Jo vetëm ekonomia në përgjithësi është e pasigurtë, por edhe pritshmëritë e konsumatorëve shfaqin pasiguri gjatë vitit që sapo kemi nisur. Deri në fund të këtij viti, çdo shqiptar do të ketë minimalisht 370 mijë lekë borxh. Të dhënat më të fundit regjistrohen nga portal ekonomik Open Data Albania.  Niveli i borxhit publik, si në nivel kombëtar, por llogaritur edhe për frymë, ka ardhur në rritje, por deri në fund të këtij viti do të jetë ai i përmasave drastike. 
Referuar të dhënave të publikuara nga “ODA”, rezulton se borxhi publik për frymë sipas parashikimeve buxhetore këtë vit do të arrijë në vlerën 370 224 lekë. Kjo vlerë është rreth 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43 226 lekë që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013. Borxhi për frymë është një indikator që llogaritet si raport i borxhit total publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit (i cili ende nuk është shlyer) me popullsinë e atij vendi. Ai shërben për të identifikuar shumën e borxhit publik që i takon çdo qytetari dhe cilësohet si një ndër treguesit kryesorë që shpreh aftësinë e një shteti për të vazhduar të shlyejë borxhin me anë të të ardhurave të gjeneruara nga taksat. Ndërsa, referuar statistikave të mësipërme, një familje mesatare me katër pjesëtarë në vitin 2014, ka një “pjesë tek borxhi publik” prej 1 480 896 lekë.  
Borxhi total për këtë vit është rritur me 120,4 miliardë lekë kundrejt 2013. Sipas analizave të bëra mbi rritjen e nivelit të borxhit publik, veç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja këtë vit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliardë lekë, detyrime të prapambetura në sektorin e infrastrukturës dhe sektorit tatimor. Por krahas nivelit të borxhit, në këtë analizë është llogaritur edhe kosto e borxhit për frymë, si raport i interesave që do të paguhen nga Buxheti i Shtetit për huanë ende të pashlyer në raport me popullsinë e vendit. 
Në vitin 2014, kjo kosto për frymë sipas parashikimeve buxhetore llogaritet në 16 645 lekë për frymë. Por, nga ana tjetër, dalja masive e parasë nga vendi në tremujorin e fundit të 2013 mund të jetë një shenjë e rënies së besimit të sipërmarrësve. Ekspertët e ekonomisë vënë në dukje faktin se, kjo është një simptomë e krizës dhe tregon besim të ulët rreth ekonomisë shqiptare. Sipas tyre, rënia e vazhdueshme e remitancave është një tjetër sinjal shqetësues, që tregon se ekonomia shqiptare po e humbet gradualisht një nga burimet e rëndësishme të rritjes. Sipas Bankës së Shqipërisë, 278 milionë euro kanë dalë nga Shqipëria në tremujorin e fundit të  2013, në formë paraje cash apo depozitash. 
Qytetarët të zhgënjyer nga opsionet e qeverisë së re
Pasiguritë në sferat e ndryshme të ekonomisë qytetarët kanë filluar që t’i shprehin në forma të ndryshme. Në këtë mënyrë të dhënat më të fundit që vijnë nga Banka Qendrore dëshmojnë se, qytetarët e kanë shtuar pesimizmin, jo për shkak të konditave ekonomike të momentit, por për arsye se kishin pritur më shumë përmirësim të situatës financiare nga qeveria e re. “Në përkeqësimin e treguesit të besimit të konsumatorëve ndikoi rënia e pritjeve për përmirësimin e situatës financiare”, sqaroi Banka e Shqipërisë në raport. 
Ajo shton se, dy komponentët e tjerë, gjendja e blerjeve të mëdha dhe situata e të ardhurave-shpenzimeve, dhanë një kontribut më të ulët negativ. Gjithashtu, pritshmëritë për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm u rritën në tremujorin e katërt. Balanca e kursimit në tremujorin e katërt regjistroi një përmirësim të lehtë, plus 2.8 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Konsumatorët perceptojnë se, kostoja mesatare e jetesës është rritur gjatë tremujorit të katërt, si në krahasim me tremujorin e kaluar, ashtu dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bizneset pesimiste 
Edhe bizneset që veprojnë në sektorin e industrisë kanë vlerësuar në rënie kërkesën e brendshme. Çmimet e mallrave të shitura prej bizneseve të industrisë raportohen në ulje në tremujorin e katërt.  Nga opinionet e bizneseve, gjendja financiare vlerësohet e përkeqësuar. Nga ana tjetër, bizneset në sektorin e ndërtimit raportojnë për rënie të lehtë të stokut të ndërtimeve. Çmimet e prodhimit në ndërtim janë vlerësuar në rënie në tremujorin e katërt të vitit 2013. Bizneset në sektorin e ndërtimit raportojnë përkeqësim të gjendjes së tyre financiare në tremujorin e katërt të 2013-ës. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në sektorin e ndërtimit rezultoi rreth 62.7%.