1. Të sigurohet deklarim dhe dhurim me sistem bankar (jo kesh) për çdo vlerë dhurimi jo vetëm për vlerat dhe donatorët mbi 100 mijë lekë.
Neni 90 pika 2 e Kodit Zgjedhor, parashikon detyrimin e subjekteve për të pranuar shuma mbi 100 mijë lekë vetëm përmes llogarive bankare (jo vlera kesh). Gjithashtu edhe publikimi i donatorëve është parashikuar vetëm për kategorinë e dhuruesve mbi vlerën 100 mijë lekë. Ky fleksibilitet në deklarimin publik dhe në pranimin e parave përmes llogarive bankare ka rritur marzhin e mundësisë për pranime fondesh nga donatorë të paidentifikuar.
Duke konsideruar transparencën e burimeve financiare për fushatat elektorale si një element shumë të rëndësishëm për zgjedhje të rregullta dhe vullnete politike të pa deformuara, sugjerohet që ligji të ketë të parashikuar që subjektet apo partitë politike të pranojnë dhurata monetare vetëm përmes llogarive bankare.
Në tre fushatat zgjedhore të audituara, rezulton që vlerat e përfituara nga donatorë të shumave nën 100 mijë lekë, ndryshe donatorë për të cilët nuk është paracaktuar detyrimi për deklarim dhe regjistrim të detajuar (neni 90 parashikon vetëm për donator të vlerave mbi 100 mijë lekë), janë përkatësisht si vijon:
Fushata Zgjedhore 2009: 59% e vlerës Donacione ka burim donatorë të vlerave nën 100 mijë lekë. Në vlerë absolute kjo është 64 435 904 milion lekë. Pjesa tjetër janë donator për vlera mbi 100 mijë lekë.
Fushata Zgjedhore 2011: 78,8% e vlerës së Donacioneve janë nga donator për vlera nën 100 mijë lekë, donatorë të cilët nuk janë subjekt i parashikimeve të nenin 90 të Kodit Zgjedhor.
Fushata Zgjedhore 2013: 30 % e donacioneve janë donacione nën 100 mijë lekë (donator anonim).
2. Konflikti i Interesit. Të parashikohet më me detaje dhe me përcaktim rrethane para dhe pas procesit zgjedhor. Të vendoset kompetencë ligjore për kontrollin e Konfliktit të Interesit.
Sugjerohet rishikim i Kodit duke përcaktuar më qartë Konfliktin e Interesit; duke zgjeruar subjektet dhe rrethanat e përjashtuara; duke vendosur afat përjashtimi para dhe pas procesit. Gjithashtu ligji zgjedhor duhet të parashikojë qartë institucionin që do të bëjë verifikim të konfliktit të interesit.
3. Kompetencat e KQZ. Kompetencë ligjore si institucion monitorues, referues dhe rregullues.
Ligji aktual i përshkruan shumë ngushtë rolin e KQZ në procesin e transparencës dhe Auditimit të Financave Elektorale. Ky ligj adreson rolin në nxjerrje të akteve nënligjore; ndarjen e fondeve sipas formulës; organizimin e shortit të ekspertëve; monitorimin e afateve nga subjektet dhe në fund publikimin e raporteve.
Ligji do të duhej ti jepte kompetenca më konkrete KQZ duke e ngarkuar atë me detyrën e monitoruesit dhe referuesit të defekteve pranë institucioneve përkatëse. P.sh në rast konstatimi të ndonjë situate që shfaq element të problematikës fiskale rasti të referohet pranë Drejtorisë së Tatimeve; raste të transaksione financiare jo përmes bankës (aty ku ka parashikim ligjor) rasti ti referohet Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Apo në rast se konstatohet nga ekspertët ndonjë situatë që sjell dyshim dhe ngjashmëri me vepër penale, KQZ të ketë detyrë të referojë pranë organit të hetimit. Në analogji ky lloj detyrimi për referim me shkrim është i ngjashëm me detyrimin që ka KLSH të bëjë kallëzim penal kur konstaton abuzime të rënda në përdorimin e fondeve dhe aseteve publike gjatë punës së institucionit në auditim.
Gjithashtu KQZ do të duhej të kishte më shumë kompetenca si rregullator i procesit. Konkretisht partitë politike janë subjekte të rëndësishme të të drejtës publike. Rasti i Debive Elektorale (për më me detaje shiko artikuj mbi Shpenzime Elektorale në portalin Open Data Albania), i shoqëruar me moskërkimin e tyre është një problem që vë në dyshim pastërtinë e financimeve elektorale. Borxhmbajtësit afatgjatë janë kthyer në donator të fushatës dhe në rastin kur këto subjekte janë subjekte mediatike, borxhmbajtja apo donacioni pasiv cënon pavarësinë mes pushteteve. Do të ishte e nevojshme që KQZ të merrte edhe rol më konkret ekzekutiv të paktën për pjesën e fondeve që partitë marrin nga fonde publike. Këto fonde mund të përdoren për të shlyer debi që krijojnë konflikt interesi apo cenojnë pavarësinë e pushteteve dhe të mos u jepen partive kur ato janë debitore të institucioneve mediatike.
Për sa më lartë është e nevojshme që të bëhet rregullim ligjor pasi KQZ nuk mund të marrë kompetenca të këtij lloji përmes akteve nën ligjore. Kjo do ta bënte atë të cenueshme në zbatimin e tyre duke u dhënë të drejtë subjekteve të paragjykojnë punën dhe paanësinë e KQZ.
Gjithashtu procesi i auditimit të partive politike nuk mund të realizohet pa kapacitete njerëzore dhe logjistike. Kapacitete për të cilat nuk kemi asnjë referim ligjor, do ishte me vend të konsiderohej që një nga komisionerët e KQZ të kishte edhe rolin e Auditit me kompetenca të qarta dhe me përzgjedhje nga radhët e ekspertëve të pavarur.
Në shortin për përzgjedhjen e Ekspertëve Ligjor pas fushatës zgjedhore 2013 morën pjesë vetëm nëntë ekspert nga rreth dyqind të tillë që ushtrojnë me licencë këtë profesion. Mbajtja e shortit vetëm me nëntë subjekte që shprehën interes (lexo për me shume http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/833/Komisioni-Qendror-i-Zgjedhjeve-shkel-Kodin-Zgjedhor-per-Financimin-e-Subjekteve) cënoi cilësinë e procesit. Kështu tek një ekspert i vetëm u përqendruan 5 – 6 subjekte politike për auditim. Ndërsa kriteri ligjor që parashikon që shorti duhet hedhur me jo më pak se 20 ekspert nuk u respektua. Mos paraqitja e shumë prej tyre në proces lidhet me mos pagesa të punës ndër vite sikurse edhe me vështirësi që mbart procesi i auditimit me palë subjekte me pushtet politik e më tej ekzekutiv. Ndryshe nga rasti i gjyqtarit të Kolegjit Zgjedhor, Eksperti Kontabël nuk ka marrë asnjë garanci ligjore që e siguron dhe e bën atë të pandikueshëm apo pacenueshëm në punën e tij. Detyre e ekspertit kontabël është tepër delikate dhe ligji i ngarkon ata me detyrimin për të konstatuar dhe nënshkruar mbi rregullsi apo parregullsi kontabël të subjekteve me shumë pushtet (ekzekutiv dhe legjislativ).
Çështja e pagesave të prapambetura mund të rregullohet edhe përmes buxhetit organik të vetë KQZ. Komisioni si palë që bën emërim me short ka detyrim të garantojë pagesën për punën të cilën vetë Komisioni urdhëron. Në rast se partitë nuk përgjigjen këtij detyrimi atëherë KQZ të shlyej shërbimet e Ekspertëve dhe të vlerësojë shumën si detyrim i partive ndaj KQZ.
4. Shfuqizim i nenin 84 pika 6.
Ky nen krijon një burim shtesë financimi për partitë e mëdha politike. Mënyra se si aplikohet implikon në transaksione financiare dhe veprimtari fiskale edhe institucione të medias duke krijuar situata ekonomike konfidenciale mes partive dhe televizioneve apo radiove. Është një nen që ka një realitet të vështirë monitorimi duke tentuar të implikojë në monitorim shumë organizma (bordi i medias; zyra e tatimeve etj). Situata e parashikuar në këtë nen është aplikuar në mënyrë arbitrare në zgjedhjet për pushtet vendor 2011 nga të paktën një parti dhe dy subjekte mediatike , megjithëse ky nen duhet të aplikohet vetëm për zgjedhje në Kuvend. Gjithashtu realiteti aktual referon se ka mbingarkesë sasiore në kohë mediatike gjatë fushatave zgjedhore çka ul edhe cilësinë e programeve mediatike. Nuk jemi në situatën e fillimit të pluralizmit ku subjektet politike kishin vështirësi ekonomike për të siguruar mjete financiare për reklamë politike dhe komunikim me votuesit.
5. E drejta për informim në kontekstin e Ligjit Zgjedhor.
Gjithashtu ekipi i analistëve që punon pranë Projektit Open Data Albania, fton të interesuarit dhe përfaqësues të medias të njihen më një listë parregullsish apo shkeljesh të konstatuara dhe zbardhura gjatë procesit Zgjedhor dhe të publikuara në portalin e saj përmes artikullit me titull Të dhëna dhe vizualizime mbi Fondin Donacionet, Borxhet dhe Shpenzimet Elektorale 2013.
http://open.data.al/en/lajme/lajm/id/965/Te-dhena-dhe-vizualizime-mbi-Fondi-Donacionet-Borxhet-dhe-Shpenzimet-Elektorale-2013
Me respekt
Aranita BRAHAJ
Drejtore Ekzekutive
Instituti Shqiptar i Shkencave
Programi Open Data Albania
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/770/Donacione-ne-Fushaten-Zgjedhore-2009
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/746/Donacione-ne-Fushatsq-Zgjedhore-2011
- http://open.data.al/en/lajme/lajm/id/957/Vlera-per-Donacione-ne-Fushaten-Zgjedhore-2013
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/956/Donator-te-deklaruar-ne-Fushate-Zgjedhore-2013
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/766/Detyrime-financiare-te-pashlyera-nga-parti-politike-subjekte-ne-Fushate-Zgjedhore-2011
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/833/Komisioni-Qendror-i-Zgjedhjeve-shkel-Kodin-Zgjedhor-per-Financimin-e-Subjekteve
- http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/739/LSI—Fonde-dhe-Shpenzime-Elektorale-2011