Open Data Albania po hulumton mbi tarifat e studimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Universitetin e Mjekësisë. Ky universitet ka në përbërjen e tij 5 fakultete, siç janë Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Stomatologjisë, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Fakulteti i Shkencave Teknike Mjekësore. Ky universitet ka qenë pjesë e Universitetit të Tiranës, por këtë vit akademik ka kaluar si universitet më vete.

Tarifat për ciklin e parë të studimeve i përkasin studentëve që regjistrohen në vitin e parë të studimit. Të dhënat e marra janë të vitit akademik 2012/2013 dhe vitit akademik 2013/2014. Këto tre fakultete nuk ofrojnë studime me kohë të pjesshme. Dy fakultetet e tjera ofrojnë studime të ciklit të parë dhe të dytë.

Fakulteti i Mjekësisë, i Farmacisë dhe ai Stomatologjisë ofrojnë Diplomë e ciklit të dytë të integruar, Master i Shkencave përkatësisht në Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është jo më pak se 5 vite akademike.

Tarifat më të larta i ka Fakulteti i Farmacisë dhe i Stomatologjisë, me përkatësisht 35,388 lekë/vit, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë ka tarifë më të ulët, prej 29,888 lekë/vit. Përsa i përket tarifave në dy fakulteteve të tjera, ato ofrojnë studime të ciklit të parë dhe të dytë si me kohë të plotë ashtu edhe me kohë të pjesshme.

Tarifë më të lartë për ciklin e parë të studimit ka Fakulteti i Shëndetit Publik me 35,883 lekë/vit, ndërsa Fakulteti i Shkencave Teknike Mjekësore ka një tarifë prej 29,888 lekë/vit. Krahasuar me një vit më parë këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%. (VKM Nr. 420, Datë 27/06/2012 dhe VKM Nr.565 Datë 27/06/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Fakulteti i Shëndetit Publik dhe i Shkencave Mjekësore ofrojnë studime të ciklit të dytë në master profesional dhe shkencor. Tarifat për masterin profesional janë të njëjta për të dy fakultetet, tarifë kjo prej 93,600 lekë. Po ashtu, edhe tarifat e masterit shkencor janë të njëjta në të dy fakultetet, tarifa këto prej 181,709 lekë. Krahasuar me një vit më parë edhe këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%. ( VKM Nr.548 dhe 549 Datë 16/08/2012 dhe VKM Nr.744 Datë 05/09/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në ndyshim nga fakultetet e tjera, Fakulteti i Shkencave Mjekësore ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë me kohë të pjesshme. Këto tarifa për vitin e shkuara ishin 59,520 lekë/vit, nëse ishte si fakultet i parë për studentin dhe 97,320 lekë/vit nëse ishte fakultet i dytë. Tarifat e masterit për vitin aktual janë 74,880 lekë, ku krahasuar me një vit më parë kanë pësuar një rritje me 10%. . (VKM Nr.646 Datë 19/09/2012, VKM Nr.743 Datë 05/09/2013 dhe Urdhër I përbashkët Nr.474 Datë 08/10/2012)

Kontribuoi: Ina Baja