Skandal me njoftimet dhe publikimet në Bashkinë e Tiranës. Bashkia më e madhe në Shqipëri, e vënë ditët e fundit në shënjestër të qeverisë, ka marrë trajtën e një shtëpie botuese dhe çerdheje korrupsioni. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, pas mashtrimit me 27 premtimet më të bujshme, ka shpërdoruar paratë e taksapaguesve kryeqytetas. Ky institucion, në harkun kohor prej 6 muaj, ka paguar 149 mije USD për “publikim librash dhe publikime profesionale”. Transaksionet dhe shifrat janë zbardhur nga Open Data Albania, bazuar në të dhënat e thesarit. Ndërkaq, monopolin e publikimit të librave e kanë tre klientë të Lulzim Bashës. Sa i takon shumës së harxhuar, një shumë të tillë nuk e harxhon as Qendra e Publikimeve Zyrtare në dy vjet.

Asnjë institucion nuk ka kaq shumë pagesa për njoftime dhe publikime. Duket qartë sa janë sajuar njoftimet dhe publikime vetëm për të ushqyer mediat pranë Lulzim Bashës me paratë e taksapaguesve. Kjo për shkak se njoftimet janë publikuar te të gjitha mediat pranë Bashkisë së Tiranës, duke konsumuar hapur disa vepra penale, për favorizim, diskriminim dhe diferencim të tenderave si dhe duke shpërdoruar detyrën. Pikërisht, për ndarje të padrejtë të njoftimeve dhe reklamave, prokuroria ka nisur hetimet ndaj një ish-ministri të Sali Berishës, siç është Arben Imami, ndaj dhjetëra zyrtarëve dhe drejtorëve. Por, me sa duket stafi dhe drejtorët e Bashës nuk e kanë marrë mesazhin, për shkak se zyrtarët në fjalë nuk kanë shkuar ende në gjykatë për të dhënë llogari.    

Njoftimet për punë    

Dihet mekanizimi i punësimeve në Bashkinë e Tiranës. Punësohen militantët, sekserët dhe familjarët me rekomandim dhe më pas hapet konkursi. Por, Lulzim Basha ka vendosur që edhe me këtë farsë të kënaqë klientët e bashkisë. Basha ka botuar njoftimet për punë në tre gazeta. Ajo që ngre hije dyshimi për këtë procedurë është fakti se askush nuk bën transparente se çfarë po ndodh realisht, dhe përse po harxhohen miliona lekë për të bërë njoftime në media, kur me këto para mund të bëheshin pagesat e punonjësve që janë hequr padrejtësisht nga puna dhe gjykata ka vendosur t’u paguhet paga e plotë derisa bashkia t’i rikthejë sërish në punë. Sipas rregullores për të hapur një vend të ri pune, Bashkia e Tiranës duhet të çojë fillimisht kërkesë në Këshillin Bashkiak dhe vetëm pas miratimit në këshill, kalohet tek procedurat konkrete. Në këtë rast kjo procedure nuk është zbatuar. Shpallja e konkurseve për mbi 120 vende pune në bashkinë e Tiranës, bie ndesh edhe me kërkesën që qeveria e Shqipërisë i ka bërë të gjithë administratës publike që të marrë masa për reduktim me 30 % të stafeve, për shkak të krizës ekonomike.    

Lumi i parave    

Në kohën kur Shqipëria po kalon një periudhë krize, kur arka e shtetit është lënë bosh nga qeveria Berisha dhe mungojnë paratë dhe për ndihmën e njerëzve në nevojë dhe me aftësi të kufizuar, pushteti vendor i kryebashkiakut Lulzim Basha vazhdon me të njëjtën logjikë të shpërdorimit të fondeve: lumë parash dhe reklamash për mediat që i favorizojnë. Adriatik Doçi