Radio Televizioni Shqiptar është një institucion që funksionon me taksat që paguajmë dhe kryesisht financohet nga buxheti i shtetit. Por shpenzimet e këtij institucioni mbeten të paqarta, të paktën sipas hulumtimit të bërë nga Open Data Albania. Karakteristikë dhe defekt për reklamimin publik të ekzekutimit të transaksioneve të këtij institucioni përmes Thesarit të Shtetit është mos deklarimi i përfituesit  të transaksionit, saktëson ky studim. 

Gjithashtu përshkrimi përgjithësues i shumë prej zërave të shpenzimeve e bën të paqartë peshën e shpenzimeve për burime njerëzore kundrejt shpenzime logjistike apo programe të veçanta. Këto defekte të standardit dhe kategorive kontabël e bëjnë këtë institucion jo transparent në detyrimin për të informuar publikun mbi mënyrën se si shpenzohen para të taksapaguesve.