Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë haptazi sponsorizuese për mediat pro- Bashës si kryetar i PD. Një organizatë joqeveritare, Open Data Albania, ka publikuar së fundi shifrat prej afërsisht 300 mijë dollarë që Bashkia i ka ofruar gazetës Standard, një e përditshme e papërfillshme në treg, gazetës Mapo si dhe Panorama Grup dhe Tv Scan gjatë muajve të fundit.
Pagesat janë ofruar kryesisht për shërbime reklamash.
Klientelizmi në reklamat nga paratë e buxhetit është një fenomen i njohur, por ajo që bie në sy tek veprimi i fundit i Bashës nuk është sponsorizimi i miqve të tij, por anashkalimi i gazetës 55 dhe gazetës RD, të cilat nuk janë në listë.
Edhe pse RD është gazetë partiake, ish- ministri Sokol Olldashi e mbështeste atë me fushatat publicistike të ministrisë së tij, duke konfirmuar qëndrimin partiak të tij në këtë pikë, ndërsa institucione të tjera të pushtetit të PD kanë sponsorizuar hapur gazetën 55, siç ishte rasti i Postës Shqiptare.
Qëndrimi i ri i Bashës ndaj mediave partiake të PD tregon se ai është duke larguar prej vetes mediat e vjetra të PD dhe po krijon lidhje personale me biznesmenët e mediave private, me paratë e Bashkisë.