Masat organizative nënkuptojnë rekomandimet e KLSH-së për përmirësimin e sistemit të menaxhimit, drejtimit, organizimit të punës si dhe kontrollit të brendshëm të njësisë së audituar. Tabela në vijim paraqet masat organizative totale të dhëna për vitet 2008-2012 si dhe nivelin e zbatimit të tyre.
Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA
Sikurse mund të vihet re, numri i rekomandimeve në formën e masave organizative ka ardhur në rritje nga viti në vit, për të arritur vlerën maksimale në vitin 2012, me 2194 masa. Ndërkohë, niveli i zbatueshmërisë së tyre duket se nuk ka pasur të njëjtën tendencë. Kështu, nga 79% në 2008-n, ajo është ulur në rreth 75% për 2012-n. Megjithatë, gjatë analizës duhet mbajtur parasysh se numri më i lartë i masave të rekomanduara rrit edhe shkallën e vështirësisë në përmbushjen e të gjitha masave. Kështu, nga krahasimi në vlera absolute, 2012-a shënon edhe vitin me më shumë masa të zbatuara, 1659, rreth 556 më shumë se në 2011 dhe 1.8 herë më shumë se në 2008-n.
Masat administrative dhe disiplinore paraqesin një interes të vecantë, pasi ato lidhen me personat përgjegjës që kanë shkaktuar dëmin e konstatuar nga ana e KLSH-së, qoftë ky ekonomik apo jo. Ato variojnë nga ‘Vërejtje me shkrim’, në ‘Vërejtje me paralajmërim’, e deri në ‘Largim nga detyra’ dhe ‘Largim nga puna’. Në këtë kategori përfshihen gjtihashtu gjobat administrative në favor të shkaktarëve të dëmit. Edhe ecuria e zbatueshmërisë së këtij treguesi për vitin 2012 nuk kanë qenë e kënaqshme. Nga 78% në 2008-n, ajo arriti në 80% në 2010-n, ndërsa në vitin 2012 shënoi nivelin më të ulët me rreth 70%. Megjithatë, sërisht duhet të sillet në vëmendje rritja e numrit të masave administrative e disiplinore të lëshuara sidomos vitin e fundit, të cilat arritën në 1221, rreth 69% më shumë se në 2011-n.
Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA
Nga një hulumtim më i detajuar i zbatimit të masave administrative dhe disiplinore sipas llojit për vitin 2012, vihet re se niveli më i ulët i përket zbatimit të masave ‘Largim nga shërbimi civil’ (zbatuar 5 nga 27 të rekomanduara, apo 18,5%), ‘Largimi nga puna’ (zbatuar 53 nga 121, apo 43.8%) dhe ‘Masa administrative-gjoba’ (zbatuar 82 nga 146, ose 56.2%). Për vetë karakteristikën e tyre, më problematike situata shfaqet në zbatimin e masave ‘Largim nga puna’ ku personat përgjegjës që kanë kryer dëm ekonomik dhe shpërdoruar fondet publike vazhdojnë ende të qëndrojnë në vendet e tyre të punës, pavarësisht evidencave të gjetura nga KLSH. Nëse këtij fakti i shtohet edhe efekti domino i mungesës së ndëshkimit të personave përgjegjës, situata do të ishte akoma më problematike se sa duket.
Grafiku më poshtë prezanton nivelin e zbatimit për të dyja llojet e masave të marra në shqyrtim për vitet 2008-2012.
Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA