Historiku
Analiza e “Open Data”, nga viti 1993, çfarë u shit dhe sa përfituam

Privatizimet e para kanë nisur në vitin 1993, një vit pasi qeveria e parë “demokratike: mori pushtetin. Duke qenë se Shqipëria vjen nga një historik 50-vjeçar i mosekzistencës së pronës dhe shërbimit privat, menaxhimi sa më me efektivitet dhe eficencë i procesit të privatizimit merr një rëndësi të veçantë.

Projekti “Open Data” i ka kushtuar vëmendje ecurisë së privatizimeve në Shqipëri, duke i ndarë në dy periudha të rëndësishme kohore: Periudha e parë, 1993-1999, ku të ardhurat nga privatizimet kanë qenë në një masë shumë të ulët. Ato lidheshin kryesisht me ndërmarrje apo asete të vogla. Dhe periudha e dytë, 2000-2010, gjatë së cilës u mundësua privatizimi i disa shërbimeve shumë të rëndësishme, të cilat deri në atë kohë siguroheshin nga shteti. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga privatizimet u shndërruan në një zë të rëndësishëm në përballimin e Deficitit të Buxhetit.

Viti 2000 ishte i pari që shënoi të ardhura të larta nga privatizimet, me 8.9 miliardë lekë, duke financuar 22% të deficitit. Duhet theksuar se viti 2000 ishte një vit i vështirë për buxhetin, pasi të ardhurat totale të tij ishin më të ulëta edhe sesa shpenzimet korrente. “Kjo do të thotë se jo vetëm investimet janë financuar nga borxhi dhe privatizimet, por edhe një pjesë e shpenzime korrente. Gjithsesi, ky vit shënon gjithashtu, edhe privatizimin e parë të rëndësishëm në vend, atë të Bankës Kombëtare Tregtare”, thotë autorja e analizës Blerta Zilja.

Në vitin 2001, privatizimet u rritën me 43% dhe financuan 30% të deficitit të atij viti, ndërkohë që dy vitet pasuese patën një mesatare shumë të ulët. Viti 2004 shfaqi sërish të ardhura të larta nga privatizimet. Përveç të tjerave, 2004-a lidhet edhe me privatizimin e ish-Bankës së Kursimeve, e cila mundësoi përballimin e një pjese të deficitit, si dhe reduktimin e borxhit publik. Në vitet 2005 dhe 2006 u rikthye pushimi i procesit, ndërkohë që vetëm në vitin 2007 u realizua privatizimi i shoqërisë “Albtelekom”. Viti 2008 u pasua me një rënie 58% të të ardhurave të privatizimit. Gjithsesi, ato ishin në një masë të kënaqshme.

Viti 2009 shënon pikën më të lartë të të ardhurave nga privatizimet. Rreth 25 miliardë lekë shërbyen për financimin e deficitit dhe padyshim që shitja e 76% e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. “Interesant është viti 2010, në të cilin u fol gjatë për privatizimin e godinës së ish-hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë për shumën 30 milionë euro. Megjithatë, në tabelë fiskale faktike për 2010-n, zëri “Të ardhura nga privatizimet” shfaqet me shumën 411 milionë lekë, apo gati 1/10 e vlerës së këtij privatizimi”, thotë Aranita Brahaj. Nga të dhënat e ofruara në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, paratë nga shitja e ish-Hotel Dajtit nuk rezulton të jenë derdhur as në vitet 2011-2012. Natyrisht që paratë u derdhën një vit më vonë, por dyshimet e këtij transaksioni vijon edhe në ditët e sotme.

Në total, të ardhurat nga privatizimi për vitet 2010-2012 kanë rezultuar 1.7 miliardë lekë, duke bërë që rreth 99% e deficitit të kësaj periudhe të financohet me borxh të brendshëm apo të jashtëm. Krahasuar me vitet e mëparshme, sidomos me vitet 2000-2001 apo 2004-2009, periudha gjatë të cilave të ardhurat nga privatizimet shkuan gjithsej në rreth 67 miliardë lekë, të ardhurat për vitet 2010-2012 paraqiten vërtet modeste.

Për vitin 2013, qeveria parashikon 500 milionë lekë të ardhura nga shitja e pronës publike, duke mos parashikuar privatizimin e 4 HEC-ve, të cilat janë në proces likuidimi të pagesës prej 15 miliardë lekësh. Megjithatë, nga ana tjetër, mospërfshirja e të ardhurave nga privatizimi në buxhetin e prezantuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, si dhe shtesa në nenin 9 të ligjit “Për Buxhetin e vitit 2013” , në bazë të të cilit të ardhurat nga privatizimi mbi shumën e parashikuar në buxhet përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave, bën që të gjitha të ardhurat e siguruara mbi nivelin e buxhetuar, të mos diskutohen fare në Kuvend, i cili përbën edhe hallkën përfundimtare që vulos gjetjen e burimeve financiare dhe përdorimin e tyre.