Open Data Albania po përditëson të dhëna mbi Vdekshmërinë Foshnjore në Shqipëri. Të dhënat janë hulumtuar në formë krahasimore sipas viteve e po kështu në krahasim treguesi për Shqipërinë dhe vende të tjera të Rajonit. Hulumtimi bazohet në të dhënat e databazës publike  Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Bankës Botërore.

Vdekshmëria foshnjore është një tregues i rëndësishëm i kushteve shëndetsore të një vendi. Ky tregues përdoret edhe për krahasimin e zhvillimit socio-ekonomik të shteteve (sa më i lartë treguesi, aq më problematike është situata). Vdekshmëria foshnjore është numri i foshnjeve që vdesin para se të arrijnë moshën 1 vjeç për  cdo 1 000 lindje.


Burimi: Organizata Botërore e Shëndetit, Banka Botërore
Komentet dhe Analiza: ODA

Në se do të vështronim ecurinë ndër vite të këtij indikatori në vendin tonë, vëme re se numri i vdekjeve foshnjore në 1000 lindje ka ardhur duke u ulur. Për vitin 2011 ky indikator shënon vlerën më të ulët të numrin të vdekjeve foshnjore që nga viti 1983, viti i cili shënon dhe numrin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore, konktretisht 44 vdekje në 1000 lindje të foshnjeve.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet si vendi me treguesin për vdekshëmrinë foshnjore më negative dhe problematike në Rajon. Shqipëria ka normën më të lartë të vdekjes për foshnjat me 13 raste të moshës 0 – 1 vjec në cdo 1 000 lindje. Shqipëria ka indikator më negativ se Maqedonia ku për cdo 1 000 lindje vdesin 9 foshnja zero deri një vjec. Ne shënojmë gjashtë vdekje foshnjash më shumë në cdo 1 000 lindje krahasuar me Bosnje dhe Hercegovina. Më shumë se dyfishin e vdekjeve të Serbisë, trefish krahasuar me Greqinë dhe katër herë më shumë se Italia.


Burimi: Organizata Botërore e Shëndetit, Banka Botërore
Komentet dhe Analiza: ODA

Situata në rënie e vdekshmërisë foshnjore është e natyshme sa kohë në Shqipëri ka rënë ndjeshëm edhe numri i lindjeve për cdo nënë. Por ky indikator me vlera nga më negativet në Rajon dhe Europë tregon ende një nivel jo të kënaqshëm dhe një siguri të ulët për jetën e nënave dhe foshnjave ë lindje. Mesatarja e Bashkimit Europian është 5 foshnja në cdo 1000 linjde.

Kontribuoi: Eni Didi