Organizata Open Data Albania publikoi disa të dhëna në lidhje me numrin e të punësuarve për vitin 2014 në institucionet buxhetore. Në vitin 2014 struktura e të punësuarve në shtet do të shënojë në total 86.500 persona. Kjo shënon 1.210 punonjës më pak se viti pararendës 2013.
Open Data Albania ka hulumtuar mbi numrin e të punësuarve në institucionet buxhetore për vitin 2014. Të dhënat janë marrë nga tabelat me parashikime buxhetore të Ministrisë së Financave. Institucionet buxhetore janë ministritë, drejtoritë në vartësi të drejtpërdrejt apo institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Pagat e tyre mbulohen drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit.
Në vitin 2014 administrata buxhetore do të shënojë 1210 punonjës më pak kundrejt vitit pararendës. Po të krahasojmë vlerat në vitin 2013 dhe 2014, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve te Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria Financave dhe Avokati i Prokurimeve. Numri i buxhetorëve është shkurtuar në mënyrë graduale në katër vitet e fundit,” thuhet në njoftim të ODA.
Kështu, në vitin 2011, administrata kishte 89.360 të punësuar, në vitin 2012 kishte 88.640, në vitin 2013 kishte 87.710 të punësuar, kurse vitin që vjen do ketë 86.500.
Dy ministri të reja si Ministria e Energjetikës dhe Industrisë si dhe ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit kanë nga përkatësisht 533 dhe 617 punonjës në vartësi.
Numrin më të madh të të punësuarve e ka Ministria e Arsimit dhe Sportit me 38.953, ose 45.1 përqind.
Më pas vjen Ministria e Brendshme me 13.598 të punësuar ose 15.7 përqind.
Në vend të tretë është Ministria e Mbrojtjes me 9500 të punësuar ose 11 përqind.
Shtesë të stafit ka tek Ministria e Arsimit dhe Sporteve; Ministria e Integrimit, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; Këshilli Ministrave, Kuvendi. Edhe institucione të tjera të pavarura si, Inspektorati i Lartë Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor kanë pësuar rritje të punonjësve nga viti 2013 në vitin 2014.
Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Drejtësisë do të jenë dy ministritë me shkurtime më të mëdha të stafeve nën vartësi. Në organikën e mbrojtjes në vitin 2014 do të paguhen 690 punonjës më pak, ndërsa në atë të Drejtësisë 570 punonjës buxhetorë do të detyrohen të dalin nga sistemi. Tkurrje do të shënojë edhe sektori i shëndetit publik pasi në 2014-ën janë parashikuar 346 vend e pune më pak kundrejt viti pararendës.