Ndërsa pritet të rishikohet çmimi i energjisë, familjeve shqiptare, energjia u kushton më shtrenjtë se në çdo vend të rajonit të Ballkanit. Sipas të dhënave te Institutit Europian të Statistikave, të krahasuara nga Open Data Albania, vitin e kaluar, një familje shqiptare pagoi mesatarisht 0.116 euro për kilovatorë, duke u renditur vetëm pas Rumanisë, e cila ka një çmim prej 0.132 euro për kilovatorë. 
Sipas këtyre të dhënave, Maqedonia, Bosnja dhe Bullgaria kanë çmimet më të ulëta të energjisë. Prodhimi i energjisë në vend vjen tërësisht nga burimet ujore. Kjo formë siguron prodhimin më të lirë të energjisë elektrike, por vlera e saj rritet artificialisht rrugës, si nga rrjeti i amortizuar i shpërndarjes edhe administrimi jo efektiv në mbjedhjen e të faturave. 
Sipas të dhënave të krahasuara, në Bashkimin Europian çmimi është përafërsisht 80% më i lartë, ose 0.2 euro për kilovatorë. Vendi me çmimin më të shtrenjtë është Danimarka, ku familjet paguajnë 30 cent të euros për kilovatorë energji. Ndryshimi në këtë rast është se familjet daneze kanë të ardhura disa herë më të larta se familjet shqiptare. Në vendin tonë, çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar katër vitet e fundit, dhe mesatarja e paguar nga familjet, ka qëndruar në 0.12 eurocent. 
Rritja e çmimeve të energjisë, dy skenarët e propozuar nga Banka Botërore dhe FMN 
Dy jane propozimet e Bankes Boterore për mënyrën sesi duhet te rritet çmimi i energjisë. I pari parashikon heqjen e fashës prej 300 kilovatore, qe paguhet me nje çmim me te ulet pre 7.7 lekesh. Ky variant nënkupton pagesen e të njëjtit çmim për çdo kilovatorë të konsumuar në muaj pa asnjë dallim. Pas kësaj çmimi bëhet 13.5 lekë për kilovat, qe praktikisht eshte dyfishim i faturave te energjise. Një variant i dytë është ai i uljes së fashës per te cilën aplikohet cmimi i ulet. Aktualisht deri ne 300 kilovat ore paguhet cmimi prej 7.7 lekesh. 

Propozimi është qe ky çmim i ulur te paguhet deri ne 200 kilovat. Të dyja këtë variante pritet të sjellin rritje të faturës përfundimtare, ndonëse Banka Botërore nuk harron te përmendë mbrojtjen e konsumatorit, nje fakt qe u përmend edhe nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri. 

Edhe shefi i FMN-së, ne daljen e tij publike pak dite me pare permendi serish nevojen per rritjen e çmimit te energjisë. Ndërkohë kompanitë prodhuese të energjisë po bëjnë gati dokumentet për kërkuar rritjen e çmimit, ndërsa Enti Rregullator vlerësohet se po bën gati metodologjinë e re për llogaritjen e tarifave. 
PS premtoi uljen e TVSH në 6 për qind, tani i vë qytetarët përballë rritjes së çmimit 
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit shqiptarët besuan edhe se nëse e majta vinte në pushtet, jo vetëm nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për ta, por edhe TVSH-ja për këtë shërbim do të ulej nga 20 në 6%. Kështu u shkrua edhe në faqet e programit të Rilindjes, u pohua dhe në prezantimin e tij televiziv në emisionin opinion të datës 13 qershor, 10 ditë para votimit. Vlera e TVSH së energjisë do të ulej që më 1 janar 2014 dhe krahas kësaj investime të mëdha në rrjetin energjetik do të kryheshin. 
Me këto dhe shumë premtime të tjera socialistët fituan më 23 qershor, por tani pak ditë nga 1 vjetori i mandatimit të qeverisë në Parlament, premtimi për energjinë nuk u mbajt. Jo vetëm që TVSH e energjisë nuk u ul, i cili do te çonte edhe ne uljen e çmimit, por Ministri i Energjetikës u orvat t’u sqaronte shqiptarëve se nuk bëhej pa rritur dhe çmimin. 
Ekspertët: Rritja e çmimit të energjisë duhet të jetë zgjidhja e fundit 
Ekspertet e ekonomisë kundërshtojnë rritjen e çmimit te energjisë duke theksuar se ka mjaft pune per të bërë në rritjen e arkëtimeve dhe përmirësimin e sistemit. Sipas tyre, një rritje e mundshme e çmimit do të reflektohet ne shtrenjtimin e të gjithë produkteve, e rrjedhimisht në varfërim të shqiptarëve. Rritja e çmimit të energjisë elektrike shihet me shqetësim nga ekspertë, për efektet që kjo do të sjellë tek konsumatorët. 
Reforma sipas tyre duhet të fillojë nga humbjet e energjisë, pasi gati gjysma e saj nuk paguhet. Ndersa i gjithë sistemi, nga prodhimi deri tek shpërndarja kërkon një menaxhim më të mirë. Një rritje çmimi, tregon pak angazhim në menaxhim, sipas zonjës Zana Guxholli. Më pak kuptim ka rritja e çmimit, pas marrjes së huasë pikërisht për këtë produkt. Ekonomistët vlerësojnë se rritja e çmimit të energjisë do të shtrenjtojë edhe produktet e tjera, e rrjedhimisht do të ulë mundësitë për konsum.