Pacientët ndihen gjithnjë e më shumë të rrezikuar nga mjekimet e pakujdeshem të bluzave të bardha, nërkohë ende nuk ka një ligj të plotë për dëmshpërblimin e tyre financiar. Pikërisht për këtë pak ditë me parë presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi ka deklaruar se do të propozojnë dhe insitojmë për një ligj të ri për zhdëmtim financiar të pacientëve. “Në pamje të përgjithshme, ankesat janë më së shumti të lidhura me pretendimet e  pacientëve apo familjarëve të tyre për mangësi në diagnostikimin e të sëmurëve dhe për gabime mjekësore që kanë çuar ose në përkeqësimin e sëmundjes ose në invalidizim”, thekson Dine Abazi.
Ndërkohë Open Data Albania po hulumton mbi tregues statistikorë që referojnë raste të procedimeve gjyqësore për Mjekim të Pakujdesshëm. Kjo vepër penale është parashikuar si e tillë në Ligjin Tonë Penal. Veprimi parashikohet me nenin 96 duke cilësuar si Mjekim të Papërgjegjshëm në kufijtë e veprës penale, trajtime të pakujdesshme të pacientëve nga mjeku apo personeli mjekësor, si dhe moszbatim i terapisë apo porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist.
Kusht që veprimi të konsiderohet vepër penale është dëmtimi i rëndë i shëndetit, apo rrezikimi i jetës së pacientit. Ky veprim sanksionohet me gjobë ose burgim deri në pesë vite. Në harkun kohorë 2004 – 2012 në gjykatat shqiptare janë proceduar në total 23 raste të tilla duke shënuar dënimin e 18 personave personel mjekësor. 
Numri më i lartë i procedimeve është shënuar në vitin 2009 ku kemi dhjetë çështje të hetuara nga gjyqësori shqiptar për këtë vepër penale. Këto çështje janë shoqëruar vetëm me dënim për gjashtë autor të shpallur fajtor, ndërsa pjesa tjetër e personave nën akuzë janë deklaruar të pafajshëm. Mesatarisht janë dy persona pjesë e personeleve shëndetësore që dënohen çdo vit për këtë veprim. Kjo vepër penale, në praktikën shqiptare nuk shoqërohet me sanksione të modelit dënime plotësuese. Në analogji me ligje penale më moderne dhe efikase, në rast gjykimi dhe dënimi mjeku apo personeli mjekësor që shpallet fajtorë për këtë veprim do duhej ti nënshtrohej proceseve të rikualifikimit ose ti hiqej e drejta e ushtrimit të profesionit.