Kostoja me të cilin nis borxhi publik nga janari 2015 do të jetë një barrë, plus që do të rëndojë tek çdo qytetar shqiptar. Xhepi i qytetarëve shqiptarë do të paguajë plot 5 miliardë lekë, apo 50 milionë dollarë më shumë shpenzime për interesat e çdo borxhi, që qeveria parashikon të ndërmarrë gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, portofolit  familjar në fund të çdo muaji nuk do t’i shtohet vetëm ngarkesa e re fiskale që nis në janar, por edhe interesat e borxhit, të cilat do të paguhen prej çdo qytetari. Të dhënat më të fundit që publikon Open Data Albania për funksionet e buxhetit për vitin e ardhshëm reflektojnë një barrë  të dukshme dhe të drejtpërdrejtë, e cila medoemos do të rëndojë edhe në rritjen ekonomike. Shpërndarja e parave në buxhetin e vitit 2015, nuk kontribuon as në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe as në rritjen ekonomike të vendit apo krijimin e vendeve të punës. 
Shifrat e këtij buxheti, edhe një herë tregojnë që ky buxhet është në funksion të qeveritarëve dhe jo qytetarëve shqiptarë. Nga janari, buxheti nis me një rritje të shpenzimeve administrative në një kohë, kur totali i shpenzimeve rritet shumë pak dhe investimet nuk rriten aspak. Ashtu si një vit më parë, qytetarët e dinë tashmë që nuk do të ketë rritje të pagave dhe të pensioneve. E ndërsa nuk do të ketë rritje pagash dhe pensionesh, fatkeqësisht ka rritje të shpenzimeve për pagat e qeverisë, sepse qeveria rrit numrin e punonjësve të administratës publike nga janari i 2015. Dhe në faklt bëhet fjalë për një rritje të numrit të atyre punonjësve, që nuk prodhojnë asgjë, përveçse i krijojnë rehati  Kryeministrit. Pra, shtesa më e madhe e shpenzimeve operative i përket kryesisht policëve dhe administratës, për të qenë kështu në një shërbim direkt të Kryeministrit. Pra, lëvrimi i huave të njëpasnjëshme rrit në mënyrë të shfrenuar borxhin edhe për vitin e ardhshëm. E gjitha kjo, ka lënë një pasojë që do të vazhdojë në vite dhe vetëm në vitin 2015 do të jetë 9 miliardë lekë kostoja e borxhit publik.  
Gropa që do të hapë evazioni fiskal mbyllet nga qeveria me rritjen e taksave
Gropa që do të hapë evazioni fiskal mbyllet nga qeveria me rritjen e taksave. Bëhet fjalë për një evazion, ku minimumi arrin në 40%. Duke ju referuar të dhënave, ndërsa qeveria pretendon se po e ul borxhin, fare qartë mund të kuptohet se pesha e borxhit në raport me PBB mbetet më e larta në histori përjashtuar vitin e qeverisjes së Partisë Socialiste. Sa i takon zërit të investimeve, ato nga 80 miliardë lekë kanë zbritur në 67 miliardë lekë dhe në këtë nivel do të jenë edhe në vitin 2015. Pra, do të kemi zero rritje investimesh. Pra, nuk ka rritje në shuma absolute, përkundrazi ka një rënie kundrejt PBB që është tendenca më negative. 
Problemi më i madh, brenda investimeve, është tek infrastruktura, e cila përfaqëson pjesën më aktive që kontribuon në rritjen ekonomike. Pra, nga 23 miliardë lekë që kanë qenë në buxhetin e 2014, në vitin 2015 vihet re një rënie në rreth 20 miliardë e 500 milionë lekë. Pra, kemi një rënie me rreth 3.5 miliardë lekë të investimeve publike në infrastrukturë. Problemi më i madh është që ky buxhet edhe me këto shifra nuk ka siguri, mbart me vete shumë rreziqe, kjo pasi vitin e ardhshëm qeveria duhet të skontojë eurobonde dhe duhet të marrë në tregun e huaj, pa futur efektin e tregut të brendshëm, 70 miliardë lekë. Qeveria duhet ose ka marrë përsipër detyrimin që të lëshojë garanci 15 miliardë lekë për blerjen e energjisë elektrike. Por nga ana tjetër, rezervat që ka krijuar në buxhet për të përballuar rrisqet e mundshme janë vetëm 5 miliardë lekë. 
Sektorët që marrin vëmendjen më të vogël të vëmendjes së qeverisë
Referenca më e mirë është arsimi që dukshëm ka ulje të investimeve për 2015 kur, ndryshe nga premtimi i bujshëm prej 5% të arsimit në PBB dhe dyfishim të buxhetit, në buxhetin e 2015 kemi 400 milionë lekë ulje të ardhurash për këtë zë. Po ashtu e tillë është edhe shëndetësia, me një rritje minimale që nuk përmbush dhe garanton asnjë objektiv apo standard të premtuar për shërbimet shëndetësore, por në rastin e arsimit, kemi bërë këtë ilustrim që buxheti ulet me 400 milionë lekë. 
Qeveria godet pushetin vendor
Goditje të madhe me buxhetin e vitit të ardhshëm merr edhe pushteti vendor. Për çdo njësi buxheti ulet nga 5% deri në 29% në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014 dhe ndryshe nga tendenca historike, ka edhe një ulje të shumës totale të kësaj transferte, nga 2014 në 2015, që është në rreth 13 milardë e 300 milionë dhe zbret në 12 miliardë e 400 milionë lekë. Pra, ky buxhet përveçse rrit barrën mbi qytetarët bën edhe një keqpërdorim të parave të qytetarëve ndonëse me një barrë të rritur, por nuk mbështet sektorët që garantojnë rritje ekonomike, kryesisht infrastrukutra dhe bujqësia dhe nga ana tjetër, kemi një buxhet të bazuar në një nivel të lartë të borxhit publik, i cili kërcënon ose rrezikon të ardhmen e stabilitetit të financave publike.
Zëri për ndihmën ekonomike në rënie
Buxheti për vitin e ardhshëm parashikon rreth 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë më pak për zërin e ndihmës ekonomike. Me pretendimin se, kjo ndihmë ekonomike është përfituar në mënyrë të padrejtë, qeveria ul edhe këtë zë për të gjithë ata qytetarë, që deri dje siguronin kafshatën e bukës. Për këtë kategori, vulnerabël nga 21 miliardë lekë që është aktualisht fondi, qeveria ka menduar ta çojë atë në 19.800 miliardë lekë në buxhetin për vitin e ardhshëm.
Taksat në shërbim të qeverisë
Buxheti 2015 do të jetë buxheti i barrës së qytetarëve dhe bizneseve, si dhe i rënies së punësimit në vend. Ndryshe nga deklarimet publike, qeveria po rrit taksat për luksin e saj. Buxheti shkon në 31.5% të PBB-së, duke shënuar një rritje shpenzimesh me 3.2% të PBB-së, kryesisht për qëllime inproduktive mbasi investimet publike dhe shpenzime të tjera të rëndësishme ulen. Barra e shtetit në ekonomi rritet me rreth 500 milionë dollarë, ndërsa investimet publike ulen ndjeshëm ndaj viteve të mëparshme kur investohej 7% e PBB në një buxhet që ishte 28% të PBB-së ose ¼ e tij. Buxheti 2015 rëndon qytetarët dhe bizneset si edhe ul punësimin. Barra fiskale, nga ana tjetër rritet me 160 milionë dollarë, 60% e shtesës së PBB konsumohet nga qeveria dhe investimet publike mbeten 67 miliardë lekë sa në 2014. Në terma reale, ato ulen nga 4.8% në 4.5% të PBB, ndërsa investimet në infrastrukturë ulen rreth 3 miliardë lekë. Në buxhetin 2015, qeveria ka braktisur shtresat në nevojë. Ata janë të pambrojtur nga rritja e taksave, tarifave dhe çmimit të energjisë elektrike. Në vend të kompensimit financiar, qeveria ul buxhetin e ndihmës ekonomike nga 21 në 19.9 miliardë lekë. Qytetarët do të hiqen nga skema e ndihmës ekonomike dhe rreziku i varfërisë rritet.
Buxheti heq masat nxitëse për sektorin e bujqësisë
Adresimi i fondeve në buxhetin për vitin e ardhshëm, ka hequr masat që nxisnin rritjen e prodhimit bujqësor, siç ishte tatimi mbi vlerën e shtuar për inputet. Një ndër to ishte premtimi i bujshëm për heqjen e TVSH-së nga qeveria e sotme. Pra, nga rreth 6000 përfitues, fermerë që kanë përfituar mesatarisht çdo vit, nga viti 2008 në vitin 2013, në këtë vit deri tani janë rreth 200 përfitues dhe e keqja është, që këta nuk janë fermerë, por janë tregtarë, sepse politikat e subvencionimit nxisin dhe mbështesin shtresën e tregtarëve me një argument, i cili është i papranueshëm në kushtet e zhvillimit të Shqipërisë, ku akoma dominojnë fermat e vogla, që përgjithësisht janë ferma të mbijetesës, dhe që kanë nevojë për mbështetje për t’u strukturuar dhe për t’u integruar. Qeveria ka si qëllim që të mbështesë një grup, i cili mesa duket është grup rreth apo afër qeverisë, kjo pasi raporti i numrit të përfituesve fermerë, nga 6000 ka rënë rreth 200 fermerë. Por, dispropocioni i madh, dhe pamundësia për pensione duket në kontribute. Nga 2015 çdo fermeri do t’i duhet të paguajë rreth 800.000 lekë në vit çdo fermer dhe i pa diferencuar nga zona fushore në zonën malore. Por në tërësi, qytetarët kërcënohen nga recesioni apo rënia ekonomike sepse, në kushtet ku rritet barra tatimore, investimet publike ulen dhe jo vetëm që nuk ka stimul ekonomik për biznesin, por përkundrazi ka vështirësi, ka barrë që duhet ta përballojë biznesi.