Ditët e fundit pas vendimit të qeverisë për pagesën e kontributit shoqëror dhe shëndetësor, u rikthye në vëmendje masa e kontributit që ne paguajmë, apo punëdhënësi paguan për personat që ka marrë në punë. Po sa në të vërtetë paguajmë kontribute në raport me fqinjët tanë?

Open Data Albania ka hulumtuar mbi normën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në vendin tonë dhe vendet e rajonit. Krahasuar me vendet e rajonit, normën më të lartë të kontributeve për sigurimet shoqërore e ka Serbia, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina dhe vendi ynë. Nivelin më të ulët e mban Kosova me vetëm 10 për qind.

Norma e kontributeve të sigurimeve shëndetësore rendit të parën Bosnje-Hercegovinën, e ndjekur nga Serbia dhe Mali Zi. Shqipëria renditet e fundit, pasi Kosova nuk ka ende një skemë të sigurimeve shëndetësore. Duke parë totalin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore shohim se Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë normat më të larta, deri në 41.5 për qind, ndërsa vendi ynë renditet i fundit pas Maqedonisë dhe Kosovës.

Cfarë janë kontributet shoqërore dhe shëndetësore?

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit. Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet e mundur të përfitohet nga Ligji i sigurimeve shoqërore (Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993) dhe nga Ligji i sigurimeve shëndetësore (Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994). Kontributet mblidhen nga organet tatimore për llogari të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Instituti të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga data 01.08.2013, është 19 026 lekë dhe paga maksimale mujore është 95 130 lekë (VKM nr. 581, datë 17.07.2013). Por në marrëdhëniet e punësimit, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë pagën bazë minimale mujore në shkallë vendi, e cila nga data 01.07.2013 është 22 000 lekë (VKM nr. 573, datë 03.07.2013). Kontributi për Sigurime Shëndetësore në Shqipëri është 3.4 për qind, ndërsa Kontributi për Sigurime Shoqërore është 24.5 për qind. Punëdhënësi paguan 16.7 për qind të kontributeve, ndërsa punëmarrësi paguan 11.2 për qind të kontributeve.

Vendimi i javës që kaluar të qeverisë

Që nga 1 janari 2014 kontributet shëndetësore llogariten mbi pagën bruto dhe jo mbi pagat minimale/maksimale siç llogariteshin më parë. Sipas këtij vendimi, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga 1 Janari i këtij viti e në vazhdim do të jetë jo më pak se 19 026 lekë.

Ndërsa, paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore do të jetë 95 130 lekë. Vendimi i qeverisë ndryshoi masën e kontributit për disa kategori si të vetëpunësuarit, ata të punësuar në bujqësi, apo në marrëdhënie ortakërie. Sa i takon llojeve, shumës dhe shpërndarjes së kontributeve, vendimi përcaktoi se “shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), nga data 1 Janar 2014 e në vazhdim, të jetë 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale mujore, në shumën 1 294 lekë.

I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë, sipas vendimit, duke filluar nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës mujore minimale, prej 19 026 lekësh, e barabartë me 4 376 lekë në muaj. Sipas vendimit, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, është 4 200 lekë. Ndërkohë, të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1 janar e në vazhdim, derdhin kontribut mujor për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në masën 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale mujore për efekt të kontributeve të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në bujqësi, të barabartë me një vlerë prej 286 lekësh në muaj.