Open Data Albana ka kryer një hulumtim lidhur me ndryshimin që ka pësuar raporti mashkull/femër në administrimin apo pasjen nen pronësi të një ndërmarrje aktive gjatë viteve 2005-2012. Në këtë rast bëhet fjalë për çdo subjekt që ushtron një veprimtari ekonomike, pavarësisht formës së tij ligjore, përjashtuar administratën publike,  organizatat jofitimprurëse dhe organizatat ndërkombëtare.

Të dhënat në hulumtim janë marrë nga databaza e Institutit të Statistikave në seksionin e Regjistrit të Ndërmarrjeve. Ndërmarrjet aktive sipas gjinisë së pronarit/administratorit në vitet 2005-2012 paraqiten sipas grafikut:


Burimi: INSTAT
Komentet dhe analiza: ODA

Ky raport duket të ketë ndryshuar në favor të gjinisë femërore gjatë këtij tetë vjecari. Nëse në vitin 2005 ndërmarrjet që drejtoheshin  nga gjinia femërore përbënin vetëm 22.9%, në vitin 2012 kjo vlerë ka shkuar në 27.4%. Pra kemi një rritje prej 4.5% të drejtueseve femra të ndërmarrjeve në Republikën e Shqipërisë. Për gjininë mashkullore duket të ketë ndodhur e kundërta, nga 77.1% që ishin në vitin 2005, janë reduktuar në 72.6% në vitin 2012. Hendeku mashkull/femër drejtues të ndërmarrjeve ka ardhur duke u zvogëluar nga viti në vit, kjo si pasoj e rritjes së elementit femër në vendimmarrje.

Interesante paraqitet dhe mënyra se si ka ndryshuar roli i femrës si drejtuese e një ndërmarrjeje nga këndvështrimi i madhësisë së punonjësve në varësinë e saj.

Ndërmarrjet aktive me pronare / administratore femër sipas numrit të punonjësve në vartësi në vitet 2005-2012

Vlera ne përqindje

Burimi: INSTAT
Komentet dhe analiza: ODA

Duket qartë që edhe pse femrat po bëhen mjaft aktive në ndërmarrjet shqiptare, ato akoma hezitojnë ose hasin pengesa në ndërmarrjet e mëdha. Numrin më të madh administratoret dhe pronaret femra e shënojnë në ndërmarrjet e vogla me 1-4 punonjës. Në këto ndërmarrje ato kanë shënuar një rritje me 4.9% nga viti 2005 në vitin 2012.
Kontribuoi: Griselda Rruci