Shqipëria do të dalë në tregun ndërkombëtar për të zëvendësuar bondet aktuale që maturohen në vitin 2015.
Shqipëria ka në plan të dalë në tregun ndërkombëtar vitin e ardhshëm për të emetuar bonde në euro, në kohën kur bondet aktuale të emetuara në vitin 2010 maturohen, bën të ditur ministri i Financave, Shkëlqim Cani, për agjencinë “Reuters”.
Agjencia e vlerësimit të borxheve “Standard & Poor’s”, përmirësoi vlerësimin e Shqipërisë me parashikim Stabël nga Negativ javën e kaluar dhe rikonfirmoi vlerësimin B, pasi Shqipëria nënshkroi kontratën me FMN-në për kredi 331 milionë euro.
“Është e kuptueshme se ne do të dalim në tregjet ndërkombëtare vitin e ardhshëm, për shkak se eurobondet tona maturohen”, tha Cani, i cili gjendet për vizitë në Uashington.
“…dhe është e kuptueshme se ne nuk mund të hyjmë në tregjet ndërkombëtare pa qenë të përgatitur, kështu që deklarata e ‘Standard & Poor’s’ është një konfirmim se ne po përmirësohemi në treguesit e lidhur me huamarrjen në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.
Shqipëria mori 300 milionë euro bonde në tregun ndërkombëtar me çmim prej 7.5 për qind. Që nga viti 2010, interesat e bondeve në tregun ndërkombëtar kanë rënë ndjeshëm, si pasojë e përmirësimit të koniunkturës ekonomike. Në janar të këtij viti, bondet shqiptare në euro u shkëmbyen në tregun ndërkombëtar me interes prej më pak se 4.7 për qind, sipas të dhënave të “Open Data Albania”, gjë që do të thotë se qeverisë shqiptare i lind mundësia të emetojë bonde të reja me çmim po kaq të ulët, ose të blejë bondet ekzistuese duke i kursyer vetes interesat që paguhen çdo vit. Shqipëria paguan aktualisht rreth 23 milionë euro interesa për bondet ekzistuese. Një diferencë prej 1 për qind mes bondeve aktuale të emetuara dhe bondeve të reja mund të sjellë një kursim në interesa prej 3 milionë eurosh në vit.
Bondet sovrane në euro blihen nga investitorët ndërkombëtarë me ndërmjetësimin e bankave kryesore ndërkombëtare. Ato shiten në njësi prej minimalisht 50 mijë eurosh për bond dhe paguajnë kuponin e interesit të rënë dakord çdo vit