Vitin që vjen në administratë do të ketë më pak të punësuar. Në këtë konkluzion ka dalë “Open Data”, e cila ka publikuar një raport me të dhënat mbi numrin e personave të punësuar në sektorin buxhetor.

Vitin e ardhshëm struktura e të punësuarve në shtet do të shënojë ulje krahasuar me vitin që po mbyllim dhe sipas llogaritjeve do të ketë rreth 1 210 punonjës më pak se viti pararendës 2013. Gjithashtu është përcaktuar që në vitin 2014 të jenë 86 500 persona në total.

Kështu, reduktim të personelit është parashikuar të pësojnë: Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Financave dhe Ministria e brendshme. Ndërkohë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror është ndër institucionet me strukturë të tkurrur kundrejt 2013.

Sipas “Open Data” të papërfshirë në tabelën që është pjesë e parashikimit buxhetor për 2014, mbetet institucioni Avokati i Prokurimeve. “Për këtë institucion nuk kemi qartësi nën vartësi të cilës strukturë është përfshirë në vitin që vjen”, thuhet nga “Open Data”.

Por për vitin 2014, janë disa institucione që do të kenë shtesë stafi, si Ministria e Arsimit dhe Sporteve; Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; Këshilli i Ministrave; Kuvendi.

Po kështu, edhe institucione të tjera të pavarura si Inspektorati i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive dhe Zyra e Administrimit Gjyqësor do të kenë më shumë punonjës në organikë për vitin 2014.