Partia Demokratike vazhdon me akuzat në adresë të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Deputetja të PD-së, Grida Duma theksoi në një deklaratë për mediat se “skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat”. 
“EAG, kompania e Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, rezulton të jetë një grykëse e madhe. Kjo firmë qeveritare është ushqyer në mënyrë sistematike nga çdo institucion shtetëror. 
Skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat. 
Kjo kompani është bërë e pasur me taksat e shqiptarëve. 
Kemi këtu dokumentin e degës së thesarit që tregon paratë që kanë shkuar për EAG, pra për Veliaj and CO. 
Agjencia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti.
Agjencia kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti. 
Agjencia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti. 
Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë leekë për EAG në mars të këtij viti. 
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti. 
Aluizni, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti. 
Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti. 
Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG
Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjencive e ministrive, që të japin para për EAG.”- deklaroi Duma. 
“Përpara se të bëhej kaq e pasur, EAG ishte Gogla e Veliajt. Shqiptaret e dinin se kështu quhej kompania e regjistruar në emër të vëllait të Ministrit të Mirëqënies. Kur ishin në opozitë, sërish ata përfiton fonde. Kështu Gogla e Veliajt, ka marrë para nga bashkitë socialiste. Më e turpshmja është një shumë prej 3 milionë e 500 mijë lekësh që ka marrë nga Bashkia e Urës Vajgurore. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore është daja i Erion Veliajt, e patjetër ai do ti jepte nipit ca taksa të shqiptarëve. Por Gogla e Velijat, edhe pse në opozitë në atë kohë, ka marrë para edhe nga Bashkia e Durrësit, apo nga Avokati i Popullit.
Kur erdhën në pushtet rilindasit, Gogla u rrit, dhe u bë EAG. E provuar tashmë nga adresa e përbashkët që kanë pasur në një moment të historikut, i njëjti apartament në Tiranë, i ndryshuar emrin nga Gogel në EAG. Në pushtet, oreksi është rritur shumë, dhe EAG është majmur me abuzime e përfitime me taksat e shqiptarëve. 
Edhe pse vetëm me disa muaj jetë, EAG që nuk paraqet dot një bilanc të vitit të shkuar, rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit të paktën 520 milionë lekë. Kjo është vetëm një pjesë e përfitimeve”, theksoi Duma. 
“Po mekanizmi i ngritur është skandaloz, është i pështirë. Cdo zyrë shteti i jep para të njëjtës kompani. Cdo zyrë shteti i jep para Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës. Kjo pra është qeverisja e Edi Ramës. Cdo gjë për xhepat dhe mirëqënien personale të Ministrit Veliaj e miqve të kryeministrit. Ky pasurim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe taksave të tyre, ndodh pikërisht në kohën e varfërisë dhe skamjes, në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave, të cmimit të energjisë, të cmimit të naftës. E keqja duhet ndalur.”- përfundoi ajo.