Kostoja e borxhit për frymë llogaritet si raport i interesave që do të paguhen nga Buxheti i Shtetit për huanë ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij treguesi për vitet 2010-2014.


Burimi: Ministria e Financave dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Të dhënat për koston e borxhit për vitet 2010-2012 i referohen raportimeve faktike në “Treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar” të publikuar nga Ministria e Financave, ndërsa të dhënat për vitin 2013 dhe 2014 i referohen përkatësisht Buxhetit të Rishikuar dhe Buxhetit Fillestar.

Për tre vitet e para të analizës, 2010-2012, vihet re se kostoja e borxhit për frymë ka pësuar luhatje të vogla, duke lëvizur nga 14 494 lekë në vitin 2010, në 14 738 lekë apo 1.68% më shumë në 2012-n. Viti 2013 shënon një kthesë të rëndësishme për këtë tregues, duke u rritur me 1 333 lekë krahasuar me vitin 2012, apo 16 071 lekë për cdo shqiptar rezident.

Në vitin 2014, kjo vlerë pritet të rritet akoma më shumë, për të arritur në 16 645 lekë për frymë. Sipas këtyre përllogaritjeve, një familje mesatare me katër persona  “duhet të kontribuojë” me 66 580 lekë në vit në Buxhetin e Shtetit për të shlyer interesat e borxhit të marrë. Megjithatë, rritja e kostos së borxhit në vitin 2014 është më e vogël se sa në 2013-n. Në vitin 2013, kosto e borxhit për frymë u rrit me 9.05% krahasuar me vitin 2012, ndërkohë që për vitin 2014, rritja pritet të jetë me 3.57%.

Duhet theksuar se rritja e indikatorit nga viti në vit është shkaktuar kryesisht nga rritja e shumës së interesave që përballohen nga Buxheti dhe një pjesë fare e vogël shpjegohet nga tkurrja e popullsisë së raportuar nga INSTAT. Grafiku në vijim e bën këtë lidhje më të qartë.


Burimi: Ministria e Financave dhe INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Blerta Zilja