Kontrolli
Nga 1 shtatori ka nisur aksioni i Doganave për mjetet me targa të huaja

Rreth 20 mijë automjete me targa të huaja ose të paregjistruara qarkullojnë ilegalisht. Ky është konstatimi i “Crown Agents”, që asiston doganat shqiptare. Pas mallrave të akcizës, që janë prioritet i shpallur i doganave, këto mjete janë shënjestra e dytë e kësaj administrate. Drejtori i këtij misioni, David Smith, deklaroi dje se, “kemi një përqindje të përafërt të automjeteve që qëndrojnë në Shqipëri në shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm dhe mendojmë se kjo shifër është diku te 5% e totalit të automjeteve”. Në Shqipëri, sipas “Open data”, qarkullojnë rreth 400 mijë mjete motorike.

Ulen penalitetet

Nga 1 shtatori, doganat kanë nisur një kontroll të rreptë për makinat në shkelje të atij që quhet regjim i  përkohshëm i  makinave të regjistruara jashtë shtetit. Sjellja e makinave nga jashtë dhe mbajtja e tyre për tregti duke shkelur kushtet e regjimit të lejimit të përkohshëm, është objekt i udhëzimit të detajuar që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u ka bërë thirrje përdoruesve të makinave me targa të huaja ose pa targa, të paraqiten vullnetarisht në dogana, duke përfituar ulje sa gjysma e penalitetit. Çdo përpjekje për të sjellë në Shqipëri automjete të cilat importohen nën këtë regjim, për përdorim të përhershëm apo për interesa ekonomike, për rishitje apo për pjesë këmbimi, konsiderohet si e jashtëligjshme dhe ndëshkohet. Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore, sipas udhëzimit, për t’i dhënë destinacion automjetit (për shembull për të kryer zhdoganimin), penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara.

Por, nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajve përtej përfundimit të afatit të lejuar të regjimit të lejimit të përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara. Kur kjo ndodh pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar të regjimit të lejimit të përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara.

Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtëmujore të lejimit të përkohshëm, si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varion nga 50 000 në 200 000 lekë. Prej muajit shkurt të këtij viti, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe “Crown Agents” kanë ndërmarrë një numër të madh kontrollesh në ambientet e shitësve të makinave të përdorura, varrezave të makinave, si edhe të personave fizikë. Në gjashtë muajt e fundit, këto grupe të përbashkëta operative kanë bllokuar rreth 400 automjete, të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën regjimin e përkohshëm të automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit.

Detyrime të pambledhura

Lidhur me mbledhjen e detyrimeve në zëra të tjerë të doganës, drejtori David Smith është shprehur për Vizion Plus se, “Është mundësuar mbledhja e një sërë pagesash nga bizneset, për sa u përket detyrimeve doganore dhe atyre të Akcizës”. Aktualisht, kontrollet po përqendrohen tek ato subjekte të cilat shfaqin rrezik për sa i përket mbledhjes së të ardhurave, qoftë përmes mashtrimit të mundshëm apo përmes mospagimit të plotë të detyrimeve të Akcizës. Sipas vlerësimit të Crown Agents, janë identifikuar rreth 4,6 milionë euro të ardhura, të cilat mund dhe duhet të ishin arkëtuar. Nga fillimi i punës në terren e deri në datën 9 gusht 2014 janë kryer rreth 2600 inspektime dhe janë konstatuar 800 raste shkeljesh të regjimeve doganore.

Doganat

Shkeljet

Për 6-mujorin e parë janë kryer 2600 inspektime dhe janë konstatuar 800 raste shkeljesh doganore.

Detyrimet

Nga Crown Agents janë identifikuar rreth 4,6 milionë euro të ardhura, të cilat duhet të ishin arkëtuar.

Objektivi

Objektivi i caktuar për misionin e asistencës Crown Agents është që të rrisë të ardhurat me 1% të PBB-së.