Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kreu i PD, gjatë gjithë karrierës së tij politike është shoqëruar me skandale financiare, mes të cilave ato të spoteve dhe reklamave publicitare.
Dhe tashmë kur PD ka humbur pushtetin qëndror, duke qënë në krye vetëm të bashkisë së Tiranës, sërish reklamat nga ana e Bashës janë përzgjedhur brenda “gardhit” të gazetave që janë afër tij, dhe aspak nuk kanë ndjekur shpërndarjen e drejtë për gjithë aktorët e shtypit, përmes një rotacioni normal siç po bëhet në ministritë dhe institucionet qëndrore.Më konkretisht, vetëm katër gazeta, dy prej të cilave me të njejtin botues kanë marrë në 4 muaj, nga marsi deri në korrik 2014 plot 14.932.000 lekë të reja reklamë fond që ka dalë nga ana e degës së thesarit, vetëm e vetëm se kanë reklamuar punët e bashkisë së Tiranës. Kështu, Media MAPO ka marrë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës me vetëm tre reklama me plot 4.740 000 lekë të reja. Gazeta tjetër afër Bashës, Standard L.T.D në tre reklama të publikuara për punët e bashkisë së Tiranës ka marrë nga dega e thesarit 3.744 000 lekë të reja. Ndërsa FOCUS Press që boton “Gazeta Shqiptare” ka marrë vetëm dy reklama nga Basha por me një vlerë goxha të kripur, plot 5. 512 000 lekë të reja.
Njëherësh mediat tjetër e shkruara me të njejtin botues me FOCUS Press, përkatësisht Panorama Group, botues i gazetës Panorama ka marrë katër reklama nga Basha me një shumë të dalë tashmë dhe të paguar nga thesari, me një vlerë 936 000 lekë të reja. Ndërkohë që mediat e tjera, pavarësisht tirazhit të lartë, rezulton të mos kenë marrë asnjë lek nga bashkia, për shkak se nuk kanë mbajtur linjën politike që i pëlqen kryetarit të bashkisë Basha.