Open Data Albania po hulumton mbi të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Tatimi mbi vlerën e shtuar TVSH, është një tatim që paguhet për të gjitha furnizimet e tatueshme të mallrave dhe shërbimeve të kryera kundrejt pagesës prej një personi të tatueshëm, si pjesë e veprimtarisë së tij ekonomike në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe për të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë. Shkalla tatimore e TVSH-së është 20% e shumës totale të paguar për furnizimin/mallin.  (LIGJ Nr.7928 datë 27.4.1995)

Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë një zë tepër i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore. Në vitet 2009-2013 këto të ardhura kanë zënë mesatarisht 35% të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Në vitin 2011 janë mbledhur dhe të ardhurat më të mëdha prej 119,189 mln lekësh. Në dy vitet e fundit kemi një tendencë në rënie të këtyre të ardhurave, ku në vitin që lamë pas të ardhurat nga TVSH-ja ishin 112,911 mln lekë.


Burimi: Min.Financave
Përpunimi dhe komentet:ODA

Mbledhja e TVSH-së bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për mallrat e importit dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për transaksionet e brendshme. Të ardhurat e mbledhura nga TVSH-ja në import kanë ardhur në rritje të vazhdueshme përgjatë viteve, ku mesatarisht përgjatë këtyre pesë viteve kanë zënë 76% të të ardhurave nga TVSH-ja. Nga ana tjetër TVSH-ja e mbledhur nga transaksionet e brendshme ka ardhur në rënie të vazhdueshme, ku pesha e tyre është mesatarisht 24% të të ardhurave nga TVSH-ja.


Burimi: Min.Financave
Përpunimi dhe komentet:ODA

Në vitin 2013, nga TVSH-ja në import u mblodhën 88,976 mln lekë, rreth 79% e totalit të TVSH-së dhe nga TVSH-ja e transaksioneve të brendshme u mblodhën 23,935 mln lekë, rreth 21% e totalit të TVSH-së.



Burimi: Min.Financave
Përpunimi dhe komentet:ODA

Të ardhurat e mbledhura nga transaksionet e brendshme vijnë nga veprimtaria e sektorëve kryesorë të ekonomisë, siç janë prodhimi, ndërtimi, transporti, tregtia dhe shërbimet. Përgjatë tre viteve të fundit sektori me kontributin më të madh në të ardhurat nga TVSH-ja është ai i shërbimeve, nga i cili vijnë rreth 36% e të ardhurave të TVSH-së nga transaksionet e brendshme.

Ky sektor ndiqet nga sektori i prodhimit i cili zë 27% të të ardhurave të TVSH-së nga transaksionet e brendshme, sektori i ndërtimit me 20% të të ardhurave të TVSH-së nga transaksionet e brendshme, sektori i tregtisë me 15.5% të të ardhurave të TVSH-së nga transaksionet e brendshme dhe së fundmi sektori i transportit me 1.5% të të ardhurave të TVSH-së nga transaksionet e brendshme.


Burimi: Min.Financave
Përpunimi dhe komentet:ODA

Rimbursimi për TVSH-në gjatë këtyre viteve ka pësuar luhatje. Në vitin 2009 vlera e TVSH-së së rimbursueshme në total ishte 3,086 mln lekë dhe e gjithë kjo vlerë ishte e rimbursueshme nga DPT. Në vitin 2010 rimbursimi i TVSH-së arriti në 8 260 mln lekë, ku 6,159 mln lekë u rimbursuan nga DPT dhe 2,101 mln lekë u rimbursuan nga DPD. Në vitin 2011 pati një rënie të vlerës së TVSH-së së rimbursueshme, e cila ishte 6,758 mln lekë, shumë kjo e rimbursushme nga DPT. Në vitet 2012 dhe 2013 rimbursimi i TVSH-së është bërë nga DPT, përkatësisht në vlerat 7,014 mln lekë për vitin 2012 dhe 7,400 mln lekë për vitin 2013.


Burimi: Min.Financave
Përpunimi dhe komentet:ODA

Kontribuoi: Ina Baja