Parregullsi ligjore dhe administrative në emërimin e Ekspertëve Auditues

Open Data Albania pas publikimit të të dhënave mbi shpenzime elektorale të dy fushatave të shkuara, në përpjekje për të zbardhur në një format sa më transparent edhe të dhëna zyrtare të Fushatës Zgjedhore 2013 ka konstatuar disa shkelje të bazës ligjore në organizimin e punës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto shkelje kanë sjellë parregullsi dhe defekte të rënda në procesin e zgjedhjes dhe emërimit  të Ekspertëve Kontabël të Licencuar për auditim të fondeve të përfituara në fushatën elektorale 2013.

Konkretisht KQZ është e ngarkuar me ligj (neni 91 i Kodit Zgjedhor) të emërojë me short ekspertin kontabël të licencuar për secilin subjekt zgjedhor, parti apo kandidat pjesëmarrës në zgjedhje. Hedhja e shortit si një proces tepër i rëndësishëm për transparencën me financat e partive politike në fushata elektorale, kërkon zbatim rigoroz të bazës ligjore në respekt të parimeve të transparencës dhe paanësisë.

Shkeljet dhe Parregullsitë Ligjore janë si vijon:

1. Shorti për Fushatën e 2013 është hedhur në datën 02.08.2013 në mbledhjen e kësaj date me prezencë të katër anëtarëve të KQZ dhe përfaqësuesve të partive politike. Vendimi për shpalljen e Rezultatit mban Nr 752 dhe daton 02. 08. 2013. Sipas ligjit, konkretisht neni 91 pika 1 ky short duhet hedhur jo më vonë se 45 dit pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Ligji lë të kuptohet se afati për mbajtjen e shortit fillon me datën e shpalljes së rezultatit zgjedhor dhe mbaron me 45 dit pas kësaj date. Realisht rezultati për Zgjedhjet për Kuvend 2013 është shpallur me Vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Nr. 759 Data 06. 08. 2013. Rezulton që hedhja e shortit është bërë katër dit përpara fillimit të afatit. Ky avancim në datë është në kundërshtim me afatin ligjorë dhe e përshpejtuar pa ndonjë përligjje ligjore dhe administrative.

2. Ky defekt në shkeljen e afatit ligjor thellohet pas shkeljes njëkohësisht edhe të nenit 92 e Kodit Zgjedhor, “Përzgjedhja e auditëve nga KQZ-ja„. Konkretisht ky nen në pikën 2 ka parashikuar kritere të listës së ekspertëve që duhet për mbajtjen e shortit. Ky nen parashikon se “lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit„. Në kundërshtim me këtë nen, shorti i datës 2.08.2013 është mbajtur me një listë fillestare prej vetëm 9 ekspertësh. Këta 9 ekspertë janë emëruar për auditimin e 68 subjekteve zgjedhore parti dhe individ. Mesatarisht një ekspert i ka rënë të auditojë 7-8 subjekte zgjedhore. Detyrimi për të siguruar një listë fillestare të ekspertëve me të paktën 20 pjesëmarrës parashikohet edhe në Udhëzimin e KQZ nr. 8, datë 25. 03. 2009 “Për Emërimin e Ekspertëve Kontabël të licencuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore„. Në kushte të mos plotësimit të numrit që është kriter ligjor, KQZ duhej të anulonte procedurën e shortit me qëllim ripërsëritjen e tij në një datë tjetër në respekt të afatit ligjor. Në Vendimin e KQZ nuk ka asnjë interpretim të faktit se përse shorti është mbajtur në shkelje të kriterit ligjorë për listë ekspertësh pjesëmarrës me të paktën 20 emra.

3. Mospjesëmarrja e Ekspertëve Ligjor në short shfaq paraprakisht mangësi të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve administratës përkatëse. Sëpari njoftimi për mbajtje shorti në dy procese të mëhershme zgjedhore është bërë me shkresë postare nominale nga kreu i Komisioni z. Arben Ristani. Në zgjedhjet 2009 dhe 2011, ftesa për pjesëmarrje në short është përcjellë me postë zyrtare tek secila studio apo ekspert kontabël i licencuar që plotëson kriteret e pjesëmarrjes. Ky model i mirë i njoftimit zyrtar, nuk është respektuar në fushatën zgjedhore 2013. Njoftimi është bërë vetëm përmes medias për një audiencë të përgjithshme ndërsa subjektet e ftuara janë subjekte të cilësuara pjesë e një liste zyrtare, anëtar të IEKA, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Njoftimi publik gjithashtu është shoqëruar me defektin e mos publikimit të Njoftimit në web-in zyrtar të KQZ.

4. Afati ligjor i shkelur me përshpejtim në kohë, defekte të njoftimit zyrtar për subjektet që kanë të drejtë të marrin pjesë në short, kanë edhe një arsye tjetër të mos paraqitjes dhe pjesëmarrjes me vetëm 9 ekspert në këtë procedurë. Në bazë të Kodit Zgjedhor, po neni 92 pika 4, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në hartimin e Buxhetit për Zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditim. Mospjesëmarrja e Ekspertëve në short ka si bazë edhe interesin e munguar për angazhim profesional për arsye të mos korrektesës në kohë të ekzekutimit të pagesës për orët e ekspertizës. KQZ përmes kontratave të shërbimit është e detyruar të paguaj këta ekspert për shërbimet e ngarkuara në auditimin vjetor dhe auditimin për fushatën zgjedhore. Efektet financiare të këtyre kontratave nuk janë përmbushur asnjëherë në afat dhe janë zvarritur në periudha dymbëdhjetë deri njëzet e katër mujore.

Shkeljet Ligjore në procedurën për Emërimin me Short të Ekspertëve kanë pasoja të rënda në procesin e auditimit dhe publikimit të financave elektorale të partive. Ky proces është tepër i rëndësishëm për të siguruar Zgjedhje të Rregullta dhe Përfaqësim të ndershëm Politik, të paimplikuar nga para me burim financimi jo të pastër.