Viti 2014 do të gjejë çdo shqiptar më të zhytur në borxh se çdo vit tjetër. Sipas të dhënave të publikuara dje nga shoqata “Open data Albania“, Borxhi Publik për Frymë sipas parashikimeve buxhetore 2014 do të arrijë në vlerën 370,224 lekë. “Kjo vlerë është rreth 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43 226 lek që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013” thekson shoqata në një deklaratë për shtyp. Në këtë mënyrë, një familje mesatare me katër pjesëtarë në vitin 2014 ka një “pjesë tek borxhi publik” prej 1,480,896 lekësh. 

Borxhi Total 
 Borxhi Total në vitit 2014, sipas “Open data Albania” është rritur me 120,4 miliardë lekë kundrejt 2013. Krahasuar me vitin paraardhës, në 2013 ku ky borxh ishte rreth 83,7 miliardë lekë më shumë se 2012-ta. Veç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja, këtë vit në rritjen e borxhit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura në sektorin e infrastrukturës dhe sektorit tatimor. “Kosto e Borxhit për Frymë llogaritet si raport i interesave që do të paguhen nga Buxheti i Shtetit për huanë ende të pashlyer në raport me popullsinë e vendit. Në vitin 2014 kjo kosto për frymë sipas parashikimeve buxhetore llogaritet në 16,645 lekë për frymë”, thekson “Open data Albania“. 
 Stoku 
Borxhi Publik mund të emetohet brenda vendin dhe mbahet nga rezident si borxh i brendshëm, ose jashtë vendit dhe mbahet nga jo rezident, borxh i jashtëm. Stoku i borxhit publik deri në përfundim të tremujorit të tretë të 2013 shënonte vlerën e 871.8 miliardë lekë ose 62.2% e PBB. Raporti Borxh i Brendshëm dhe Borxh i Jashtëm është 57.37% me 42,63%. Ose në vlera Borxhi i Brendshëm është 500.2 miliardë, Borxhi i Jashtëm është 371.6 miliardë lek. Sipas afatit të maturimit, 249.2 miliardë lekë ose 30.4% e Borxhit janë borxhe afatshkurtra ndërsa 569.5 miliardë janë apo 69.6% është borxh afatgjatë.