Siç ishte përfolur dhe më parë, çmimi i energjisë elektrike do të rritet, ndaj dhe tarifat për konsumatorët do të ndryshojnë. Ndërkohë, sistemi aktual me tarifa të ndryshme për pagesën e energjisë elektrike, në vartësi të konsumit, duket se do të mbetet në fuqi edhe vitin e ardhshëm. Sistemi, që diferencon çmimet për konsum më të ulët apo më të lartë se 300 kilovatorë në muaj për konsumatorin familjar ka gjetur miratimin nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe nga ekspertë të energjetikës apo të nuancave publike.

Tarifa për konsumin nën 300 kilovatorë do të jetë rreth 57 për qind e asaj për çdo kilovatorë të konsumuar nga familjarët përtej këtij kufiri virtual. Gjatë procesit të zgjedhjes dhe pas tij, kreu i ERE-s Petrit Ahmeti u shpreh në favor të ndryshimit të këtij sistemi pagesash të energjisë, por duket se tashmë qëndrimi i tij ka ndryshuar.
Çmimi i energjisë për familjarët

Për familjarët, është propozuar që të dy tarifat të rriten në një masë të vogël. Kështu, për fashën e konsumit deri në 300 kilovatorë në muaj do të përdoret tarifa prej 8 lekësh të reja për një kilovatorë, në rritje me 0.3 lekë, nga 7.7 lekë që është aktualisht. Ndërkohë, për tarifimin e dytë do të përdoret çmimi 14 lekë për një kilovatorë, nga 13.5 që është aktualisht.

Kjo përbën një rritje në masën 3.8 për qind për fashën më të ulët dhe 3.8 për qind për konsumatorët që tejkalojnë 300 kilovatorët në muaj. Por rritja reale do të ishte në shifra minimale për familjarët. Kështu psh për një konsum 200 kilovatorësh, do të kalohej nga një faturë me vlerë 1.848 lekë, në 1.920 lekë, pra me rritje nominale përfshirë TVSH-në në masën 70 lekë. Ndërkohë, për një konsum 600 kilovatorë, rritja në një muaj do të ishte nga 7.632 lekë, në 7.920 lekë, pra afro 300 lekë në muaj. Edhe për një konsum në masën 1 mijë kilovatorë, fatura me TVSH do të ishte 12.200 lekë, nga 11.760 lekë, 560 lekë më shumë në një muaj. RRITJA Shifra të tilla nuk mendohet të rëndojnë buxhetet familjare, por ajo që do të “godasë” opinionin publik është vetë fakti i rritjes së çmimit.

Qeveria. në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit shqiptarëve iu premtua se TVSH-ja për këtë shërbim do të ulej nga 20 në 6%. Kështu, vlera e TVSH së energjisë do të ulej që më 1 janar 2014 dhe krahas kësaj investime të mëdha në rrjetin energjetik do të kryheshin. Kjo, në një kohë kur familjeve shqiptare energjia u kushton më shtrenjtë se në çdo vend të rajonit të Ballkanit.

Sipas të dhënave te Institutit Europian të Statistikave, të krahasuara nga Open Data Albania, vitin e kaluar, një familje shqiptare pagoi mesatarisht 0.116 euro për kilovatorë, duke u renditur vetëm pas Rumanisë, e cila ka një çmim prej 0.132 euro për kilovatorë. Sipas këtyre të dhënave, Maqedonia, Bosnja dhe Bullgaria kanë çmimet më të ulëta të energjisë. Vlera e saj rritet artificialisht rrugës, si nga rrjeti i amortizuar i shpërndarjes, edhe administrimi joefektiv në mbledhjen e faturave. Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se një rritje e mundshme e çmimit do të reflektohej në shtrenjtimin e të gjithë produkteve.