më 2013 në këtë qark banonin 173 mijë banorë nga 193 mijë që qenë më 2001.

Popullata urbane e Vlorës është rritur nga 104 mijë në 117 mijë banorë, me rritje totale prej 12.1 për qind.

Popullata rurale e Vlorës ka ndjekur tendencën kombëtare duke u reduktuar me 33 për qind gjatë kësaj periudhe dhe duke rënë nga 89 mijë që qe më 2001 në 56 mijë vetë më 2013. Sipërfaqja e qarkut Vlorë është 2706 kilometra katrore dhe densiteti i popullsisë është 64 banorë për kilometër katror.


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset


Analiza dhe Komentet: ODA
Burimi: Censuset

Kontribuoi: Gjergj Erebara