Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi moshën mesatare të martesës së shqiptarëve për periudhën 1955-2011. Të dhënat për periudhën 1955-1985 janë përllogaritur nga studiuesit Jane Falkingham dhe Arjan Gjonça, publikuar në revistën “Population Studies” në vitin 2001. Vjetarët statistikorë të viteve përpara 1990 nuk raportojnë të dhëna për moshën mesatare të martesës, por raportojnë vetëm të dhëna për martesat sipas grupmoshave. Të dhënat për periudhën 1990-2011 janë publikuar nga Instituti i Statistikave.

Mosha mesatare e martesës është rritur përgjatë kësaj periudhe si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Në vitin 1955, meshkujt martoheshin mesatarisht në moshën 26.4 vjeç ndërsa femrat martoheshin në moshën 20.8 vjeç. Në vitin 1990, mosha mesatare për meshkujt u rrit në 27.4 vjeç ndërsa për femrat në 23 vjeç. Siç dallohet, mes viteve 1985 dhe 1990, mosha mesatare e martesës për meshkujt u rrit me 1 vit ndërsa për femrat me 2.2 vite. Rrjedhimisht, diferenca mes moshës mesatare të meshkujve dhe femrave u ul nga 5.6 vite më 1955 në 4.4 vite më 1990.

Pas viteve 1990, dallohet se mosha mesatare e martesës ka vijuar të rritet si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, por për meshkujt është rritur shumë më shpejt se sa për femrat, ndërsa diferenca e moshës mes dy grupeve gjinore është thelluar. Të dhënat statistikore tregojnë se meshkujt në Shqipëri krahasuar me më herët kanë tendencën të martohen me vajza më të reja.


Burimi: Te dhenat nga 1955 deri me 1985 jane te vleresuara nga Jane Falkingham and Arjan Gjonça. Transition in Communist Albania, 1950-90, Population Studies, Vol. 55, No. 3 (Nov., 2001), pp. 309-318      
Te dhenat per vitet 1990-2011 jane nga INSTAT
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania  

Në vitin 2011, meshkujt në Shqipëri u martuan në moshën mesatare 29.3 vjeç ndërsa femrat në moshën 23.6 vjeç. Në krahasim me vitin 1990, meshkujt martohen 1.9 vjeç më të moshuar ndërsa femrat martohen 0.6 vjeç më vonë. Përgjatë viteve të fundit, diferenca e moshës mesatare të martesës mes meshkujve dhe femrave është rritur në 5.7 deri në 6 vite, gjë që përbën edhe diferencën më të lartë në shtatëdhjetë vitet e fundit. Diferenca moshore e martesës meshkuj-femra është zgjeruar me 1.3 vjet.

Diferenca në moshën mesatare të martesës mes meshkujve dhe femrave ekzistojnë në të gjitha vendet. Mosha mesatare e martesës për burrat përgjithësisht reflekton kulturën e sigurimit të mjeteve materiale të nevojshme për martesë nga ana e tyre si dhe prepotencën e kontrollit mbi bashkëshorten. Rritja e moshës mesatare të martesave për vajzat përgjatë dekadave të fundit reflekton përgjithësisht rritjen e aksesit në arsim.


Burimi: Te dhenat nga 1955 deri me 1985 jane te vleresuara nga Jane
Falkingham and Arjan Gjonça. Transition in Communist Albania, 1950-90,
Population Studies, Vol. 55, No. 3 (Nov., 2001), pp. 309-318      
Te dhenat per vitet 1990-2011 jane nga INSTAT
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania  

Nuk është e lehtë të hidhen hipoteza mbi shkaqet e rritjes më të ngadaltë të moshës mesatare të martesës mes femrave në Shqipëri. Një analizë më e thelluar mund të bëhet duke shqyrtuar të dhënat e ndara për popullatën urbane dhe rurale apo mes qarqeve të ndryshme, por të dhënat nuk gjenden të ndara në këto nivele.

Të dhëna historike. Udhëtarët (përgjithësisht anglezë) të fillimit të shekullit të 20 raportonin se shqiptarët martoheshin sapo arrinin pjekurinë seksuale, pra rreth 13-14 vjeç. Ushtria e Austro-Hungarisë kreu një census të pjesshëm në zonat që kishte nën kontroll në vitin 1918. Këto të dhëna u ruajtën në Austri përgjithësisht të papërpunuara ndërsa gjatë viteve të fundit, disa studiues i kanë analizuar ato për të nxjerrë të dhëna të pjesshme statistikore mbi demografinë e kohës. G. Kera, E. Pandelejmoni publikuan në vitin 2008 te revista “History of the Family” një studim mbi moshën mesatare të martesës me të dhëna të nxjerra nga censusi i Austro-Hungarisë.

Studiueset raportojnë se në vitin 1918, për të dhënat e disponueshme, mosha mesatare e martesës në zonat urbane qe 19-20 vjeç për gratë dhe 28-34 vjeç për burrat. Këto janë të dhëna të pjesshme dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

Kontribuoi: Gjergj Erebara