Në emër të parimeve të Gazetarisë dhe të Drejtës Publike për Informim, dëshiroj të ndaj me Ju shqetësimin mbi një rast censure të realizuar këto dit me të dhëna të Thesarit Publik të Shtetit.

Qeveria Shqiptare është e detyruar me ligj dhe udhëzime përkatëse të bëjë transparente përballë qytetarit shqiptarë çdo detaj të mënyrës së si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë apo asetet publike monetare. Gjithashtu në kuadër të angazhimeve në partneritetin për Qeverisje të Hapura dhe Transparente OGP, shteti ynë është angazhuar për publikuar çdo ditë Listën e Pagesave Ditore te Thesarit dërguar për ekzekutim në Bankën e Shqipërisë. Kjo listë veç datës, shumës, autoritetit urdhërues përmban edhe identitetin e përfituesit, aktin ligjor ku bazohet transaksioni dhe përshkrime të tjera. Prej muajit shkurt të vitit 2012, këto të dhëna janë përditësuar në faqen e Ministrisë së Financave, rubrika Raportime – Thesari.

Për këtë proces në respekt të parimeve të demokracisë, mirëqeverisjes, transparencës dhe shtetit ligjor ka artikuluar në mënyrë të përsëritur edhe Kryeministri z. Sali Berisha; Ministri i Financave z. Ridvan Bode dhe Ministri i Inovacionit z. Genc Pollo. Megjithëse formati i publikimit përkonte me një model teknologjik që nuk përmbush standardet e të “dhënave lehtësisht të përdorshme”, publikimi online për datat 1 shkurt 2012 – 30 maj 2013 është bërë në formë të vazhdueshme. Aktualisht në javën e parë të Shtatorit janë hequr dhe censuruar nga faqja zyrtare të dhëna të muajve shkurt, mars, prill dhe maj 2013. Këta katër muaj të vitit 2013 kanë rëndësi të veçantë pasi janë muaj të një viti të fundqeverisjes tetëvjeçare të të Djathtës e po kështu janë muaj të një viti elektoral. Gjithashtu të dhënat për muajt qershor dhe korrik janë hedhur në format difektoz dhe të pa konvertueshëm.

Të dhënat e Thesarit bëhen publike edhe si rezultate të një projekti të kushtueshëm për zbatim të sistemit AMoFTS si një sistem modern për procedimin e transaksioneve te qeverisjes se përgjithshme, bazuar ne standardet dhe praktikat ndërkombëtare për raportimin financiar dhe përdorimin e likuiditeteve dhe pasurisë publike me ekonomi, eficence, efektivitet dhe transparence

Stafi që punon për Open Data / Spending Albania bën të ditur se ky është një rast flagrant i censurës zyrtare që cenon interesin e publikut për informim. Ky lloj censurimi përkon me një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverive që është përgjegjësia për të mirëqeverisur financat dhe asetet e publikut. Qytetarët shqiptar kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publik apo interesa politik, partiak e personal. Po kështu çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të informohet se kush janë klientët (furnitorët) e institucioneve shtetërore e publike që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve. Heqja e të dhënave për këta katër muaj dhe publikimi difektoz i të dhënave në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo në rastin më negativ një fenomen që dëshmon se për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun.

Një shtet demokratik siguron transparencën dhe llogaridhënien për mënyrën se si shpenzon paratë publike. Duke shpresuar në vëmendjen dhe sensibilizimin mediatik përmes faqeve dhe programeve tuaja,

Me respekt

Aranita BRAHAJ
Open Data Albania
Web:
http://open.data.al
Tel 0682001718
Email: [email protected]