Me qëllim rritjen e transparencës në përdorimin e fondeve publike, përgjegjshmërisë në administrimin e tyre dhe evidentimit të abuzimeve të ndodhura midis të tjerave në sigurimin e të ardhurave dhe kryerjen e shpenzimeve të buxhetit, Kontrolli i Lartë  Shtetit ushtron veprimtarinë e tij nëpërmjet kontrollit financiar, ku auditohet ligjshmëria dhe rregullshëmiria e përdorimit të fondeve, vlerësimit dhe kontrolleve të tjera specifike.

KLSH raporton përgjithësisht në bazë të 10 fushave, ku përfshihen edhe kategoritë kryesore të të ardhurave dhe shpenzimeve të Buxhetit, si: tatim-taksat, doganat, shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore, prokurimet, shpërblimet, sistemi i pagave, shpenzimet operative, urbanistika, inventarizimi i aseteve mungesë materiali dhe të tjera.

Open Data Albania ka marrë në shqyrtim dëmin total ekonomik që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit gjatë 5 viteve të fundit, në periudhën 2008-2012, sipas sektorëve kryesorë.


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rreth 33.5 miliardë lekë është dëmi total për gjithë periudhën e marrë në shqyrtim, ku 60% i përket dëmit ekonomik të raportuar gjatë punës së KLSH në dy vitet e fundit, 2011-2012. Nëse do të krahasohej ky dëm total  me disa tregues të Buxhetit për vitin 2012, ai do të rezultonte 1.2 herë më shumë se sa shpenzimet e gjithë Pushtetit Vendor nga Buxheti, sa 51% e investimeve nga Buxheti Shtetit, 67% e deficitit dhe 1.3 herë më shumë se sa huamarrja e brendshme për vitin 2012. Ky krahasim ndihmon për të kuptuar rëndësinë e kontrolleve të ushtruara dhe domosdoshmërinë në rritjen e përgjegjësisë në administrimin e fondeve publike.

Nëse do të shqyrtoheshin të gjithë sektorët një nga një, do të vihej re se pesha e tyre kundrejt dëmit total ka ndryshuar ndër vite. Kështu, tatim-taksat, nga sektori i parë në dëmin e evidentuar për vitet 2008-2010, është spostuar në një ndër sektorët me dëmin më vogël gjatë viteve 2011-2012, kohë e cila përkon me hyrjen në fuqi të ligjit 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të të cilit audituesit e KLSH nuk mund të ndërhyjnë më në dosjet e shqyrtuara nga inspektorët tatimorë dhe trajtimit të bërë prej tyre. Të njëjtin trend ka pësuar edhe dëmi ekonomik në dogana, i cili është paraqitur nga viti në vit me një përmirësim të ndjeshëm të treguesit.

Ndërkohë, me sjellje të crregullt paraqiten sektorët e qiradhënies dhe shitjes së pasurisë shtetërore, fakt që tregon se ecuria e tyre është në varësi të subjekteve të auditura, dhe në ndryshim nga pritshmëritë, sektori i prokurimeve. Kështu, nga një trend rënës për tre vitet e para, i cili mendohej se do të vazhdonte të thellohej në vitet e ardhshme për shkak të prokurimit elektronik, vitet 2011 dhe 2012 pësuan një rritje të ndjeshme të dëmit të gjetur.

Në shyrtimin e dëmit total të raportuar nga KLSH, interesant është dëmi në seksionin “të tjera”, i cili përbën më shumë se 80% të totalit në dy vitet e fundit. Ato i përkasin dëmit të shkaktuar nga Albpetrol sh.a., OST sh.a. dhe KESH sh.a. Gjatë vitit 2011, dëmi nga Albpetrol u vlerësua rreth 3.9 miliardë lekë, të ardhura kryesisht nga furnizimi me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues nga ARMO sh.a. si dhe nga moslikujdimi në afat i faturave të shitjes së naftës.


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Gjatë vitit 2012, dëmi i shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga kjo kompani shkoi në 9,19 miliardë lekë. Ndërkohë, 1,9 miliardë ishtë dëmi i OST-së gjatë vitit 2011, që përbënte 27% të dëmit total dhe 2,5 miliardë i KESH sh.a. në 2012-n, si pasojë e moslikujdimit të detyrimeve kontraktore ndaj saj (rreth 2.4 miliardë lekë) dhe dëm të fushën e prokurimeve për 54 milionë lekë.

Ndër institucionet me dëm më të lartë ekonomik, përvec Albpetrol, OST dhe KESH, ndër vite mund të përmenden: për vitin 2012 Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës (606 milionë lekë), Ministria e Brendshme (225,6 milionë), Autoriteti Aviacionit Civili (65 milionë), Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Tiranë (60 milionë), ALUIZNI Qendër Tiranë (51 milionë), Drejtoria ALUIZNI Vlorë (35.4 milionë), ALUIZNI rajonal Durrës (31, milionë), Universiteti Eqrem Cabej (33,4 milionë), Bashkia Pogradec (46 milionë), Bashkia Korcë (31 milionë) dhe Bashkia Sarandë (70 milionë).

Ndërsa gjatë vitit 2011 spikasin: Drejtoria e Politikave të Pyjeve dhe Kullotave Tiranë (342 milionë), Dega e Doganës Durrës (142,8 milionë), Universiteti Ismail Qemali (47 milionë), Bashkia Lushnje (49,1 milionë) dhe Bashkia Tiranë (41,9 milionë).

Ajo që duhet theksuar në fund të kësaj analize është se rritja e dëmit ekonomik të gjetur nga KLSH jo domosdoshmërisht flet për një përkeqësim në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike gjatë viteve të fundit, por edhe për një rritje të cilësisë së punës nga ana e KLSH dhe përgjegjshmëri më të lartë të këtij institucioni në kryerjen e funksioneve të tij

  1. Të dhënat mbi dëmin ekonomik për vitet 2008-2012 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH për secilin vit përkatës.
Kontribuoi: Blerta Zilja